Agim Avdi Shala (18.9.1975 - 1.9.1998)

Agim Avdi Shala (18.9.1975 – 1.9.1998)

Luftimet heroike përreth Sukës së Cërmjanit në Gërgoc, Kralan, Rakovinë, Shqiponjë, Këpuzë, Maznik, Qeskovë e deri në Shaptej, gjatë javës së parë të gushtit, qëndresa prej graniti e tigrave të Smolicës, Morinës, Ponoshecit, Stubllës e Kallavajës në Rekë të Keqe, avancimi i “Shqiponjave të Zeza” në frontin e Hereqit, Rosishtës, Prejlepit, Carrabregut, Irzniqit (në Gërdaja), Gramaçelit, Dobrigjës, Baballoqit, Gllogjanit e Isniqit në Rekë, luftimet në “Livadhet e Devës”, në Oplaz, në “Çokë” të Junikut, pathyeshmëria e Markalleshëve të Vraniqit, heroizmi i Radishevës së drenicasve të Adem Jasharit, luftimet në Bukosh, në Samadraxhë, në Grajçec, në Reshtan, në Bllacë e Budakovë të Therandës, qëndrimi stoik nëpër e përreth Grykës së Carralevës me Pjetërshticën, Krojmirin, Dugën, Kleçkën, Javurin, Divjakën e Llanishtën e beteja në Grabanicë të Kaçanikut dhe solemniteti ushtarak i Malësisë së Vërrinit (ish – Lybeçevës), kushtuar përcjelljes së fundit të Remzi Ademajt si dhe sulmet e rrufeshme në Graboc të Pejës, në Loxhë, në Shushicë, në Peçan e deri te Drelajt e Grykës së Rugovës, sajojnë kapituj të artë të historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë muajit gusht e deri në fillim të shtatorit, atyre ditëve kur digjej Vërrini me tëtë fshatra, kur luftonte Agim Shala së bashku me të anë e kur ushtonin lugjet e kodrat e Jeshkovës, kur ranë Shaljanët: Agimi, Avdiu e Besimi, kur ra Fatmir Berisha e kur plagoset Bashkim Suka.
Të gjitha këto ngjarje i dhanë krah ringjalljes së feniksave të lirisë, prandaj edhe luftëtarët e Vërrinit, vendosën që të mos tërhiqen prej Tususi, sot Lagje e Trimave, të mos e braktisin Prizrenin, të qëndrojnë në Hoçë të Qytetit, në Lez, në Billushë, në Malësi të Vërrinit, Gurrë (ish – Puslishtë) e Jeshkovë, sepse këtë dëshirë e kishin komandantët e tyre: Remzi Ademi e Xhevat Berisha, të cilët ideali nuk i ndau në burg e në liri, kurse rënia në altarin e lirisë i ndau për pesëmbëdhjetë ditë.
Ndikimi i madh që kishte Avdi Shala, kryetar i fshatit në Jeshkovë, gatishmëria e vërrinasve, morali i lartë i popullatës dhe dëshira e flaktë për t’u çliruar e për t’i bashkuar trojet etnike, ishin faktorë vendimtarë që çerdhja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për arealen luftarake të Vërrinit të vendoset mu në fshatin Jeshkovë, ku rrinin “Djemtë e Vërrinit”: Agimi, Avdiu, Besimi e Hajdar Shala, Fatmir Berisha, Hysen Rexhepi, Ferid Susuri, Ymredin Çengaj, Hamit Thaçi, Tahir Gashi, Skënder Latifi, Alajdin Xhezairi, Bashkim Suka, Arsim e Sylë Poniku, Nesim e Xhemil Krasniqi me Nazim Budurin e Hasan Maliqajn.
Më 18 shtator të vitit 1975, në fshatin Jeshkovë të Vërrinit të Prizrenit, në familjen kurbetçare të Avdi Shalës, lindi dëshmori i kombit Agim Shala, i vëllaj i Nuridinit të rënë në Betejën e Vërrinit. Nëna Halime, bijë e Krasniqëve të Hoçës së Qytetit, në familjen e varfër të Avdiut, sot dëshmor i kombit, lindi e rriti: Nuridinin, Ymridinin, Agimin, Ajriun, Arbenin dhe Fidanin, për t’ia dhënë Lirisë së Kosovës Agimin, Nuridinin dhe bashkëshortin Avdi. Shkollën fillore Agimi e mbaroi në Hoçë të Qytetit, në një vatër arsimore që sot mban emrin e dëshmorit Nazim Buduri. Shkollën e mesme Agim Shala e filloi në Prizren, në Teknikumin “Gani Çavdërbasha” – dega e ndërtimtarisë, në të cilën e patën përfunduar shkollimin profesional edhe dëshmorët: Bashkim Suka, Fejsal Hoti, Hajdar Shala, Bekim M. Berisha e të tjerë që asokohe vepronin në çerdhen e profesorit Xhemajli Berisha.
Por ndejkja që u bëhej veprimtarëve në Lagjen e Trimave, Tususin e dikurshëm të Prizrenit, e veçanërisht në shkollat e mesme; teknike, ekonomike, të mësuesisë dhe të mjekësisë, ku aderonin vërrinasit, udhëtimet e gjata dhe të rrezikshme deri në Jeshkovë, burgosjet e shpeshta të veprimtarëve dhe kushtet ekonomike në të cilat qe gremisur familja e Avdi Shalës, e detyruan Agimin që t’i ndërprejë mësimet dhe ta marrë rrugën e kurbetit, si pjesa dërmuese e rinisë shqiptare, veçanërisht si rinia e Vërrinit dhe Opojës.
Në vitin 1993, Agim Shala braktis Jeshkovën, në Prizren i mbetën ëndrrat rinore dhe shokët: Xhemshiti, Shkëlzeni, Hajrimi, Naseri, Xhevati, Salajdini, Bashkimi, Elbasani, Besimi, Avdiu e daja Selim Krasniqi, sot dëshmorë, invalidë e veteranë. Për t’u shpëtuar arrestimeve, e për ta fituar kafshatën e bukës, vendoset në Romë, së bashku me Naser Berishën, por prej ditës kur bota dëgjoi krismat e Prekazit, të Drenicës së Komandantit Legjendar Adem Jashari, Agim Avdi Shala, së bashku me shumë veprimtarë të Çështjes së Madhe, rilidhet me dajën Selim e me shokët e Prizrenit e “Djemtë e Vërrinit” dhe, më 6 maj të Vitit Legjendar vendoset në Shtabin Operativ Rajonal për Prizrenin në Jeshkovë, që t’u bëjë krah e gisht Remzi Ademajt, Xhevat Berishës, Ismajl Kryeziut e Ekrem Rexhës.
Me formimin e Njësitit Special për Intervenime të Shpejta, pranë Shtabit të Vërrinit, Salajdin Berisha caktohet në detyrën e komandantit të Policisë Ushtarake, ndërsa Agim Shalës i mbetën detyrat e komandimit me “Djemtë e Vërrinit”. Duke bashkëvepruar me sektorin e logjistikës, bjen në prita dy herë, por mbi 30 herë then kufirin as pa një gërvishje. Më 7 korrik merr pjesë në sulmin dhe thyerrjen e forcave serbe te “Laku i Billushës”, ndërsa më 16 korrik shkëlqeu në Luftën e Tususit dhe te Kullat e Hoçës së Qytetit. Pas këtyre fitoreve Agimi ndihmon në logjistikë, veçanërisht në thyerjen e kufirit me intervenime të shpejta, ndërsa shkëlqimi i njësitit bëri që të tërhiqen trupat e pajetë të dëshmorëve: Beamir Memajt e Nexhat Fanajt, njëri nga Zhuri e tjetri i Grazhdanikut, kurse së bashku me njësitin depërtoi edhe në tërheqjen e trupit të komandantit Remzi Ademaj, më 16 gusht në Grazhdanik.
Epopeja e sotme e Vërrinit filloi më 1 shtatorit të vitit 1998 me kanonada granatash e breshëri të të gjitha kalibrave mbi fshatrat Kushnin, Lez e Jeshkovë; mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbi selinë e Shtabit Operativ Rajonal për Vërrinin, prandaj edhe java e parë e shtatorit, ndërsa “Djemtë e Dukagjinit” luftuan për jetë o vdekje rrëzë Sukës së Cërmjanit e në tërë Dushkajën, ndërsa digjej e shkrumohej Smolica me tërë Rekën e Keqe, rrënohej e ndizej çdo shtëpi në Rosishtë e Gllogjan, Budakovës i përgatitej “Simfonia e Granatave”, e Anadrinit spastrimi total, “Djemtë e Vërrinit” qëndrojnë rrëzë e thepa nëpër lugjet e Koritnikut dhe përjetësohen në altarin e lirisë kushninasit Refkiu, Milaimi e Tamili, lezjanët Xhevati, Salajdini, Bekimi, Ibrahimi, Naipi, Asimi, Shahadini, Samedini, Shefqeti, Alajdini, Nehati, Asllani e Izahiri, në Jeshkovë, bandat serboçetnike vranë e masakruan Myrveten, Fatimen, Kadishen, Merxhanin e Ahmetin, kurse më tre shtator, të enjten, pushuan krismat, por kah ora 16;00 pushoi edhe zemra e Tigrit të Vërrinit, komandant Agim Avdi Shalës i cili në luftime të përgjakshme pasi ia lidhi plagët bashkëluftëtarit Besim Ryshen Shalës, ra me të anë Avdinë në ballin e asaj furtune të shtatorit të Jeshkovës, kur Nuridini vazhdon luftën, shkon rrugës së të vëllajt dhe komandon me njësitin deri më 11 mars të vitit 1999.
Pas Betejës së Vërrinit, luftimet në krahun: Gremnik, Çupevë, Valljakë, Sverkë, Rudë, Panorc, Dush, Zatriq e deri në Palluzhë të Anadrinit, luftimet në frontin e Cërmjanit; me Kralan, Gërgoc, Rakovinë, Shqiponjë e deri në Llugaxhi, ato në Prapaçan, Beleg, Gllogjan, Strellc i Epërm, harku defansiv në vijën Negroc – Kamaran – Drenas në Shkabaj, Çikatovë, Dobrashevc e deri në Skënderaj, luftimet në Nerodime, Koshare, Drenjak e Balaj, ato në Bjeshkët e Gjeravicës, luftimet në Ashlan dhe në malet Qyqavicë e Budakovë sajojnë hallkat e arta të sinxhirit të fitoreve të Ushtrisë Çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën gusht – shtator, kur djelmoshat e Adem Jasharit dëshmuan pjekuri strategjike, gatishmëri morale – luftarake dhe altruizëm të pashoq për t’u sakrifikuar në mbrojtjen e popullatës civile, çka dëshmuan me përjetësinë e tyre edhe dëshmorët babë e bir, Avdi e Agim Shala të Jeshkovës, të cilët mbetën edhe pa Nuredinin, sot dëshmor i kombit.
Dëshmorin e kombit Agim Shala, me shkrime e nderuan krijuesit: Bajram Kurti, Nexhat Çoçaj, Avdi Ibrahimaj, Gëzim Ajgeraj, Fahridin Tafallari, Sheradin Berisha dhe nxënësit e shkollave fillore të Vërrinit, ndërsa në përvjetorin e gjashtë filloi edhe xhirimi i dokumentarit “Agimi i Lirisë”. Për Agimin kënduan edhe rapsodët: Hamëz Llapçeva, Grupi i Kukësit (Dida, Çela, Kovaçi), Zenel Zekolli e Shaqir Ninaj. Për ruajtjen e kujtimeve e për luftimet e “Djemëve të Vërrinit” sot flasin edhe lapidarët në Lez, në Kushnin, në Jeshkovë e në Malësi të Vërrinit që me madhështinë e tyre ruajnë kujtimin duke shkëlqyer me rreze të lirisë për Betejën e Jeshkovës, më 3 shtator të vitit 1998 e më 11 mars të vitit 1999, kur përjetësohet edhe Bashkim Suka i plagosur në shtator. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …