Dilaver Goxhaj: U nda nga jeta poeti ynë kombëtar, Lirim Deda

Dilaver Goxhaj: U nda nga jeta poeti ynë kombëtar, Lirim Deda

Jetëshkrim

Lirim Deda ka lindur në Nivicë të Kurveleshit, Tepelenë, më 16 shkurt 1936. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shtatëvjeçaren dhe gjimnazin në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Mbaroi studimet për oficer në Shkollën e Bashkuar, si dhe studimet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe. Në vitet 1961-1965 ka punuar si gazetar i kulturës në shtypin ushtarak dhe pastaj deri në vitin 1969 u dërgua në Shkodër, Kukës, Tropojë, si sekretar i rinisë i Korpusit të Veriut. Rikthehet në shtypin ushtarak, Kryeredaktor i Revistës “10 Korriku” në vitin 1973. Punoi në detyrë deri në vitin 1975. Lirimi ka qenë anëtar i kolegjiumit të gazetës “Drita”, si dhe anëtar i Komiteti Drejtues të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Ka punuar në Sopot të Librazhdit në brigadat e punës deri në vitin 1990. Në vitet 1990 punon redaktor në gazetën “Fjala e lirë” dhe në gazetat “Ku vemi”. Më tej punon si redaktor në Shtëpitë botuese “Onufri”, “Egnatia” e “Xhuvani”. Zgjidhet dhe kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të rrethit të Elbasanit. Në vitet 2000-2012 punoi si kryeredaktor i gazetës “Labëria”. Ka qenë bashkëpunëtor i gazetës “Ndryshe”. Ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ka qenë redaktor në Shtëpinë Botuese “Alsa”.

Libra të botuara

Librin e parë me poezi dhe poema “Këngët e marshimeve” e botoi në vitin 1966 dhe pastaj me radhë: “Miqve dhe armiqve” 1968, “Në vijën e patrullimit” 1969, “E dua këtë tokë 1970, “Kolana e poezisë së zgjedhur shqipe” 1970, “Tregimet e Veriut” 1971, ‘Zambakë nga Hanoi” 1972, ‘Kënga e fitimtarëve” 1973, “Shënime për shokët letrarë” (shënime kritike, 1974), “Në Kinën e madhe” (reportazhe, 1974), “Balladë vietnameze” (reportazhe, 1979), “Zëri i tokës” 1980, “Gjurmë të arta” 1995, “Eja të blesh zemrën time” 1996, “Rrufe pikëllimi” 1997, “Trëndafili i zi” 1998, “Bukuria të verboka” 1999, “Djepvarri im, trimja Labëri” 2002, “Kush e vrau dashurinë” (shënime kritike-2006). Romanet: “Foleja e vetëtimave”, 2009 dhe “Valle në shtëpinë e vdekjes”, 2011.

Vlerësuar me çmime të parë

Në festivalet mbarëkombëtare të Radio Televizionit Shqiptar, si dhe në festivale të ndryshme të folkut e muzikës nëpër rrethe  si në Gjirokastër, Shkodër e Elbasan, Lirim Deda si autor i teksteve ka fituar këto çmime të para: “Gjurmë të arta”, Kujtim Laro, L. Deda në Festivalin e 12-të të Këngës në RTSH; “Lulëkuqja”, Limos Dizdari, L. Deda, në Festivalin e 13-të të Këngës në RTSH; “Për ty Tiranë”, Avni Mula. L. Deda; “Sa 100 shqiponja”, R. Zdrava, L. Deda; “Kënga e zëmrave”, Alfons Balliçi, L. Deda; “E dua këtë tokë”, Prenk Jakova, L. Deda; “Dy milionë ushtarë”, Çesk Zadeja. L. Deda. ”. Dy këngët e tij në Festivalin e 12 dhe të 13 në RTSH, mbetën ndër këngët më të bukura të artistes së madhe Vaçe Zela.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …