leoni

Komuna e Malishevës mbajti dëgjimin publik për buxhet

Komuna e Malishevës, sot në sallën e Kuvendit të Komunës, ka mbajtur dëgjimin publik me qytetar dhe përfaqësues të fshatrave, për projekt buxhetin komunal 2017-2019, me theks të veçantë, për buxhetin e vitit 2017, ku u prezantua qarkorja e dytë buxhetore dhe  morën kërkesat e të gjitha vendbanimeve, për hartimin e prioriteteve për investime kapitale. Sipas përgjegjësve komunal, orientimi për vitin e ardhshëm, do të jetë ndërtimi i tri objekteve shkollore dhe rritja e investimeve në bujqësi, ndërsa në investimet e infrastrukturës, përparësi do të kenë lagjet që janë tatimpagues më të mirë.

Për qëllimin e këtij dëgjimi, të pranishmit i informoi kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili tha se edhe këtë vit, prioritetet e komunës, do të bëhen nga kërkesat e vet vendbanimeve. Duke folur për investimet e deritanishme, kryetari Begaj, tha se “jemi munduar që deri diku ti plotësojmë kërkesat që kanë ardhur nga vendbanimet, por e di se jo të gjitha nevojat mund të plotësohen, mirëpo angazhimi ynë nuk ka munguar, sikur nuk do të mungoj as në të ardhmen”.

Qarkoren e dytë buxhetore, para të pranishmëve, e prezantoi drejtori i Drejtorisë për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, Vesel Krasniqi. Drejtori Krasniqi, e paraqiti buxhetin në vija të trasha, ndërsa tha se “buxheti i ndarë për investime kapitale, do të jetë rreth katër milion euro, ku prioritet i menduar për investime, do të jetë përfundimi i objekteve shkollore që kanë filluar tani dhe ndërtimi i tri objekteve tjera shkollore, pastaj rëndësi e veçantë do ti kushtohet bujqësisë, por nuk do të mbesin anash as investimet në infrastrukturë”. Për investimet në infrastrukturë, ku sipas Krasniqit, shihet një garë mes lagjeve, tha se “prioritet do të kenë lagjet që janë tatimpaguese më të rregullta”.

Pas prezantimit, është zhvilluar edhe debat, ku kryesisht përfaqësuesit e fshatrave, i kanë paraqitur nevojat dhe kërkesat e tyre, për ti futur në prioritetet komunale për  vitin e ardhshëm, e ku si zakonisht kanë dominuar kërkesat për investime në infrastrukturë, si infrastruktura shkollore, rrugore, ujësjellës dhe kanalizimi, e në mesin e tyre, tri shkolla dhe dy rrugë që lidhin fshatrat.

Përveç përfaqësuesve të fshatrave, edhe qytetarët e tjerë i kanë paraqitur mendimet e tyre, lidhur me ndarjet buxhetore dhe investimet, ku kanë kërkuar investime të planifikuara dhe afatgjata, si dhe rritje të cilësisë, sidomos në projektet e infrastrukturës.

Të gjitha pyetjeve të të pranishmëve ju dhanë sqarim, kryetari Begaj dhe drejtorët e drejtorive, varësisht prej diskutimeve të të pranishmëve, ndërsa kryetarët e vendbanimeve, kërkesat e tyre për investime, i kanë bërë edhe me shkrim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …