Kosova po e fiton gradualisht luftën me Ethet Hemorragjike

Kosova po e fiton gradualisht luftën kundër Etheve Hemorragjike Krime Kongo. Kështu u tha në takimin e Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo që po mbahet sot në Malishevë, nën kryesimin e Ministrit të Shëndetësisë dhe njëherësh kryesues i Këshillit, Imet Rrahmani.

Fakti që në tre vitet e fundit në Kosovë (me theks të veçantë në zonat endemike: Malishevë, Rahovec, Klinë dhe Suharekë), nuk ka pasur asnjë të vdekur nga EHCC, flet për një rezultat të mirë, falë koordinimit të mirë midis faktorit politik (pushtetit) lokal e qendror dhe profesionistëve shëndetësorë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, duke përgëzuar si pushtetin lokal në komunat endemike ashtu edhe atë qendror dhe profesionistët nga fusha e shëndetësisë, veterinës, bujqësisë dhe fushat e tjera, u tha se mbajtja e takimit në Malishevë, ishte një ide për të falënderuar kështu komunitetin për angazhimin dhe bashkëpunimin e mirë midis niveleve në luftimin me sukses të EHCC.

“Fakti që qe tre vjet nuk kemi asnjë viktimë nga EHCC flet për rezultate të mira të arritura së bashku. Unë jam i përkushtuar që punët e mira t’i shtyjmë para dhe një prej këtyre punëve ishte edhe puna e Këshillit Ndërministror për EHCC”, tha Ministri Rrahmani, duke theksuar se takimi në Malishevë ishte ide që qytetarët e kësaj komune dhe vet rajoni, ta ndiejnë praninë e pushtetit dhe përkrahjen për t’u ballafaquar me sukses me EHCC.

Tashmë që përvojën e kemi përpara, tha më  tej Ministri Rrahmani, uroj që edhe  vitin tjetër të flasim për një vit pa viktima, e gjithashtu edhe në vitet në vijim, në mënyrë që “kjo sëmundje të mbetet pastaj si histori”.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se puna e përbashkët dhe koordinimi i mirë midis nivelit qendror dhe atij lokal, ka bërë që qytetarët e Malishevës ta heqin frikën nga një e keqe që ka dominuar me vite. “Puna e përbashkët ka bërë që, përkundër faktit që sivjet ka pasur mbi 1333 thumbime, të mos kemi asnjë rast të vdekjes, sikurse edhe dy vitet e kaluara dhe kjo pa dyshim që është një fitore e përbashkët”, tha kryetari Begaj.  Ai tha se rezultatet e tre viteve të fundit janë një fitore që dëshmon se puna profesionale me përkrahjen edhe të pushtetit rezulton me sukses të përbashkët.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Malishevës ta ndiejnë se e kanë larguar rrezikun nga rriqrat dhe besojmë që sukseset do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim”, tha Begaj.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka prezantuar një rrjedhë të situatës epidemiologjike sa i përket EHCC prej vitit 2000 deri në vitin 2016, duke theksuar faktin se në tre vitet e fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve, ndërkohë që prej vitit 2000-2013 në Kosovë ishin regjistruar 49 raste të vdekjeve, me një shkallë letaliteti prej 26.7%.

Profesor Ramadani ka theksuar se sivjet në Klinikën Infektive ka pasur 55 raste të dyshuara për EHCC, prej të cilave vetëm një ka rezultuar pozitiv dhe ky rast ka qenë nga komuna e Gjakovës.

Profesor Ramadani ka prezantuar edhe aktivitetet e realizuara nga Ministritë, pushteti lokal dhe AVUK, bashkë me komunat në kuadër të Planit operativ për parandalimin dhe luftimin e EHCC si dezinsektimi selektiv, repelimi i shtazëve, marrja e mostrave të gjakut, fushatat edukative-vetëdijesuese, etj.

Doajeni i shëndetësisë publike në Kosovë, epidemiologu Isuf Dedushaj, tha se investimi në parandalim është masë shumë praktike dhe profitabile për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, ndërkohë që përgëzoi qytetarët e Malishevës për angazhimin që përkundër rreziqeve, ja ka dalë me një problematikë të madhe, në koordinim me akterët e të gjitha niveleve që kanë kontribuar.

Në këtë takim të Këshillit Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e EHCC u bë shqyrtimi edhe i masave për sezonin 2017 për të gjitha institucionet që përfaqësohen në Këshill, përkatësisht në luftën kundër Etheve Hemorragjike Krime-Kongo.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …