leoni

Esat Rrahim Kastrati (16.10.1978 - 3.9.1998)

Esat Rrahim Kastrati (16.10.1978 – 3.9.1998)

Se asgjë në histori nuk ndodh rastësisht, dhe se “dardha pikë nën dardhë”, flet edhe thënia popullore: “Nami i Pashë Maliqit, Shpata e Dan Zatriqit”, e dalë nga kënga për Luftën e Dan Zatriqit, e njohur si “Prej Prokuple deri në Nish”. E për Zatriqin, një fshat – kala e pamposhtur e Anadrinit, që po digjej e po shkrumbohej për të satën herë, që po masakrohej e gjymtohej për ta qitur fare: më 1913, më 1919, më 1945 e më 1999 këndohen shumë këngë.
Më 24 maj të vitit 1919, për shembull, në Zatriq u vranë 30 veta në emër të tridhjetë ditëve të Ramazanit, madje për t’u bërë rrafsh tridhjetë, vritet dhe masakrohet edhe tupanxhiu – tellallxhi i fshatit për atë muaj të Ramazanit. Në këtë ditë vriten: Osman Jemini, Elez Jemini, Rexhep Jemini, Danë Elezi, Sylë Rexhepi, Dinë Rexhepi, Murat Cena, Tahir Selmani, Jahë Beqa, Mehmet Brahimi, Hamëz Alija, Nuhi Alija, Hodë Alia, Mursel Shabani, Hasan Halili, Hasan Spahiu, Fetah Abdurrahmani, Shaban Shabani, Murat Dauti, Hazir Dauti, Maliq Dauti, Ramadan Seferi, Arif Sefa, Osman Jakupi, Dan Jakupi, Asllan Veseli, Vesel Shabani, Xhemile Alia, Halim Alia dhe Tellallxhiu i Ramazanit. Përmendoren e ngritur për ta më 2 korrik të vitit 1992, e shkatërruan forcat serboçetnike, por sërish u ngrit madje në “Qafën e Dëshmorëve”, jo larg vendit ku ranë për lirinë e Kosovës dëshmorët e fshatit Zatriq, më 3 tetor 1998: Xhafer Hamëz Vehapi, Mazllum Alush Kastrati dhe Esat Kastrati. Prandaj asnjëherë nuk thyhej Zatriqi, e nuk u thye as në korrik të vitit 1998 e as në shtator të atij viti e as në marsin e Anadrinit më 1999, në atë pranverë të përgjakshme të Rudinës (ish-Pastasel), të Fortesës (ish-Bellacërkë), të Celinës, të Brestosit, të Hoçës së Vogël, të Nagacit, të Retisë, të Apterrushit, të Krushës së Madhe, të Krushës së Vogël e të Rahavecit, kur Anadrinit iu masakruan mbi 970 banorë e në mesin e tyre edhe: Jahiri, Jusufi, Zymeri, Murati, Jonuzi, Ramadani, Hajrushi, Samedini dhe Metush Kastrati, prej Berishëve: Mustafa e Ibrahimi, prej Vehapëve Xheladini dhe Hamzë kurse prej Spahijve, Bajrami, e që të gjithë atë ditë kishin qëlluar në Rudinë.
Dëshmori i kombit Esat Kastrati është i lindur më 16 tetor të vitit 1978. I ati i tij, Rrahimi e nëna Sahide, bijë e Bajrajve të Panorcit, mbesë e Miftar Hasanit të njohur të këngëve kundër pushtuesit serboçetnik, përpiqeshin që me kushtet modeste për jetesë, t’i rrisnin e t’i shkollonin fëmijët: Lulzimin, Afërditën, Sheherzaden, Arsimin, Ardianën, Meritën dhe Esatin, mirëpo gjendja në të cilën u katandis arsimi shqiptar pas Kushtetutës së Vidovdanit, nuk premtonte ditë më të mira për të gjithë ata që i kishin sytë kah shkolla, kah dituria dhe liria e Kosovës, prandaj ndjekjet e shpeshta, arrestimet dhe bisedat e shumta informative, e shembën ekonominë edhe ashtu të lodhur të mësuesit Rrahim Kastrati, njërit prej kronikanëve të fshatit Zatriq – “Fortesë e Anadrinit”.
Shkollën fillore Esati e mbaroi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Gjimnazin tash “Xhelal Hajda-Toni” të Rahavecit.
Krismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Drenicën e Komandantit Legjendar Adem Jashari e në Gllogjanin e Luan Haradinajt, Esatin e gjetën maturant të gjimnazit, prandaj i ra hise e rëndë; të maturohet në Bjeshkët e Zatriqit e në lugjet e Akavaneve duke mbrojtur Qafën e Dëshmorëve së bashku me Mazllumin, djalë të axhës e me Xhafer Vehapin, tash të tre dëshmorë të kombit.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 26 prill të vitit 1998, kazermimi i formacioneve të para në Drenaj, përgaditja e stërvitoreve në Drenaj e Zatriq, bartja e armatimit dhe shumë operacione të tjera shënojnë hapat e parë të kyçjes së Esat Kastratit në Kompaninë e Zatriqit në kuadër të Batalionit të Drenajt. Në këtë kompani, të cilën e drejtonte Idriz Vehapi, Esati është së bashku me Agim, Mehmet, Veli e Avni Spahiun, Eshrafedin, Shefqet, Asllan, Haki, Selajdin, Hasan e Bahtjar e Mazllum Kastratin, Shefqet e Sami Shabanin, Mensur Zyberajn, Bedrush Gashin, Feim Gashin, Isuf Berishën, Xhelal Hajdën – Tonin, Selajdin Mullabazin-Micin e me shumë luftëtarë të lirisë, sot dëshmorë të kombit, invalidë të luftës e veteranë të lirë e të burgosur.
Në Betejën e Bardhatinit, më 12 maj të vitit 1998, Esat Kastrati, zbret me shokë prej “Majës së Zezë” të Zatriqit dhe për herë të parë ballafaqohet me krismat serboçetnike. Por këto hordhi thyhen në lugjet ndërmjet Bardhatinit e Franjakës. I këtillë është Esati edhe në betejat e tjera të arealit luftarak të Anadrinit deri më 3 shtator të vitit 1998. Në këtë ditë, forca të mëdha policore, ushtarake e paramilitare, ia mësyjnë Zatriqit nga: Gurbardhi i Llapushës, Panorci, Kromniku, Burimi i Epërm, Nushpali, Drenajt, Rudina, Frashnjeti, Guri i Kuq, Besniku dhe kështu ta përfundojnë tërë atë që nuk e kishin përfunduar gjyshërit e tyre më 1919. Esat Kastrati me shokë, zë istimaket kah “Lugu i Batares”, “Maja e Akavaneve”, “Maja e Zezë”, “Vorri i Bali Agës” e “Rrasdoli”, vlerëson potencialet granatuese që priteshin mbi fshatin Zatriq me gjuajtje së largu duke mbajtur në shënjestër “Rrasat e Rahavecit”, “Majën e Shkodranit”, “Lugun e Shqipeve” dhe udhët fushore në kurrizin e “Malit të Madh” e “Malit të Vogël” prej nga pritej këmbësoria serboçetnike ngase një këto pjesë me decenie kishin qenë kampet stërvitore të Ushtrisë Jugosllave.
Dita e 3 shtatorit të vitit 1998, agoi me granatime mbi çdo pëllëmbë të “Maqinave” për ta arritur “Majën e Zezë”, ndërsa këmbësoria dështake e thyer nga djelmoshat e Zatriqit, nuk arriti ta kalojë “Lugun e Batareve”, por granatimet plagosën rëndë: Esat e Mazllum Kastratin dhe Xhafer Vehapin, të tre nga Zatriqi. Bashkëluftëtarët u dhanë pas kërkimit që të zbulohen trupat e pajetë të tre dëshmorëve, mirëpo tek pas një përpjekjeje të gjatë e të mundimshme, trupat e tyre zbulohen dhe përcillen me nderime në “Varrezat e Zatriqit”, ndërsa sot lapidari i madh në “Qafën e Dëshmorëve” flet për luftën e zatriqasve, ndërsa këngët për dëshmorët e fshatit – kështjellë, sot jehojnë nëpër festivale e tubime solemne. Me shkrimet e veta, Esatin e nderuan: Agim Metbala, Milazim Bajra, Bedri Dula dhe shumë krijues të tjerë. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …