Përparim Xhafer Krasniqi (8.10.1976 – 10.9.1998)

Përparim Xhafer Krasniqi (8.10.1976 – 10.9.1998)

Dëshmori i kombit Përparim Krasniqi u lind më 8 tetor të vitit 1976, në familjen e madhe të Sylërexhëve, në fshatin Vranoc të Pejës, e njohur brez pas brezi për tradita liridashëse. Edhe në luftën e fundit që zhvilloi populli ynë në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, djemtë e kësaj familjeje pa asnjë hezitim iu përgjigjën zërit të atdheut, iu përgjigjën kushtrimit të luftës për liri, duke vënë në shërbim të luftës gjithë potencialin familjar, njerëzor e material, duke dhënë edhe tre dëshmorë të kombit dhe një martir.
Prandaj, nuk është rastësi që njëri ndër luftëtarët e radhëve të para të UÇK-së, njëri ndër ata që patën fatin të luftojnë e të bien të parët për atdhe nën emblemën e UÇK-së, të jetë heroi Adrian Krasniqi, rrugën e të cilit e trasuan me besnikëri edhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Në altarin e atdheut atij do t’i bashkohen edhe dëshmorët Përparim e Haki Krasniqi.
Përparimi ishte fëmija dhe gëzimi i parë i prindërve Xhafer Krasniqi dhe Sanije Bralaj-Krasniqi, pas të cilit ata lindën edhe katër fëmijë të tjerë.
Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Baran, me sukses të shkëlqyeshëm. Ishte student në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, por i la në gjysmë studimet për të kapur armën e lirisë.
I lindur, dhe i rritur në një familje të njohur atdhetare, ku mori një edukatë të shëndoshë kombëtare, Përparim Krasniqi, qysh në moshë të re u shqua për trimëri, urtësi e vendosmëri. Etja e tij për dije, kulturë, përparim e liri e përcolli në vazhdimësi që nga bangat shkollore deri në dyert e universitetit.
Përparimi nuk kishte hyrë rastësisht në rrugën e mundimshme të luftës për liri, por ishte bërë pasues i denjë i përpjekjeve për liri të të parëve të vet. Ai ishte njëri ndër luftëtarët e celulave të para të UÇK-së, njëherësh luftëtar i devotshëm që luftoi e veproi me vetëmohim deri në frymën e fundit, për çlirimin e atdheut prej pushtuesit serb.
I brumosur me ndjenja atdhetarie e i frymëzuar nga të parët e tij dhe heronjtë kombëtarë, që në fëmijëri u përpoq të kontribuojë për lirinë e Kosovës, duke bashkëpunuar me djemtë e axhës së tij Ilirin e Adrianin, të cilët qysh herët ishin aktivistë të LPK-së. Formimi i UÇK-së për Kosovën ishte një kthesë e madhe dhe shkëndijë e vetme për lirinë e Kosovës. Në ballë të saj u vunë Komandanti Legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj e Shkëlzen Haradinaj, Adrian Krasniqi, Mujë Krasniqi, Ilir Konushefci, Edmond Hoxha, Përparimi dhe qindra bij e bija të Kosovës.
Përparimi, në radhët e UÇK-së u radhit në fund të korrikut të vitit 1996, nëpërmjet djalit të axhës, dëshmorit të kombit Adrian (Rexhep) Krasniqi, ndonëse shumë kohë më përpara po e ndihmonte sivëllain e tij Adrianin dhe bashkëluftëtarët e tij. Që nga ajo periudhë, Përparim, i cili në radhët e UÇK-së do të njihet me emrin e luftës “Shabani”, do të jetë një luftëtar besnik dhe i dalluar i lirisë, pa u thyer asnjëherë para vështirësive, por duke u vënë përherë në ballë të rrezikut. Që nga ditët e para dhe në moshë shumë të re “Shabani” u përgatit dhe u kalit për luftë kundër pushtuesit serb, duke pasur vizion jetësor çlirimin dhe bashkimin e kombit.
Në aksionin mbi stacionin e policisë serbe në Çallapek të Pejës, në gusht të vitit 1996, në të cilin mori pjesë Adriani dhe bashkëluftëtarët e tij, ai kreu me sukses pjesën e detyrës së tij.
Së bashku me Adrianin dhe shokë të tjerë të ilegalitetit veproi deri në rënien heroike të Adrianit.
Rënia e Adrianit, në tetor të vitit 1997, në Kliçinë (tash Adrian) të Pejës, por as e shumë bashkëluftëtarëve të tjerë, nuk do ta ligështojë Përparimin, i cili edhe më me devotshmëri do t’i përkushtohet rrugës për lirinë e Kosovës.
Pas rënies heroike të Adrianit, dëshmori i kombit Ilir Konushefci kërkon nga strukturat më të larta komanduese të UÇK-së që Përparim Krasniqi “Shabani” të jetë mbështetja e tij kryesore në logjistikë për arsye se kishte lidhje familjare dhe miqësie me bazat e ngritura nga Adriani dhe shokët e tij për furnizim me teknikë lufte nga Shqipëria në Kosovë, – rrëfen bashkëluftëtari i tij, Xhevdet Duka.
Kështu, që nga vitit 1997, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Përparimi u sistemua në logjistikën e UÇK-së e cila ishte arteria kryesore e frontit dhe e luftës. Që nga kjo kohë “Shabani” mori detyra me përgjegjësi të lartë në aspektin e logjistikës dhe të rekrutimit të luftëtarëve të rinj në radhët e UÇK-së. Shtëpia e tij në Vranoc të Pejës dhe shtëpitë tjera të familjarëve të tyre në Bajram Curr e Tiranë, Lybeniq, Bralaj të Rozhajës etj., ishin ndër bazat më të hershme dhe më besnike të UÇK-së. Pas shpërthimit të luftës frontale, Përparimi mori pjesë aktive në operacionet luftarake në vijat e para të frontit në Rrafshin e Dukagjinit.
Armët e para që u përdorën në luftën frontale dhe luftimet frontale që u zhvilluan në fshatin e tij të lindjes, në Vranoc, në maj të vitit 1998, dhe në Lugun e Baranit, ishin meritë dhe kontribut i “Shabanit”, të mbështetur nga familjarët e tij të dëshmuar prej kohësh dhe farefisit të gjerë, të cilët pa hezitim iu bashkuan UÇK-së.
Në kohën kur radhët e UÇK-së shtoheshin me shpejtësi të theksuar, kur armiku tentonte që me shpejtësi të rimerrte pozicionet e humbura në terren, nevojat e UÇK-së në bazën e furnizimit në Bajram Curr dhe në gjithë zonën e Tropojës për njerëz të aftë dhe të dëshmuar rriteshin. Prandaj, Përparimi pa dëshirën e tij, detyrohet t’i lë frontet e luftës dhe t’i kthehet furnizimit me armë të mijëra ushtarëve, që pritnin të armatoseshin dhe të hynin në Kosovë.
Gjatë veprimit të tij në Bajram Curr dhe Tropojë arriti të gjejë me dhjetëra shtigje për furnizim me armatim, siç ishte Qafa e Morinës, Lugu i Zi, Qafa e Zherkës, Qafa e Hajdarmataj, Qafa e Kocines në Mahallë të Epërme, Maja e Krajlicës etj., por në atë periudhë korridori më i rëndësishëm dhe më i vështirë për t’u mbajtur ishte ai i Ujëzës, për të cilin caktoheshin luftëtarët më të spikatur.
Në fillim të shtatorit 1998, në koordinim me përgjegjësin e pikës së furnizimit në Bajram Curr, Gani Nuhën, Përparimi, merr nën komandë njësitet e UÇK-së në Ujëz të Tropojës për ruajtjen e korridorit për furnizim me armatim, korridor i cili ishte ndër arteriet kryesore të furnizimit me armatim. Krahas kësaj kryen një varg aksionesh luftarake kundër forcave ushtarake serbe në brezin kufitar.
Sikurse gjatë verës, edhe në fillimvjeshtën e vitit 1998 ofensivat serbe s’kishin të ndalur. Luftëtarët e UÇK-së po bënin përpjekje titanike për mbrojtjen e popullatës dhe të identitetit të tyre. Pothuajse pjesa më e madhe e Kosovës po digej për të satën herë që nga shpërthimi i luftës.
Përparimi, i brengosur jashtëzakonisht nga gjendja në terren në tërë Kosovën dhe në veçanti në Rrafshin e Dukagjinit, të cilin çdo ditë e shihte nga bjeshkët e Ujëzës, ku shiheshin veprimet ushtarake të armikut, vendos që aktivitetin e tij ushtarak ta bëjë vetëm në Kosovë, pavarësisht kërkesave dhe nevojave për praninë e tij në përgatitjen e ushtarëve të rinj, furnizim me teknikë lufte dhe sigurimin e korridorit. Kështu, pikën e Ujëzës e dorëzon te luftëtarët tjerë dhe pikërisht më 10 shtator 1998, merr rrugën për t’iu bashkuar luftëtarëve në Dukagjin, që kishin nevojë për luftëtarë të tillë më shumë se kurrë.
Në rrethana të tilla edhe rrugët që do të çonin drejt furnizimit me material luftarak pothuajse ishin bërë të pakalueshme, por megjithatë luftëtarët e lirisë i kalonin ato shtigje të vetëdijshëm se ai material u duhej ushtarëve në front. Përparimi ishte nisur të depërtonte në Kosovë me një grup të vogël bashkëluftëtarësh: Xhevdet Dukën nga Drenoci, Rasim Mazrekajn nga Vokshi, Haxhi Krasniqin nga Turjaka, Florim Krasniqin nga Turjaka dhe Ilir Shoshin nga Skivjani.
Vullneti dhe dëshira e jashtëzakonshme për t’u ardhur në ndihmë bashkëluftëtarëve në Dukagjin, “Shabanit” nuk arriti t’i përmbushej pasi që zemra e tij pushoi së rrahuri pikërisht më 10 shtator 1998. Njëkohësisht nuk arriti t’i përmbushej edhe nevoja e madhe për hakmarrje ndaj armikut gjakatar që ndjente ai në ato momente, – thotë bashkëluftëtari i tij Xhevdet Duka.
Përparimi e njihte mirë terrenin, majat e thepisura të bjeshkëve i kishte rrahur vazhdimisht më shumë se një vit e gjysmë, prandaj nuk kishte rëndësi se ku vendosnin të bënin kalimin e vijës kufitare, pak më poshtë apo pak më lartë, afër pikës C/2 apo C/3. Bashkëluftëtarët e tij e dinin këtë gjë, prandaj atë ditë ata nuk brengoseshin për rrugën. Brengoseshin për gjendjen që do të gjenin në Kosovë, për fshatrat e djegura dhe frontet e shpërthyera. Por ajo rrugë u ndal në gjysmë, sepse aty ra Përparimi.
Rruga nga vendi i rënies së “Shabanit” deri në Kosovë nuk ka më shumë se disa qindra metra. Por ishte pikërisht rënia e Përparimit, që krijoi lidhjen mes vëllezërve të ndarë padrejtësisht me dekada. Përroi i Hijes dhe Maja e Krajlicës, të cilat atë natë synonte t’i kalonte Përparimi me shokë, u bë vendi që i bashkon shqiptarët e këndej e andej kufirit.
Dhjetëra e dhjetëra herë, Përparimi barti me krah armë nga Shqipëria në Kosovë e nga Mali i Zi në Kosovë. I kishte mbetur më pak se një muaj të mbushte 22 vjet. Dhe më 10 shtator, ishte zotuar se ja gjallë ja vdekur atë ditë do të hynte në Kosovë, sepse luftëtarët e UÇK-së kishin më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, pas goditjeve të brendshme e të jashtme që pësuan, dhe pas ofensivave të pandërprera, ku ranë dhjetëra dëshmorë lirie e dhjetëra luftëtarë të tjerë u plagosën.
Rënia e Përparimit ishte një goditje e madhe për luftën çlirimtare. UÇK humbi njërin nga luftëtarët e mëdhenj e më të vendosur të saj. Humbi një pjesë të shpirtit të saj luftarak. Megjithatë, veprimtaria e jashtëzakonshme e Përparim Krasniqit në luftë për liri, u bë shembull për bashkëluftëtarët e tij dhe luftëtarë të tjerë që u bënë bartës të luftës çlirimtare, të cilët ishin mësuar që dhembjen ta kthejnë në forcë e forcën në qëndresë.
Banorët e Zogajve, dhe përgjithësisht të zonës së Tropojës, dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare që nga strehimi i popullatës shqiptare të Kosovës, të dëbuar nga trojet e veta deri në pjesëmarrjen aktive në luftime, me çka ky fshat dhe edhe bijtë e vet dëshmorë si Lulzim Hasan Muhametaj dhe Shpend Rexhë Hajdarmataj.
Banorët e fshatit Zogaj kishin ndjerë dhembje e krenari për luftëtarin shtatlis, për Përparimin që tashmë nuk ishte vetëm i Vranocit, nuk ishte vetëm i Kosovës, por u bë qytetar nderi e dëshmor edhe i Lagjes së Epërme të fshatit kufitar Zogaj dhe mbarë Shqipërisë. Ishin nëna Zojë, Ali e Fatmir Musë Muhametaj, Hasan Abazi, Hysen Abazi, Avni Salihu e banorë të tjerë të Zogajve, që u bashkuan me luftëtarët e lirisë natën e rënies së Përparimit. Banorët e kësaj lagjeje, që në ditën e rënies së Përparimit, vendin e kishin shënjuar dhe pagëzuar “Lapidari i Dëshmorit”.
Sot atë vend e hijeshon lapidari hijerëndë i Përparim Krasniqit, i ngritur me përkujdesjen dhe kontributin e familjarëve e të bashkëluftëtarëve, i latuar me mjeshtri, me portretin e dëshmorit me barrën e rëndë të furnizimit mbi supe, me emblemën e shenjtë të UÇK-së në sfond dhe me vargjet epitaf:

“Nuk rashë, nuk fjeta,
zgjuar jam i tëri,
Po të sogjetoj, ty Kosovë, ty Shqipëri…”

Lapidari i dëshmorit Përparim Krasniqi sipër fshatit Zogaj, i mbuluar me kurora lulesh, i lagur me ndonjë pikë lotësh malli, mu pranë kufirit të robërisë mbetet dëshmi e sakrificës mbinjerëzore dhe vetëflijimit të Përparimit me shokë, dëshmi e luftës dhe përpjekjeve të përbashkëta, simbol i bashkimit Kosovë-Shqipëri.
Përparimi kishte bërë rrugë të gjatë, dha frymën e fundit në Zogaj, dy vjet u pre në dheun e Tiranës, pranë e pranë bashkëluftëtarëve dëshmorë Ilir Konushefci e Hazir Mala, për t’u rikthyer më pas në vendlindjen e tij, në Vranoc, ku në tetor të vitit 2000, u varros me nderime të larta ushtarake e gjithëpopullore, për t’u prehur përjetësisht në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve, pranë sivëllait Adrian Krasniqi dhe të tjerëve.
Pas vetes, Përparimi ka lënë prindërit Xhaferin e Sanijen, vëllain Shkëlzenin dhe tri motra, njëra e lindur pas rënies së Përparimit. Familja e tij është nderuar me mirënjohje të shumta për bijtë e tyre dëshmorë. Për dëshmorin Përparim Krasniqi është shkruar në librin e dëshmorëve të Universitetit të Prishtinës – “Në kërkim të dijes dhe të lirisë”, në librin “Adrian Krasniqi “Rexha” – një jetë e një vdekje për atdhe” të autorit Faton Mehmetaj, në librin “Të Pavdekshmit e Dukagjinit” të Hasan Hasanit. Shkrime përkujtimore kanë botuar Fetnete Ramosaj, Xhevdet Duka etj.
Në 12-vjetorin e rënies, pikërisht më 10 shtator 2010, Komuna e Ptyçit dhe regjioni i Hasit e nderuan birin e vet, Përparim Krasniqi, me titullin “Qytetar nderi i Komunës Ptyç”. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 - 3.12.1998)

Hysni Xhafer Duraku (1.8.1961 – 3.12.1998)

Krushës së Madhe të Anadrinit, në dhjetor të vitit 1998, i ra për hise një …