Sipas të gjitha gjasave ka marrë udhë realizimi i një skenari serbomadh në shtetin e brishtë të Bosnjës dhe Hercegovinës. Shumë veprime në shërbim të realizimit të këtij skenari janë duke u zhvilluar gjysmë legalisht dhe në heshtje.
Qëllimi është më se i qartë!
Serbo-çetnikët nën udhëheqjen shpirtërore të Kishës “Shensaviane”, risynojnë realizimin e aspiratës së tyre të kahershme nga e cila nuk kanë hequr dorë kurrë. Për nga pesha dhe rrezikshmëria për popujt fqinjë jo serbijan, realizimi i këtij synimi mund të konsiderohet si hapi i parë, drejt krijimit të Serbisë së Madhe. Serbo-çetnikët këtë herë kanë përgatitur një skenar të veprimeve taktike, shumë më ndryshe nga ai i fundshekullit të XX, ngase edhe rrethanat e sotme dallojnë për shumëçka nga ato të atëhershmet. Sipas këtij skenari, me siguri të miratuar dhe mbështetur edhe nga ruset, udhëheqja e të ashtuquajturës “Republika Srbska” ka marrë vendim që me 25 shtator të vitit 2016, të organizojë një referendum, e bindur se do të fitojë legjitimitetin për t’u shkëputur nga shteti i brishtë i Bosnjës dhe Hercegovinës, për të ndërmarrë më vonë hapin e dytë, bashkimin me Serbinë. Në këtë drejtim e kanë fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, me çka e kanë “legjitimuar” mbajtjen e këtij referendumi.
Ashtu si nga shtetet përreth dhe nga Bashkësia Evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionet ndërkombëtare, me në krye Këshillin e Sigurimit të OKB-së, as edhe një reagim serioz në raport me rrezikun që po i kanoset jo vetëm regjionit, por edhe Evropës. Të „mençurit“ e politikës evropiane dhe nënbishtat e tyre, sidomos ata të Ballkanit, ndihen të relaksuar përballë këtij realiteti, se gjoja „distancimi“ i Serbisë nga synimet e klanit të Dodikut, qenkan përjashtim i çfarëdo rreziku!?
Përballë kësaj sjelljeje plotë mirëbesim ndaj shovinistëve serbo-çetnik, domosdoshmërish të imponohet dyshimi: A thua mos nuk e njohin mirë mendësinë e mykur serbo-çetnike, të Beligradit zyrtar apo mos këta të “mençur” e kanë shndërruar në monetë për kusuritje në pazarllëqet e tyre edhe territorin e Bosnjës, ngjashëm me atë të trevave etnike shqiptare.
Mendoj, se përgjigja në këto dyshime nuk është diçka e vështirë!
Së pari, si duket nuk e kanë kuptuar apo nuk duan ta kuptojnë, se edhe Serbia po e luanë rrolin e saj të përcaktuar në këtë skenar, të ngjashëm me shumëçka me atë të Krimesë, ku si Kryetari Tomisllav Nikolić, ashtu dhe Kryeministri Aleksandar Vučić, janë deklaruar para medieve, se gjoja „distancohen“ nga synimet e mikut të tyre shpirtëror, Milorad Dodik. Është me interes të theksohet ngjashmëria e sjelljes, jo vetëm e shtetarëve serbiajan, por edhe e mujsharëve ndërkombëtar karshi „distancimeve“ të Slobodan Milošević-it, ndaj Milan Martić, Radovan Karadžić…para se të fillonte kasaphana në Kroaci dhe Bosnje;
Së dyti, mund të besohet me bazë se është bërë ndonjë pazarllëk i mujsharëve ndërkombëtar me Serbinë, me shpresë infantile, se duke i lejuar asaj, tani të aneksoj Republika srbska dhe nesër Zajednicën në Kosovë, helbete do ta shkëpusin nga prehri i ngrohtë i Rusisë.
Së treti, nënbishtet e tyre te verbëruar nga miopia politike shpresojnë së koti, se mos këtë problem do ta zgjedh Bashkësia Ndërkombëtare. Por, sipas të gjitha gjasave, ata harrojnë, pse jo edhe qëllimshëm, se Bashkësia Ndërkombëtare nuk është dëshmuar, apo as që ka dashtë të dëshmohet, se është e zonja të zgjedh as edhe një nga problemet e shkaktuara nga konfliktet e përgjakshme në Botë, jo edhe pa fajin e saj, siç janë p.sh. konflikti ndërmjet dy shteteve koreane, problemi palestinez, situata e pasigurisë në Afganistan, lufta në Irak, në Siri, në Liban, në Libi, në Jemen…etj., nga ku rrjedhin lumenj gjaku nga palët ndërluftuese dhe lotësh nga popullata e pambrojtur dhe e pafajshme civile. Po të ishte ndryshe, nuk do të ndodhte masakra e boshnjakëve të Srebrenicës, në korrikun e vitit 1995, para hundëve të „paqeruajtësve“ të SFOR-t holandez, apo nuk do të ndodhte spastrimi i pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës nga shqiptarët, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, që kryen falangat serbo-çetnike „Rojet e Urës“, para hundëve të KFOR-it francez dhe policisë unmikistaneze…
Në vend të përfundimit të këtij opinioni, po i jap vetës të drejtën të shpreh drojën time: Nuk është larg mëndsh të pritet që pas këtij “distancomi” Serbia të shpërblehet me diçka ngjashëm, siç ishte Marrëveshja e Daytonit, ku pas gjenocidit ndaj kroatëve dhe sidomos ndaj boshnjakëve t; i dhurohej 49% e territorit, sa dyfishi i popullatës serbe në Bosnjës dhe Hercegovinë, apo siç ishin Marrëveshjet e Rambujesë, e Kumanovës dhe ajo e Konçulit, si dhe Plani i Ahtisarit, të gjitha këto të favorshme për Serbinë dhe shumë të dëmshme për shqiptarët, denigruese dhe ofenduese për luftën kundër-pushtuese të UÇK dhe UÇPBM, për dëshmorët, invalidët e luftës, viktimat civile, fëmijët e masakruar, gratë e përdhunuara…!
Prishtinë
14 shtator 2016