Iniciativa Qytetare ka arritur marrëveshje parazgjedhore për formimin e koalicionit me Partinë Demokratike, Lidhjen Demokratike në Mal të dhe Lëvizjen Qytetare Perspektiva, bën të ditur portali, Malësia org. Këshilli është dakorduar që opsioni më i mirë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është që trupi votues shqiptar të komponohet në sa më pak kolona, kështu që votat mos të derdhen, si herëve tjera. Mos të harrohet rasti kur në zgjedhjet e fundit parlamentare 490 votat e një subjekti e lanë Malësinë pa përfaqësues në Parlamentin e shtetit. Po ashtu është marrë parasysh mosrespektimi i marrëveshjeve parazgjedhore në zgjedhjet e fundit, me qëllim që veprimet e tilla të dekurajohen e në këtë mënyrë të kthehet besimi në skenën politike të shqiptarëve në Mal te Zi. Vetëm të bashkuar mund të jemi faktor politik, të ndarë kryejmë punët e të tjerëve, thuhet në kumtesën e lëshuar me këtë rast.
Duhet përmendur që edhe kësaj radhe do të mundohemi të injorojmë subjektet shqiptare të cilat fushatën e organizojnë bazuar ekskluzivisht në sulme ndaj subjekteve të tjera shqiptare, praktikë kjo nga e cila lindin dyshime dhe hapen dezinformata. Prandaj do të mundohemi “t’i vëmë pikën” kësaj dukurie, duke i demantuar ato në mënyrë që qytetarëve t’u jepet mundësia të jenë të mirinformuar në lidhje me çdo gjë. Një nder dezinformatat që qarkullon momentalisht dhe me të cilën subjekte e caktuara po tentojnë të hutojnë elektoratin duke thënë që te ndarë kanë mundësi të marrin mandatin e deputetit. Nëse kemi parasysh që subjekti më i madh shqiptar në Mal te Zi, në zgjedhjet e fundit mori 3600 vota, e që kemi frikë që nuk do të mjaftojë kësaj radhe, atëherë mund të themi që kjo dezinformatë shërben vetëm për të arsyetuar votat që do të derdhen. Në fund, krejt kjo shkon në dëm të përfaqësimit të shqiptarëve. Prandaj edhe një herë, në emrin tonë dhe të koalicionit që përfaqësojmë, ftojmë këto subjekte që të bashkojmë forcat sa nuk është vonë dhe mos të lejojmë që votat shqiptare të derdhën pa nevojë.
Meqenëse jemi të bindur se kjo listë do të fitojë përkrahjen më të madhe të trupit votues shqiptar në Mal të Zi, angazhimi ynë do të jetë i drejtuar në çështjen kombëtare të shqiptarëve në trojet etnike shekullore, e jo vetëm në ato të karakterit lokal, me qëllim që ato t’i aktualizojmë dhe t’i zbusim problemet socio-ekonomike, kulturore dhe ato të identitetit – probleme këto që zvarriten nga viti në vit. Do t’i përmendim disa nga ato: Zgjidhja e statusit të komunës së Malësisë/Tuzit, ullishtat në Valdanos, privatizimi i Kripores, zgjidhja e problemit të simboleve kombëtare, kthimi i mandateve të garantuara për shqiptarët, kthimi i pronave pronarëve të vërtetë dhe rikthimi i shtetësisë për ata qytetar, të cilët janë privuar nga kjo e drejtë pa kërkesën dhe vullnetin e tyre, depolitizimi i KKSH, ulja e papunësisë tek shqiptarët, rritja e investimeve infrastrukturore në trevat shqiptare, e shumë të tjera. Zgjidhja e këtyre problemeve mund të arrihet më së miri përmes subjekteve nacionale dhe assesi përmes subjekteve që këto çështje i kanë vetëm të udhës dhe i përdorin si truke politike para zgjedhjeve.