leoni

Krasniqi: Ideja për korrigjim kufijve është antikushtetuese por nuk është ide e Thaçit, është ide e vjetër e Serbisë

Jakup Krasniqi: Tranzicioni i vonuar drejt demokracisë

 Që nga shpërbërja e sistemeve komuniste në Bllokun e shteteve të Lindjes së Evropës dhe të atyre ballkanike nuk kanë munguar analizat shteruese që objekt parësor trajtimi kanë procesin e tranzicionit të këtyre vendeve drejt sistemeve të mirëfillta demokratike. Nga këndvështrimi i një historiani mendoj se një procesi i tillë duhet të shihet në specifikat e secilit vend veç e veç dhe më pastaj të bëhen analiza krahasuese për ngjashmëritë që do t’i karakterizonte vendet e ndryshme të përfshira në këtë tranzicion. Qëllimi i këtij shkrimi është që të vë theksin në një element: kultura e trashëguar politike si pengesë e madhe e tranzicionit. Kjo kulturë tek ne shfaqet jo vetëm nga pasuesit e saj, por edhe te “kundërshtarët” e saj të fjalëve.

Karakteristikë e përbashkët e kulturës politike të shoqërive postkomuniste është se për më shumë se gjysmë shekulli këto shoqëri kishin kultivuar kultin  e individit, të mishëruar në liderin partiak të pakontestueshëm. Besnikëria ndaj liderit ishte shtylla kryesore rreth së cilës artikulohej veprimtaria politike. Tërë arsenali propagandistik i strukturave shtetërore përpiqej të dëshmonte se “projektet e liderit ishin projekte që i duheshi popullit”, “marrëveshjet që lideri bënte me shtetet tjera ishin marrëveshje të drejta”, madje as guxonte kush që t’i kundërshtonte, “avancimi i besnikëve të partisë në funksionet më të larta shtetërore ishte siguria e vazhdimësisë së linjës së drejtë partiake” e kështu me radhë. Politika shqiptare as pas kaq dekadave nuk po mund të lirohet nga “liderët” e gjithëfuqishëm, liderë të rrethuar nga një makutëri plangprishëse. Rruga e Kosovës në tranzicionin demokratik filloi pas tërheqjes së forcave të okupatorit serb dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë së shtetit, të deklaruar më 17 shkurt 2008. Fatkeqësisht trashëgimia e mënyrës së funksionimit, ku lideri partiak uzurpon tërë hapësirën partiake, do të mbetet forma kryesore e kulturës politike në Kosovën e lirë.

Fillimisht, liderët partiakë marrin në duart e tyre të gjitha segmentet e partisë e të shtetit dhe në vendet kyçe i vendosën njerëzit e dëgjueshëm, të cilët verbërisht iu nënshtrohen urdhrave të liderit. Uzurpimi i partisë është hapi i parë strategjik që të shtrihet pastaj në tërë segmentet e shteti me ardhjen e partisë në pushtet. Si rezultat i kësaj logjike, kulturën tonë politike e dominon politika e interesave të ngushta individuale dhe grupore. Strategjia e interesave të ngushta individuale dhe grupore e polarizoi shoqërinë tonë si në kohën e komunizmit. Por, duke iu përshtatur kontekstit të pluralizmit partiak si “armik i brendshëm” konsiderohet çdo individ apo forcë politike që manifestohet si pengesë për realizimin e planeve të tyre. Mjafton të shihet arsenali propagandistik i kësaj “kulture” politike kundër opozitës në përgjithësi, apo personaliteteve të caktuara në veçanti, për të parë se kultura e moçme e cilësimit të kundërshtarëve të politikës si armiq është tejet e pranishme në “trenzicionin tonë” drejt demokracisë.

Mjafton të shihet se çka u ofrohet qytetarëve tanë sot. Në rrafshin e politikës së jashtme partitë e kultit të individit, që qeverisin Kosovën, mundohen të arsyetojnë pagabueshmërinë e liderëve të tyre edhe në rastet kur marrëveshjet me shtetet tjera u dëshmuan se ishin (dhe janë) në dëm të interesave tona shtetërore. Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, përmes të cilës humbej sovraniteti i shtetit të Kosovës, trumbetohet si “marrëveshje e drejtë” edhe pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e sanksionoi, duke e hedhur poshtë, për shkeljet drastike të Kushtetutës së vendit. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi u dëshmua nga ekspertët e pavarur dhe madje edhe të disa anëtarëve të parive në pushtet se është marrëveshje që cenon rëndë integritetin territorial të Kosovës. Megjithatë, partitë e kultit të individit dhe argatët e tyre vazhdojnë propagandën se liderët e tyre janë të pagabueshëm, se liderët e tyre bëjnë marrëveshje në interes të popullit etj. Sipas “logjikës” lideriste, fajim për mosrealizimin e këtyre marrëveshjeve e ka opozita, e cila po e pengon jetësimin e tyre si dhe po e pengon në realizimin e shumë projekteve të tjera!

Dukuritë negative, që kanë skandalizuar opinionin publik të Kosovës, si kapja e shtetit nga interesat grupore, familjarizmi, nepotizmi dhe avancimi i kuadrove që janë të dëgjueshme, është në përputhje të plotë me “kulturën” politike të interesave të ngushta individuale dhe grupore.

Që të dilet nga kjo gjendje e rëndë politike dhe ekonomike, Kosovës i duhet një kulturë tjetër politike: kultura politike e synimeve të qarta demokratike. Këtë kulturë e karakterizon interesi për ndërtimin e një shteti të mirëqenies së përgjithshme shoqërore, ku secili individ do të mund të kishte mundësitë që të shpaloste dhe realizonte kapacitetet e veta intelektuale dhe profesionale pa cenuar të drejtën e askujt. Kjo kulturë do të hapte mundësitë e mobilizimit të potencialit të përgjithshëm kombëtar për t’u dhënë përgjigje problemeve të shumta me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë. Pa një kulturë të tillë dhe pa bojkotimin shoqëror të logjikës lider-parti-shtet nuk mund të realizohet tranzicioni i Kosovës nga trashëgimia e kaluar në sistem të mirëfilltë demokratik. Gjërat janë të qarta, aty ku nuk ka sistem demokratik, nuk ka sundim të ligjit, nuk ka zhvillim ekonomik e as drejtësi sociale dhe për pasojë nuk ka as shtet të se drejtës.Ish-shtetet e Bllokut Lindor të Europës si dhe të shumtën e shteteve Ballkanike, me gjithë vështirësit që kishin, kanë vajtur përpara me tranzicionin e tyre, ndërsa ne për  shumë cka po vendnumërojmë, të mos themi po kthehemi shumë mbrapa kur zotëronte mania e kultit të individit…

Dëmet për tranzicionin e vonuar në zhvillimin e Kosovës drejt një shteti të mirëfilltë demokratik janë të pallogaritshme!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …