Qeveritarë e lartë dhe analistët e integrimeve evropiane kanë vlerësuar se, nëse i përmbush kriteret e kërkuara, Kosova do ta ketë më lehtë që këtë vit ta marrë liberalizimin e vizave. Ata kanë paralajmëruar se, nëse kjo çështje prolongohet sivjet, viti 2017 do të jetë më problematik që të arrihet ky synim, duke shtuar se BE-ja ka prirje që vitin e ardhshëm të merret më shumë me problemet e saj të brendshme. “Një vendim për liberalizim të viza e shoh si mjaft të vështirë në situatën në të cilën jemi. Por kjo do të bëhet më e vështirë në vitin që vjen për shkak të krizës nëpër të cilën po kalon BE-ja. Siç ka thënë edhe presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, BE-ja është në një krizë ekzistenciale. Kjo e konfirmon atë se nëse liberalizimi prolongohet këtë vit, është e vështirë që vitin e ardhshëm ta kemi një vendim tjetër për këtë çështje”, ka thënë për “Epokën e re” njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani.
