Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në mbledhjen e 7-të të Bordit për Projektin “Ndihma për projektin e Tregtisë”, të organizuar nga UNDP-ja. Në fjalën e saj, ministrja Hykmete Bajrami theksoi se qëllimi i këtij projekti është që të rritet konkurrueshmëria e ndërmarrjeve tona, në mënyrë që t’u ofrohet bizneseve të vogla qasje në treg, gjë që sot për të gjitha ndërmarrjet jo vetëm në Kosovë, por për të gjitha ndërmarrjet është një nga sfidat kryesore për shkak të konkurrencës së madhe që është gjithandej për shkak të globalizimit të ekonomisë së hapur. “Gjendja e ekonomisë së Kosovës ka disa përmirësime, ku dy vitet e fundi kemi bërë progres, mirëpo ka shumë për të bërë kur je në një vend ku ka mbi 30 për qind papunësinë, që ka pjesën më të madhe të popullsisë së re dhe se popullsia në mesin e të rinjve arrin shifra të konsiderueshme, që është sfiduese dhe se secila mbështetje që vjen për ta zbutur këtë problematikë është më se e mirëseardhur dhe duhet të përkrahet nga cilido institucion, qoftë nga niveli qendror apo nga niveli lokal”, u shpreh ministrja Bajrami. Ajo, po ashtu tha se ne për herë të parë në Kosovë kemi bërë progres në përpilimin e disa dokumenteve shumë të rëndësishme, siç janë: strategjia kombëtare për zhvillim ekonomik, programi për reformat ekonomike, planin kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asociim, kështu që projekti deri më tani ka pasur ndikimin e tij, sidomos në disa departamente dhe agjencione brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Në mes tjerash, ministrja Bajrami ritheksoi se jemi falënderues për gjithë punën që është bërë për studimet e profileve të ndryshëm dhe se presim që edhe në sektorët që kanë mbetur t’i përfundojmë, duke mos e anashkaluar edhe përkrahjen që iu është dhënë agjencisë KIESA dhe Divizionit të Turizmit, që funksionojnë në kuadër të MTI-së. “Ne duke parë rëndësinë që e ka pasur projekti, me 14 shtator kemi nënshkruar një marrëveshje ku kemi paraparë, një projekt për ndarjen e kostos për aktivitete, të cilat do të implementohen nga UNDP-ja, pasi që këtu bëhet fjale për një vazhdim të projektit, në një shumë prej 136 mijë eurosh. Në studimet e që i kemi pasur kemi menduar që projektit është shumë i rëndësishëm dhe në mungesë të fondeve nuk duhet që të përfundojë dhe se kemi gjetur një formë që ky projekt të zgjatet për një kohë, duke besuar se ne do të arrijmë të gjejmë fonde edhe pas shpenzimit të këtij buxheti modest nga Ministria kemi menduar ta vazhdojmë projektin”, potencoi ministrja Bajrami. Në fund të fjalimit të saj, ministrja Bajrami kërkoi nga UNDP-ja, që ta mbështesin Kosovën në anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, qoftë për përgatitje të aplikacionit , qoftë edhe për mbështetjen në lobim.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës
Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …