leoni

Krasniqi: Ideja për korrigjim kufijve është antikushtetuese por nuk është ide e Thaçit, është ide e vjetër e Serbisë

Jakup Krasniqi: Agresiviteti i qeveritarëve me dy standarde

Pothuajse në të gjitha mediet qarkulluan dje dy lajme të cilat u vlerësuan kërcënuese. Konkretisht, deklaratat e Albin Kurtit dhe e Marko Gjuriqit. Për deklaratën e të parit pati një interesim të veçantë, nisur nga të parët  e vendit dhe nga e gjithë hapësira mediale. Ndërsa për deklaraten e të dytit, pati vetëm një interesim medial në suaza të kufizuara.  Për deklaratën e Albinit pati edhe vlerësime interesante e mjaft kontradiktore nga i njëjti individ. Si p.sh. “vlerësim qesharak, serioz dhe shumë i rrezikshëm”?! Logjikisht, kur për diçka thuhet se është qesharake, ajo nuk mund të jetë njëkohësisht edhe serioz dhe aq më pak shumë e rrezikshme!

T’i lëmë këto “çikërrima” e ta shohim se çka tha Albin Kurti. Ai në një tribunë debati paska thënë: “Mos harroni se në vitin 1998 në Kosovë ka pasur luftë, por në Prishtinë ka mundur të mos ketë. E mbaj mend shumë mirë se në Prishtinë ka pasur paqe, por në Drenicë, Dukagjin e Llap ka pasur luftë. Kur po them luftë, nuk po them se lufta vjen në Prishtinë, por ajo ndodh atje ku është kontesti kufitar e territorial”. (“Zëri”). Kjo, edhe mund të konsiderohet njëfarë kërcënimi, më tepër për qeveritarët tanë, të cilët po këmbëngulin për ratifikimin e demarkacionit kështu siç është, pra, në këtë rast Albini kërcënimin e ka të tipit preventiv, meqenëse ai kërkon rivlerësimin e demarkacionit me Malin e Zi. Pra, nuk është një kërcënim që i drejtohet Malit të Zi, pasi problemin nuk e kanë shkaktuar qeveritarët malazezë.

Është interesante, se po të njëjtën ditë u bë e ditur, u publikua edhe deklarata e Marko Gjuriqit në Graçanicë, ku para qytetarëve serbë paska thënë: “Komuna e Graçanicës për më shumë se një dekadë është kthyer në oazë të serbëve të mbetur në Kosovë e Metohi, dhe për këtë, ata që qëndrojnë në këtë komunë paraqesin një prej shtyllave të qëndrimit në Kosovë e Metohi. Festa e sotme, është rast i mirë për të dërguar porosinë se Serbia pa Kosovën e Metohinë nuk ka kuptim”. (“Koha ditore”). Dhe për çudi, asnjë zyrtar i shtetit nuk e mori mundin për të bërë një kundërpërgjigje të butë ndaj kërcënimit objektiv të këtij zyrtari shtetëror të Serbisë! Përkundrazi, ata sikur nuk paskan dëgjuar gjë duke futur lesh në vesh, siç thuhet në zhargonin popullor!

Nuk ka asnjë dyshim, deklarata e Gjuriqit ishte kryekreje në vijën e politikës serbe të krijuar (komponuar) nga kryekrimineli Millosheviq, arkitekti i katër luftërave në hapësirat e ish-Federatës Jugosllave. Ta sjellim edhe një herë në kujtesë, fjalinë e fundit të citatit të mësipërm, i cili thotë: “Festa e sotme është rast i mirë për të dërguar porosinë se Serbia pa Kosovën e Metohinë nuk ka kuptim”.  Deklarata të kësaj natyre shqiptarët kanë dëgjuar në mënyrë permanente që nga pranvera e vitit 1981 e gjithë deri në qershorin e vitit 1999. Se çka ka ndodhur pas atyre deklaratave e thirrjeve luftënxitëse e dimë të gjithë dhe mbase i kemi e duhet t’i kemi më shumë se të freskëta. Duhet thënë se fjala e Gjuriqit tingëllon shumë e përafërt me fjalën e Millosheviqit të thënë me 24 prill 1987 në Fushë Kosovë. Atëherë Millosheviqi thoshte: “Mbase nuk do ta leni tokën tuaj, ngase në të vështirë jetohet, se ju kanë shtrënguar padrejtësitë e nënçmimet. Nuk ishte asnjëherë veti e popullit serb e malazez të tërhiqen para vështirësive, të çmobilizohen kur duhet të luftojnë, të demoralizohen kur është vështirë.” (“Rilindja”, 26 prill 1987). Ndërsa dy vjet më vonë ai e ngre fitilin ndezës të luftës. Këtë e bëri në Gazimestan në jubileun e 600-vjetorit të Betejës se Kosovës, kur tha: “Gjashtë shekuj më vonë, pra sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave…”. (“Rilindja”, 29 qershor 1989).

Se çfarë ndodhi më pas në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë dhe më vonë, sidomos pas 9-10 vjet zhvillimesh edhe në Kosovë, e dimë të gjithë. Kosova qe shndërruar në tokë të djegur e varre masive, gra të dhunuara, shtëpi të djegura me njerëz brenda dhe me mbi një milion njerëz të dëbuar nga vatrat e tyre! Nga kjo gjuhë duhet pasur vëmendje të shtuar qeveritarët tanë e jo nga gjuha e Albinit, që kryesisht është gjuhë për pushtet e mbrojtje të tërësisë territoriale, por nuk është gjuhë për pushtimin e tokave të huaja.

Heshtja e qeveritarëve të sotshëm s’ka si të mos na i kujtojë “liderët” e atëhershëm, duke qenë se këta të sotshmit kanë halle më të mëdha personale – pasurimin dhe mbijetesën e tyre politike! Janë vënë në mbrojtje të vetvetes e jo të Kosovës. Heshtja e zyrtarëve të shtetit tregon qartë se qeveritarët tanë janë shumë agresivë brenda llojit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …