Nesër më 24 shtator 2016, në orën 12.00, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë përurohet libri, “Gjashtë ditë sa një jetë” i autorit, Apostol Duka. Ky libër i kushtohet jetës dhe veprës së dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Labinot Krasniqi, i cili ka rënë heroikisht më 6 qershor të vitit 2001, në Mateq të ish-RJ të Maqedonisë.
Apostol Duka, një emër i mirënjohur i letrave shqipe, librin për dëshmorin, Labinot Krasniqi e ka shkruar me një qasje të veçantë, jo vetëm përkushtuese për dëshmorin dhe familjen Krasniqi. Duke qenë njohës i letërsisë dhe i mundësive të shumta të shprehjes që lejon teoria bashkëkohore letrare, ai në hartimin e librit ka shfrytëzuar një gamë të gjerë pasqyrimesh, në dukje dhe në mbarështim dokumentar, por të stisur me mjete letrare e artistike, të cilat begatojnë veprën, duke e pasqyruar me modalitete ndërlidhëse, krijuese, përmes një gjuhe të pasur e të motivuar astistikisht. Jeta dhe vepra e dëshmorit, Labinot Krasniqi është studiuar në sinkroni e diakroni, me të kaluarën e të sotmen familjare e shoqërore, historike e atdhetare, duke i shkrirë të gjitha njësitë fragmentare në një tërësi mbresëlënëse, e cila i përballon kohës, ashtu sikur gjaku i dëshmorëve, që mbetet i pashlyer në përjetësi. Përmbajtjen dhe tërësinë e librit e kanë begatuar edhe disa emra të njohur të rezistencës sonë kombëtare, të cilët kanë dhënë kontribut në begatimin e lëndës përmes rrëfimeve, pasqyrimit real të fakteve që kanë sjellë për dëshmorin, familjen Krasniqi nga Carralluka e Malishevës dhe luftën heroike të tri ushtrive tona çlirimtare. Libri ka 350 faqe. Është mjaft i begatuar me burime dhe ilustrime dokumentare. Shtypi Grand Prind, në Tiranë. (A.Q.)