Ndaj qëndrimit tim që publikova më 21 shtator në profilin tim të FB lidhur me Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi pati reagime të ndryshme. Një numri reagimesh u jam përgjigjur drejtpërdrejt. Reagimi i Ibrahim Kelmendit nuk ishte thjesht një koment. Por, lirisht mund të cilësohet si shkrim në kuadër të komenteve të shkrimit tim. Është një shkrim që sjell shumë konstatime arbitrare pa shpalosur as argumentin më të vogël. Prandaj ky reagim kërkon një përgjigje më të gjatë dhe për këtë arsye po e publikoj si qëndrim të veçantë. Përgjigjen time ndaj këtij shkrimi e bëj duke respektuar rendin kronologjik të temave që shtron Ibrahim Kelmendi:
Në rend të parë po ndalem te mospajtimi që Ibrahim Kelmendi i bën qëndrimit tim se në rastin e demarkacionit të kufirit kemi një konflikt në mes qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës. Ky qëndrim për Ibrahim Kelmendin nuk është “aspak korrekte! Konflikti është vetëm mes Jush, pozitës sundimtare dhe opozitës që synon pushtetin” konstaton Ibrahim Kelmendi. Për çdo njërin është e qartë se këtu nuk kemi pyetje por konstatim që meriton të trajtohet si i tillë. Në konstatimin e Ibrahim Kelmendit, krahas vlerësimit subjektiv që shpreh qëndrimin e tij personal rreth kësaj çështjeje se “çka është korrekte dhe çka nuk është korrekte” ai “zbuloi” arsyet pse qëndrimi im nuk qenka “aspak korrekt”! Sipas tij : “Konflikti është vetëm mes pozitës sundimtare dhe opozitës që synon pushtetin”!!!
Së pari, nuk e kuptoj zellin që ka për të zëvendësuar fjalët e mia me fjalët e tij, si në rastin e zëvendësimit të fjalës “problem” me fjalën “konflikt”. Po nejse, vazhdojmë më tej.
Për secilin lexues të vëmendshëm është e qartë se kur unë them se versioni aktual i marrëveshjes për shënim të kufirit me Malin e Zi “nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, por mes qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës”, nuk kam folur në emrin e Ibrahim Kelmendit e as në emër të atyre që haptazi mbronin faljen e territorit të Kosovës Malit të Zi. Por, për çdonjërin që dëshiron të shohë drejtë është e qartë se unë flas për të gjithë ata që kanë kundërshtuar këtë Marrëveshje. Unë kam të drejtë të them se kam folur si njëri në mesin e mbi 205.000 qytetarëve, nënshkrues të peticionit kundër versionit aktual të marrëveshjes. Dhe secili prej nënshkruesve të këtij peticioni ka të drejtë të pohojë se ne të gjithë së bashku mendojmë njëjtë rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Pos peticioni, si pjesëmarrës aktiv i katër protestave në të cilat morën pjesë me dhjetëra mijëra qytetarë kundër kësaj marrëveshje, kam të drejt të shpreh mendimin se ne të gjithë mendonim njëjtë rreth kësaj çështjeje.
Ibrahimi, meqë jeton në Gjermani, po i përmend praktikat që përdoren në Gjermani. Ai e di që anketat janë një instrument i besueshëm për të matur vullnetin e qytetarëve për çështje të caktuara. Kështu për shembull, me një probabilitet gabimi plus\minus 3%, anketat e ZDF politbarometër, tregojnë tendencat e qytetarëve gjerman për të marrë qëndrime rreth çështjeve për të cilat pyeten.
Edhe në Kosovë për temën e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi janë mbajtur anketa, jo nga ne opozitarët, por nga organizata ndërkombëtare të besueshme, të nivelit të besueshmërisë së ZDF politbarometër. Këto anketa tregojnë se versioni aktual i qeverisë së Kosovës është i pa pranueshëm për më shumë se 80% të qytetarëve të Kosovës. Besoj që po të përkthehet ky 80% i qytetarëve të Kosovës, në përqindjen e qytetarëve shqiptar të Kosovës, rezultati mund të jetë edhe mbi 90% kundër. Shpresoj që këtu edhe Ibrahim Kelmendi do të jetë dakord.
Pra, bazuar edhe në rezultatet e anketave, unë me plot të drejtë mund të konstatoj se mendimi im që ky: “Nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi, por mes qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës”, është i saktë. Saktësinë e këtij qëndrimi Ibrahim Kelmendi e hedh poshtë pa sjellë asnjë argument, por ndoshta mendon se vlerësimi i tij subjektiv (që cilëson qëndrimin tim si “aspak korrekt”) mjafton për t’u pranuar si argument! Unë solla fakte që askush nuk mund t’i kontestojë me argumente. Është e drejtë e Ibrahim Kelmendit të shprehë mendimin e vet, por është korrekte që së paku kur nuk sjell argument të shprehet haptazi se vlerësimet e tij janë subjektive.
Në vazhdim, Ibrahim Kelmendi pohon se është e vërtetë se deri tani, marrëveshja “nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi”. Por, ai insiston të dijë se çka do të ndodhë në të ardhmen nëse do të merreshim vesh për të mos e ratifikuar marrëveshjen. Ibrahimin e “preokupon” si do të vepronte Mali i Zi në këtë rast. A do të tërhiqet nga kjo marrëveshje?
Në këtë rast Ibrahim Kelmendi bën një hap pozitiv: pranon që së paku deri tani nuk është problem mes Kosovës dhe Malit të Zi. Të lëshohesh në fushën e spekulimeve se çka do të ndodhë në të ardhme nuk është asgjë tjetër pos të shprehësh mendimet tua personale. Unë, nga pikëpamja ime kam të drejtë të mendoj se edhe në të ardhmen Mali i Zi nuk ka interes të nxjerrë probleme për tokën që nuk i takon. Unë besoj se në rast të mos ratifikimit të kësaj marrëveshjeje nuk ka alternative tjetër përveç bashkëpunim për të gjetur mënyrën përmes të cilave do të vinim te një rezultat i pranueshëm. Në rast se nuk ka gatishmëri nga cilado palë për të punuar bashkë që të arrihet një zgjidhje, atëherë mbetet arbitrazhit ndërkombëtar si mjet.
Sa i përket dimensionit ndërkombëtar të kësaj çështjeje Ibrahim Kelmendin e ka “rrokur sikleti” se si do të sfidohen Brukseli e Washingtoni, të cilët e paskan “sponsorizuar” këtë marrëveshje dhe po insistojnë që të ratifikohet. Insistimi për t’u miratuar marrëveshja në versionin aktual është shumë më tepër insistim i Qeverisë së Kosovës se sa i Washingtonit dhe Brukselit. Kam bindjen e plotë se hedhja poshtë e kësaj marrëveshjeje nga Kuvendi do të mobilizonte edhe Washingtonin dhe Brukselin që të fillonte një proces i ri për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për këtë çështje. Së paku praktika të ngjashme kanë ndodhur shumë shpesh edhe ndaj vendeve të ndryshme.
Për fund po trajtoj spekulim e Ibrahim Kelmendit lidhur me përqindjen e sigurisë që duhet të ketë një deputet kur voton vendime në Kuvendin e Kosovës. Unë e mbroj me këmbëngulësi se për të votuar një marrëveshje ndërshtetërore si ajo për dhënien e territorit të Kosovës një vendi tjetër duhet të jesh 100% i sigurt se nuk gabon. Përndryshe gabimet i kushtojnë shumë kombit tonë jo për një mandat të deputetit por për një periudhë të gjatë historike (për të mos thënë përjetësisht).
Deputetët e Kosovës kanë votuar edhe vendime që kanë qenë të pasigurt për saktësinë e votës së tyre. Po përmend rastin e votimit për krijimin e Gjykatës Speciale, përmes së cilës humbej sovraniteti i Kosovës mbi sistemin e tij juridik. Pasi hodhën poshtë Projekt ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës Qeveria e Kosovës bëri çdo gjë për ta rikthyer Projektin në Kuvend. Herën e dytë një numër deputetësh që kishin votuar kundër “ndryshuan” votën e tyre dhe miratuan propozimin e qeverisë. Ky vendim do të ketë pasoja për reputacionin e Kosovës ndërsa sa u përket fateve individuale që do të goditen nga ky votim është çështje subjektive që nuk do ta përmendi fare, sepse si e tillë varet nga perceptimi i gjërave (ajo që për dikë është e dhembshme, për dikë tjetër mund të duket e drejtë). Megjithatë, sado i rëndë të jetë vendimi për Gjykatën Speciale është vendim i përkohshëm që mund të zgjasë 10 vjet, 20 vjet, 50 vjet maksimum. Vendimi për kufirin mund të zgjasë me shekuj apo mijëvjeçar.
Situata e krijuar nga marrëveshja e gabuar e Qeverisë së Kosovës nuk është rezultat i luftës partiake për pushtet, siç pretendon Ibrahim Kelmendi. Por, rezultat i një politike qeveritare të “kapur” dhe të “shantazhuar” në shumë sfera. Meqenëse ma kërkoi përgjigjen se si e shoh daljen nga ky ngërç po i përgjigjem Ibrahim Kelmendit shkurt: Hedhja e marrëveshjes nga ana e Kuvendit të Kosovës do t’i hapë rrugë gjetjes së një zgjidhjeje qoftë në negociata të reja me Malin e Zi, qoftë përmes një vendimi të Gjykatës për arbitrazh ndërkombëtar.
Me kaq po i jap përgjigje çështjeve që shtroi Ibrahim Kelmendi në shkrimin e tij si reagim ndaj shkrimit tim dhe vetëm për ato çështje që më përkasin mua.