A ka zog në burg?”,- Fatos Krasniqi, nga fshati Fatos (ish- Negrofc) i komunës së Drenasit, e kishte pyetur disa herë të atin, Sherifin, gjatë vizitave që ia bënte atij në burgun serb të Pozharevcit.
Ai ishte fëmijë kur e kishte shtruar këtë pyetje, nga kureshtja për të ditur më shumë për burgun ku bashkë me babanë e tij po mbaheshin mijëra të rinj shqiptarë, të cilët në vitin 1981 kishin kërkuar statusin e republikës për Kosovën. Atë kohë, Sherifi ishte dënuar me 10 vjet burg.
Fatosi kishte pasur fatin, si shumë fëmijë të tjerë, të rritej e të burrërohej me ndjenjën e dhembjes, por edhe të krenarisë për babanë e burgosur. Kjo rrethanë do të ndikojë që tek ai të formohej shpirti kryengritës, i cili do ta luftonte robërinë e popullit e të vendit të tij. Në edukimin atdhetar kishte ndikuar edhe rrethana tjetër e konfliktit me pushtetin okupues jugosllav. I gjyshi, Avdullahu, në vitin 1953 ishte dënuar me një vit burg për shkak të demaskimit të Titos, si kryetar i Jugosllavisë së atëhershme. Duke qenë bir i një familjeje atdhetare e irredentiste, Fatosi, së bashku me të vëllanë, Agimin, qysh si nxënës i shkollës së mesme në Drenas, trajtohet shumë herë nga policia jugosllave. Ai merr pjesë në protestat dhe demonstratat e organizuara më 1989 e 1990, në Drenas.
Në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë, Fatosi ishte duke punuar punë fizike në rrethinën e Tetovës. Mirëpo, me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai menjëherë iu përgjigj zërit të atdheut dhe beteja e UÇK-së kundër forcave serbe në Likoshan, në shkurt të vitit 1998, atë e gjen në Kosovë. Pas kësaj ngjarjeje, ai u bashkohet radhëve të UÇK-së. Pas një kohe të shkurtër formon celulën e UÇK-së në fshatin Fatos (ish-Negrofc), në kuadrin e njësitit “Pëllumbi”, i cili udhëhiqej nga Ferat Shala. Si pjesëtar i këtij njësiti, me zgjerimin e fronteve të luftës, ai do të marrë pjesë dhe do të shquhet për trimëri e shkathtësi në shumë aksione e beteja kundër pushtuesit.
Është e njohur beteja e zhvilluar më 26 prill të vitit 1998 në mes të fshatrave Balincë e Gjergjicë, me ç’rast pjesëtarët e njësiteve “Pëllumbi” e “Lumi” sulmojnë forcat e motorizuara serbe, në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë. Në këtë aksion, në mesin e luftëtarëve Mehedin Morina, Imer Krasniqi, Gani Krasniqi, Ilmi Shala, Ferat Shala, Sokol Krasniqi, Hysni Kilaj e të tjerë, mori pjesë edhe Fatosi. Në vijën e frontit, atë do ta gjejnë edhe betejat e mëvonshme të zhvilluara në këtë trevë. Me heroizëm ka luftuar edhe me rastin e marrjes së Grykës së Llapushnikut dhe të bllokimit të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë në këtë grykë, më 9 maj të vitit 1998.
Pas rënies së Grykës së Llapushnikut nën kontrollin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatosi angazhohet në detyrën e policit ushtarak për të mbikëqyrur terrenin nga Llapushniku deri në fshatin Mleçan të komunës së Malishevës. Stërvitjet e nevojshme në kuadrin e policisë ushtarake, në fshatin e tij i kishte bërë bashkë me eprorin e njohur Agim Çela. Në këto stërvitje kishin marrë pjesë edhe bashkëluftëtarët e tij Ejup Thaçi, Smajl Krasniqi, Mexhit Shala, Rafet Sopi e të tjerë, me të cilët ishte i pandashëm në çdo betejë. Në këtë kohë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, detyra të caktuara për furnizimin e njësiteve ushtarake të zonës kishte edhe i ati i Fatosit, Sherifi. Në këtë detyrë, bashkë me policin tjetër ushtarak Ismail Krasniqi, atë shpesh e shoqëronte edhe Fatosi.
Me rastin e sulmit të ndërmarrë nga forcat serbe për zhbllokimin e Grykës së Llapushnikut, më 24 e 25 korrik të vitit 1998, Fatosi, sikurse edhe bashkëluftëtarët e tij, bën rezistencë spartakiane në mbrojtje të kësaj gryke. Me rënien e Grykës, Fatosi, krahas ushtarëve Sokol Krasniqi, Hysen Isufi e Ejup Thaçi nga fshati Potërk, tërhiqet i fundit nga pozicionet, pasi nga atje arrihet tërheqja e trupave të të rënëve, Imer Alushani e Ali Zogaj dhe e të plagosurve të tjerë. Në momentin e fundit, sulmon edhe një tank të ushtrisë serbe. Treva ku vepronte njësiti i Fatosit kishte pozitë strategjike për UÇK-në. Territori i saj shërbente si korridor nëpër të cilin bartej armatimi, që sillej nga Republika e Shqipërisë, por edhe nga zonat e tjera për në zonën e Drenicës, të Shalës e të Llapit. Ai kishte përcjellë edhe grupet e ushtarëve e të kadetëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët shkonin për të marrë armatim në Republikën e Shqipërisë. Ndër grupet, shtigjet e të cilëve deri në vendin e caktuar i kishte siguruar Fatosi, ishte edhe ai i udhëhequr nga komandanti Fadil Gashi. Në këtë grup prej 131 ushtarësh e kadetësh ndodhej edhe djali i axhës së Fatosit, Avdullahu.
Në verë dhe në fillim të vjeshtës së vitit 1998, forcat e pushtuesit kishin ndërmarrë sulme të ashpra në të gjitha zonat e luftës në Kosovë. Këtyre sulmeve po iu kundërpërgjigjej fuqishëm edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në këto kundërpërgjigje, i paluhatshëm luftonte edhe Fatos Krasniqi. Ai marshonte i vendosur në rrugën drejt lirisë, ngase ishte i bindur në fitoren, e ajo nuk mund të arrihej pa sakrificë e pa gjak dëshmorësh. Vetëm disa ditë para tij, në fushën e nderit kishte rënë njëri prej komandantëve të famshëm të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, së bashku me bashkudhëtaren e tij të jetës e të luftës, Xhevë Lladrovci. Duke e ngushëlluar të ëmën e vet, Manën, për këto rënie, Fatosi i thotë asaj: “Nënë, këta fëmijë duhet të jetojnë në liri, por liri nuk do të ketë përderisa të mos derdhet gjak e të mos ketë rënie”.
Më 25 shtator të vitit 1998, militarët serbë kishin ndërmarrë një aksion në shkallë të gjerë në zonën e Drenicës, përreth Grykës së Llapushnikut e të malit Kozmaç, Fatos, Vuçak, Damanek, Potërk, Tërdefc e Baicë. Kozmaçi ishte shndërruar në një fortifikatë të UÇK-së, ndërkohë që gjithandej rreth tij ndodhej popullata civile. Armiku e kishte rrethuar këtë fortifikatë nga të gjitha anët. Në këtë rrethim, numër i madh i forcave serbe arrijnë të depërtojnë pas shpinës së UÇK-së, nga ana e Potërkut dhe e Damanekut, me ç’rast pjesëtarët e UÇK-së detyrohen të tërhiqen nga një pjesë e pozicioneve. Të nesërmen, betejë e ashpër zhvillohet edhe te vendi i quajtur Podi i Kozmaçit, midis çlirimtarëve dhe forcave të shumta pushtuese, të cilat arrijnë nga drejtimi i fshatit Baicë. Në këtë betejë, Fatosi dhe bashkëluftëtarët e tij ndeshen ballë për ballë me forcat serbe, duke vrarë shumë prej tyre. Nga pozicionet te vendi i quajtur Guri i Zebnikut, ai sulmon edhe forcat e tjera të këmbësorisë serbe që po arrinin nga të gjitha anët e Drenicës, nga drejtimi i Tërdefcit. Luftimet kundër këtyre forcave ishin zhvilluar në një largësi prej rreth 20 metrash. Rreth orës 15,20 minuta, derisa po mbushte karikatorin e ri të automatikut, Fatosi goditet nga arma serbe, duke hyrë kështu në përjetësi. Në këtë rast, përbri tij plagoset ushtari Imer Shala nga fshati Vuçak. Disa orë më parë, në mes kodrave Gradinë e Kikaj, kishin rënë edhe bashkëluftëtarët e tij, Ilaz Javori nga Llazica dhe Skënder Shala nga Vuçaku.
Pas rënies së dëshmorit Fatos Krasniqi, armatimin e tij e marrin bashkëluftëtarët (revolen, Avdullah Krasniqi, ndërsa automatikun dhe dy bombat e fundit, ushtarja Melihate Hoxha). Trupi i dëshmorit tërhiqet nga vendi i rënies, të nesërmen pasdite, më 27 shtator, dhe varroset gjatë natës, në varrezat e lagjes Krasniqi në fshatin Negrofc, i cili më vonë do të marrë emrin e dëshmorit.
Rivarrimi i trupit të dëshmorit Fatos Krasniqi bëhet në përvjetorin e parë të rënies, në varrezat e fshatit, krahas trupave të 10 dëshmorëve e të martirëve të tjerë të këtij fshati. Pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njësiti ku kishte bërë pjesë dëshmori Fatos Krasniqi shndërrohet në Kompaninë e Parë të Batalionit të Tretë të brigadës 113 “Mujë Krasniqi”. Gajtë kohës së luftës, Fatosi përdorte minahedhësin e tipit “Zola” dhe pushkën automatike, por si armë të pandashme i kishte edhe revolen dhe bombat e dorës. Këto armë ai i kishte shkrepur në sa e sa beteja kundër pushtuesit, duke dëshmuar se ishte një fatos i vërtetë.
Në shenjë nderimi të heroizmit e të sakrificës sublime, më 6 mars të vitit 2000, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, duke u mbështetur në Dekretligjin nr. 122 për përcaktimin e statusit, të miratuar nga QPK-ja, Fatosin e ka shpallur dëshmor. Për gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës, dëshmorit i është dhënë Mirënjohje nga Kuvendi komunal i Drenasit, mirënjohje e tillë i është dhënë edhe nga shkolla e fshatit, në ndërtimin e së cilës kshte kontribuar edhe Fatosi. Ministria e Mbrojtjes e QPK-së i ka dhënë “Nderim” familjes së dëshmorit Fatos Krasniq, ndërsa emri i tij i është vënë fshatit të lindjes.
Dëshmori Fatos Krasniqi, me veprën e tij sublime ka hyrë në përjetësi, ndërsa në kujtesën e të afërmve, të shokëve e të të gjithë atyre që e kishin njohur, ka mbetur i paharrueshëm. Ai sot nuk kujtohet vetëm përmes orës së dorës, e cila ruhet nga familja si relikt i tij, por edhe përmes virtyteve të shumta, si fëmijë i dashur e i zgjuar, si nxënës shembullor në shkollën fillore të fshatit e në atë të mesme në Drenas dhe si student i Shkollës së Lartë Teknike në Ferizaj. I adhuronte këngët epike e heroike dhe dinte t’i binte qiftelisë. Ishte anëtar i shoqërisë kulturore-artistike “Zëri i malësorit” në fshatin e lindjes.
Veprën e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatos Krasniqi, sot e nderon çdo liridashës i kombit tonë, e nderojnë prindërit që e kanë rritur dhe edukuar, e nderojnë vëllezërit Agimi e Arbëri dhe motra Shqipja. Kujtimin për të do ta ruajë përjetë shoqja e jetës, Vjollca, e cila rrit me përkushtim dy filizat e saj, Herolindën dhe Altinin, duke u dhënë atyre bashkë me ushqimin edhe ndjenjën e krenarisë për babanë e rënë dëshmor.