Samantha Power: Lufta e Rusisë në Siri nuk është luftë kundër terrorizmit, por është barbari

Samantha Power: Lufta e Rusisë në Siri nuk është luftë kundër terrorizmit, por është barbari

Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kritikuar Rusinë për veprimet e saj në Siri, në mes të intensifikimeve të fushatës së bombardimeve në qytetin verior Halep. “Atë që po e sponsorizon dhe po e bën Rusia nuk është kundër terrorizëm, por është barbarizëm”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Samantha Power, në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit me 25 shtator. Power tha gjithashtu se regjimi i presidentit Bashar al – Assad dhe aleati i tij Rusia “kanë lënë mbeturina nga ajo që ka mbetur nga një qytet ikonë e Lindjes së Mesme”. “Në vend të paqes, Rusia dhe Assad bëjnë luftë”, tha ajo. “Në vend të ndihmave për Sirianët, që shpëtojnë jetë, Rusia dhe Asaad po bombardojnë spitalet dhe ata që po ndihmojnë në shpëtim”. Ambasadorja e SHBA-së pastaj i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit “të gjejë kurajën dhe të thotë se kush është përgjegjës, si dhe t’i thotë Rusisë njëzëri të ndalojë”.

Takimi i Këshillit të Sigurimit, i kërkuar nga Britania, Franca dhe SHBA-ja, vjen pasi regjimi i Sirisë shpalli javën e kaluar një ofensivë të re kundër Alepos lindore, ku rreth 275.000 njerëz jetojnë. Të paktën 231 civilë janë vrarë nga dhuna në qytetin e rrethuar dhe paralagjet e tij, që kur armëpushimi një javor, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Rusia, u prish më 19 shtator, sipas Obesrvatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani të Madhe. Ambasadori rus, Vitaly Churkin tha në takim se forcat siriane kanë provuar që të largojnë terroristët nga Aleppo, duke dëmtuar sa më pak të jetë e mundur qytetarë – por pa thënë se forcat ruse ishin të përfshira në bombardimet ajrore.

Churkin tha se ekziston një korridor humanitar nëpër të cilin mund të largoheshin banorët, por ai u bllokua nga rebelët.Ai fajësoi grupet e armatosura opozitare për sabotim të armëpushimit dhe akuzoi koalicionin perëndimor për dështim të ndarjes së fraksioneve të moderuara që i mbështet nga grupet “terroriste”. Ambasadori i Sirisë, Bashar Jaafari u radhit kundër “një luftë të pistë propagandistike” që udhëhiqet nga SHBA-ja dhe aleatët e saj dhe tha se Damasku “nuk do të heqë dorë nga asnjë centimetër e territorit të tij”. Ambasadori Churkin tha se kthimi i paqes në Siri është “pothuaj një detyrë e pamundur tani”, por e bëri të qartë se rikthimi i armëpushimit është ende një qëllim që Moska mund ta ndjekë nëse është pjesë e një përpjekje “kolektive” nga të gjitha palët.

“A mendon Rusia se mund ta vendos besimin me partnerët e saj duke negociuar ndalimin e armiqësive me një dorë dhe me dorën tjetër duke mbështetur regjimin që po bombardon Aleppon?”, pyeti ambasadori i Francës në OKB, Francois Delattre.I dërguari britanik, Matthew Rycroft, tha se veprimet e Rusisë kanë “zgjatur konfliktin duke zgjatur edhe vuajtjet”. “Është e vështirë të mohohet se Rusia po mbështet regjimin e Sirisë në kryerjen e krimeve të luftës”, tha Rycroft. I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, tha në takim se java e kaluar “ishte më e vështira në Siri që prej afro gjashtë vjetësh të konfliktit shkatërrues”. ” De Mistrua tha se afro 2 milionë banorë në Aleppo, qyteti më i madh i Sirisë, janë pa ujë të pijshëm, për shkak të përshkallëzimit të luftimeve.

Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që të bëjë presion për ndalim të armiqësive, brenda javës një pushim nga luftimet prej 48 orësh për të shpërndarë ndihmat dhe për evakuime të një numri të rasteve urgjente në Alepon lindore.Në margjina të takimit, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, bëri thirrje për përfundim të ofensivës në Alepo, duke thënë se bombat “nuk po godasin bunkerët, ato po shkatërrojnë njerëzit e zakonshëm që po kërkojnë një strehë të fundit të sigurisë”. “Ligji ndërkombëtar është i qartë, përdorimi sistematik i armëve pa dallim në rajonet me popullsi të dendur është krim lufte”, tha ai. (REL)

Kontrolloni gjithashtu

Kur Kina të zgjohet … bota do të dridhet II

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se SHBA-të po luajnë me zjarrin

Qeveria e Kinës ka tërhequr vërejtjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë me …