KFOR-i ka kapacitete që në rast nevoje të ndërmarrë masat e duhura për të ruajtur paqen dhe stabilitetin

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur komandantin e KFOR-it, gjeneral-major Giovanni Fungo, me bashkëpunëtor, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale në Mitrovicë, me theks të posaçëm për aspektin e sigurisë.

Pasi që  e ka përgëzuar gjeneralin Fungo për postin në krye te misionit të KFOR-it në Kosovë, kryetari Bahtiri i ka thënë atij se komuna e Mitrovicës dhe ai personalisht ka një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me KFOR-in, bashkëpunim ky që edhe ka dhënë rezultate konkrete pozitive në stabilizimin e gjendjes së sigurisë në Mitrovicë dhe ruajtjen e paqes.

“Kur unë kam ardhur në krye të komunës, gjendja e sigurisë këtu ka qenë mjaft e brishtë dhe me tensione të vazhdueshme ndëretnike. Mirëpo, unë bashkëpunëtorë kemi punuar me përkushtim dhe angazhim të shtuar me qytetarë, organet përgjegjëse për  siguri, siç janë policia e Kosovës, ajo e EULEX-it, pastaj me KFOR_in, OSBE-në dhe institucionet tjera vendore e ndërkombëtare, për të krijuar një ambient të sigurt për qytetarët e të gjitha përkatësive etnike, për të ruajtur paqen dhe për të përmirësuar raportet ndëretnike, gjë që edhe ka dhënë efekte pozitive”, ka thënë kryetari Bahtiri.

Ai i ka thënë gjeneralit Fungo, se Mitrovica sot është mjaft stabile, një ndër qytetet më të sigurta në Kosovë, ku krimi ka rënë për rreth 45 për qind dhe ku lëvizja dhe qarkullimi i lirë i qytetarëve nga jugu në veri dhe anasjelltas, është përmirësuar dukshëm dhe po zhvillohet pa probleme të mëdha.

Kryetari Bahtiri e ka njoftuar gjeneralin Fungo edhe për punimet që po bëhen për rivitalizimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, duke shpresuar se ato do të kryehn brenda afatit të parapri dhe se ura do të lëshohet për qarkullim e lëvizje të lirë, gjë që akoma do ta përmirësoj situatën e sigurisë në komunë dhe do t’i relaksoj akoma marrëdhëniet ndëretnike.

Komandanti i KFOR-it, gjenerali Fungo, tha se qëndrueshmëri e situatës së sigurisë në Mitrovicë dhe kudo tjetër është esenciale për KFOR-in, sepse pa situatë stabile të sigurisë nuk mund të ketë qetësi të plotë dhe zhvillim ekonomik.

“Është mirë që kanë filluar punimet për rivitalizimin e urës, sepse ajo simbolizon bashkimin e qytetarëve e jo vetëm lidhjen fizike. Të gjithë duhet të përkujdesemi që të kemi qetësi, mjedis të sigurt, raporte të mira ndërnjerëzore, në mënyrë që të kemi edhe zhvillim ekonomik. KFOR-i do të vazhdoj të punoj me institucione për mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillim ekonomik, si dhe do të ndihmoj në zgjidhjen e problemeve që i preokupojnë qytetarët. KFOR-i ka kapacitete që në rast nevoje të ndërmarrë masat e duhura për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha ndër të tjera gjeneral-majori Fungo.

Kryetari Bahtiri e njoftoi komandantin e KFOR-it, gjeneralin Fungo edhe për situatën në “Trepçë” dhe ndikimin e saj në zhvillimin e komunës në të kaluarën dhe në të ardhmen.

Po ashtu, ai e njoftoi gjeneralin Fungo, edhe për krijimin e  Zonës  industriale në Frashër, interesimin e bizneseve për tu vendosur aty dhe ndërtimin e fabrikave, si dhe  për punën e mirë që po bëhen në fabrikën e kërpudhave në Gushafc.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …