Interesi i qytetarëve për krijimin e komunes së Kijevës, konsiderohet prioritet dhe shpresë e afro 30.000 qytetarëve të kësaj zone. Në funksion të këtij procesi, grupi punuës për themelimin e komunës së Kijevës, përfaqësuar nga Zenel Berisha dhe Mentor Kryeziu, realizuan takimin zyrtar në MAPL, me zv.ministrin e MAPL z. Bajram Gecaj. Përfaqësuesit para zëvendesministrit Gecaj shpalosën në mënyrë kronologjike procesin prej paraqitjes së kërkesës, marrjes së vendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, takimet pas këtij vendimi etj, gjithashtu grupi punues njoftoi zëvendesministrin z. Bajram Gecaj për interesimin e madh të qytetarëve që ky process të implementohet sa më shpejt. Zëvendesministri Gecaj, gjithashtu njoftoi grupin punuës me agjenden zyrtare dhe procedurat në proces për themelimin e komunave të reja. Z. Gecaj ndër të tjera njoftoi se procesit për themelimin e komunave të reja fillimisht do ti paraprijë realizimi i studimit të fizibilitetit i cili do të ndodhë në vitin e ardhshëm si dhe përgatitja e ligjit për kufijtë administrativë të komunave i cili është në proces dhe pastaj do procedohen në parlament.
Kërkesa zyrtare për themelimin e komunës së Kijevës bazohet në ligjin aktual për themelimin e komunave të reja dhe si i tillë në rrethanat aktuale është vlerësuar edhe nga zyrtarët kompetent në MAPL si kërkesa më serioze dhe më e konsoliduar bazuar në ligjin aktual në fuqi, duke marrë parasysh edhe mbështetjen e kërkesës me peticionin me mbi 5000 nënshkrime dhe procesvërbalet nga takimet me qytetarët e të gjitha fshatrave që janë pjesë e këtij projekti. Meqënëse kërkesa për komunen e Kijevës qëndron mirë bazuar me kriteret sipas ligjit aktual për themelimin e komunave të reja, pritet sigurtë që edhe kriteret e studimit të fizibilitetit nuk do të paraqesin pengesë në këtë proces dhe do ta argumentojnë në favor pozitiv fillimin e implementimit dhe konkretizimin e projektit në vitin e ardhshem. Implementimi i komunës së Kijevës sipas vlerësimeve nuk cenon interesat e komunave aktuale nga të cilat graviton territori i komunës së Kijevës, por konsiderohet si proces i vullnetit qytetar dhe në funksion të mirëqenjës në përspektivë të këtyre banorëve.