Gjatë vizitës në Britaninë e Madhe, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, është takuar me Drejtoreshën e Zyrës për Ballkanin Perëndimor, Fiona Mcilwham. Gjatë këtij takimi, Ministrja Hoxha njoftoi znj. Mcilwham për prioritetet dhe objektivat e Ministrisë së Drejtësisë të përcaktuara gjatë mandatit të saj në krye të këtij institucioni. Ndër të tjera, ajo vuri theks të veçantë në nevojën për reformimin e mëtejmë të sistemit të drejtësisë, qoftë përmes reformave legjislative apo përpjekjeve më të mëdha për të fuqizuar zbatimin e ligjit. Ministrja Hoxha, vuri në pah rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit, si një ndër elementet kyçe për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve. Zonja Mcilwham, shprehu përkushtimin e Zyrës për Ballkanin Perëndimor për të mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në rrugën drejt reformimit të mëtejmë të sistemit të drejtësisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit. Znj. Mcilwham, vlerësoi lartë përkushtimin e Ministres Hoxha dhe konsideroi se përkushtimi i saj për të fuqizuar sundimin e ligjit është qenësore për progresin në këtë sektor. Ministrja Hoxha po qëndron në Londër me ftesë të Sekretares së Shtetit për Drejtësi të Britanisë së Madhe, Liz Truss.
