leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Rreziqe e humbje të reja na presin me qeveritarët që kemi

Nga Kabineti i Kryeministrit të Kosovës ka dalë edhe një “xhevahir”, i cili pa dyshim që e ka “izën” e Kryeministrit Mustafa. “Xhevahiri” është ky: “Mos votimi i demarkacionit do të thotë pengesë e re për shtrirjen dhe forcimin e paqes në rajon. Gjithashtu do të thotë pengesë e re dhe e papritur për vazhdimin e rritjes dhe zgjerimit të sigurisë euro-atlantike në rajon. Me refuzimin e votimit të demarkacionit, pashmangshëm problemi do të kalonte atje ku nuk është, as nuk na konvenon të jetë – në dimension ndërshtetëror e për rrjedhojë edhe rajonal. Krejt kjo nuk është krejt, sepse ky refuzim është gjithashtu pengesë në rrugëtimin tonë drejtë integrimeve evropiane, drejtë liberalizimit të vizave, por edhe proceseve të tjera të ndërlidhura”.

Cila është porosia e këtij “Xhevahiri” politik?

Porosia është për deputetët, për qytetarët e Kosovës, e veçmas për rugovasit që te heqin dorë nga toka e Kosovës, nga pasuria publike e prona private, nga kullosa e uji, nga toka e nëntoka jonë e pasur, se ne dhe vetëm ne duhet të mendojmë për  “shtrirjen e paqes në rajon”. Por, gjerat nuk përfundojnë këtu. Këto ditë, Serbia përmes Listës Serbe do të kërkoj: hisen e saj në Trepçë. Po këta njerëz do të thonë: Ta ndajmë Trepçën me Serbinë, se duhet ta “zgjerojmë sigurinë në rajon”?! Pasi të përfundon kjo. Beogradi do të kërkoj krijimin e Bashkësinë e Komunave serbe (lexo – Republikën Serbe). Të njëjtit do të thonë: “ Ky refuzim është gjithashtu pengesë në rrugëtimin tonë drejt integrimeve evropiane, drejtë liberalizimit të vizave, por edhe proceseve të tjera të ndërlidhura”.

Për këto që u than tanimë po dihen, por çka do të thonë kjo kastë politike, kur duhet të vije Demarkacioni me Serbinë? Frikësohem se, sipas kësaj logjike, logjikes së në shqiptarët duhet të sakrifikojmë për të ruajtur paqen globale, nuk do të ketë nevojë për të bërë Demarkacionin me Serbinë?!

Sa më gjatë që këta njerëz do të qëndrojnë në pushtet, rreziqe e humbje të reja do t’i ndodhin këtij kombi!

Kjo nuk është logjikë e shtetndërtimit e as e bërjes funksional shtetin.

Jakup Krasniqi: Kush dhe pse po manipulon me numrin e veteranëve?

Në emisionin e RTK-së, ku morën pjesë Rexhep Selimi, Nuredin Ibishi, Xhevdet Qeriqi dhe Faton Klinaku, të datës 4 tetor 2016, u trajtua çështja e listave të veteranëve të  Luftës Çlirimtare. Shkas për të shkruar këtë reagim u bë njëri nga mysafirët e emisionit, deputeti Nuredin Ibishi. Ai, në deklaratat e tij publike, në vend që të kontribuonte në ndriçimin e shumë çështjeve, hodhi pluhur dhe dezinformoi opinionin publik duke shpalosur shifra për numrin e ushtarëve për Zonën Operative (ZO) të Llapit. Ato shifra janë të pavërteta për pjesëmarrjen e njerëzve në luftë dhe si të tilla tejet të dëmshme për të ardhmen e vendit. Prandaj, si ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Përfaqësues Politik dhe Zëdhënës i saj e ndiej për obligim t’i them disa fjalë.

Nuk kam asnjë dyshim se papërgjegjësia kryesore për gjithë këtë gjurulldi rreth listave të veteranëve e të invalidëve të luftës qëndron te puna e Komisionit Qeveritar për verifikimin e listave. Me veprimet e veta ky komision i ka shkaktuar dëme të pariparueshme vendit, si në planin moral e politik ashtu edhe në atë financiar për disa dekada me radhë. Ligji mund të mos jetë i mirë dhe mund t’i bëhen shumë vërejtje. Dihet se ky ligj është miratuar nën presion dhe problemi nuk qëndron këtu. Problemi kryesor është te mosrespektimi i ligjit, te shkeljet e tij flagrante. Këtij komisioni nuk duhet t’i lihet asnjë mundësi e korrigjimit. Madje-madje, ky komision duhet të hetohet nga Prokuroria e Shtetit. Megjithatë, në këtë kontekst shtrohet pyetja: A do të guxojë të merret me krimin e organizuar rreth listave të “veteranëve” e të “invalidëve ” të luftës prokuroria, që deri tani është marrë me fshehjen e krimeve të ndryshme e jo me ndriçimin e tyre. Dhe jo vetëm kaq, kjo prokurori si dhe ajo e EULEX-it më shumë janë marrë me kërkimin e veprës penale aty ku nuk është sesa aty ku ishte dhe është. Komisioni Qeveritar e ka bërë një vepër penale, e cila do të ketë pasoja afatgjata për shtetin.

Le t’i kthehem çështjes për të cilën e nisa këtë reagim timin. Pse nuk pajtohem me deputetin e LDK-së? Deputeti Nuredin Ibishi e përmendi një shifër marramendëse për numrin e ushtarëve në ZO të Llapit, mbi 4 mijë ushtarë e 800 të plagosur në luftë!!! E them me përgjegjësi se ato shifra janë më shumë se marramendëse. Nuk e kam të qartë, se në çfarë cilësie foli Nuredin Ibishi, në cilësinë e anëtarit te Komisionit Qendror, te pjesëtarit e drejtuesit të luftës apo në cilësinë e deputetit .që duhet ta përfaqësoi me dinjitet veten, kombin e shtetin. Jam më se i sigurt se më atë që ai e mbrojti, mashtron opinionin për luftën, shkel rëndë në të drejtat e veteranëve e te invalidëve të luftës, dëmton rëndë të sotmen dhe të ardhmen e kombit e të shtetit.

Pse po e them ketë?

Me 8 janar 1999, kur në ZO të Shalës janë kapur tetë ushtarët e Armatës Serbe, me një delegacion të Shtabit të Përgjithshëm(SHP) të UÇK-së ishim në shtabin e ZO të Llapit në Llapashticë. Në atë rast jam njoftuar se numri i përgjithshëm në atë Zonë nuk i kalonte as 1000 (një mijë) ushtarë dhe atë me armatim jocilësor. Do të isha më se i kënaqur që të dëgjoja nga deputeti i sotëm dhe Komandanti i djeshëm i Brigadës, kur dhe në çfarë rrethana u katërfishua numri i ushtarëve? Vërtet do të kisha dëshiruar ta dëgjoj argumentimin e tij! Gjendja e përafërt është edhe në të gjitha ZO të luftës. Gjithnjë po flas, jo për njerëzit që e ndihmuan luftën, se ai numër mund ta arrijë edhe shifrën mbi 100.000 veta. Por, kjo është temë tjetër. Ligji ka qenë bërë menguti, për t’ju mundësuar një jetë të dinjitetshme veteranëve dhe familjevetë tyre, të atyre veteranëve që ishin të papunë e pa të ardhura të tjera. Dhe assesi për t’i shpërblyer votuesit e partive politike. Siç është vepruar, nuk ndihmohet askush! Kështu mund të ushqehet vetëm vesi më i keq i njeriut, dembelia ose parazitizmi! Papunësia, dembelia, parazitizmi nuk krijojnë kombe e shtete të pasura.

Fola e shkrova vetëm për njerëzit nën armë, madje edhe në mes këtyre pjesëtarëve duhet të bëhen specifikime. Nuk mund të trajtohen njësoj, si ata që vepruan brenda kufijve të Kosovës, si ata që gjendeshin jashtë Kosovës. Por, kjo çështje u përket institucioneve të shtetit. Komisioni Qeveritar e kishte këtë obligim, por ai fatkeqësisht dështoi dhe dështoi tepër keq! Për ketë ai duhet të vihet para drejtësisë!

Ndërsa, ajo që e tha deputeti Rexhep Selimi, i cili në kohë lufte ishte Inspektor i Përgjithshëm i SHP të UÇK-së, është në përputhje të plotë me realitetin e asaj kohe. Për ketë meriton të përgëzohet për korrektësi e përgjegjësi! Njerëzit e këtij niveli është dashur të jenë pjesë, mbase edhe drejtues të Komisionit Qeveritar. Deputeti Ibishi duhej të ecte në gjurmët e deputetit Selimi e jo në gjurmët e Komisionit Qeveritar i cili ka degraduar gjithçka.

Këto lista nuk janë të veteranëve e as te invalidëve te luftës, janë lista zgjedhore të partive politike dhe përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. Përgjegjësit kryesorë janë në dy qeveritë e fundit dhe në majat e institucioneve te shtetit.

Veteranët e Luftës Çlirimtare duhet që të jenë më të zëshmit për pastrimin e listave. Veteranët duhet të protestojnë për pastrimin e listave, si të veteranëve ashtu edhe të invalidëve. Kjo është ne interesin e tyre, ne interesin e shtetit dhe në interes te së vërtetës historike.

Veteranët duhet ta dinë se në kulaçin e tyre i kanë edhe më shumë se nga tre parazitë!

Zëri im i protestës duhet të shihet në kuadër të ndriçimit të gjërave në interes të veteranëve e të invalidëve të vërtetë të luftës dhe shtetit për të cilin kemi sakrifikuar si komb!

Për shtetin më parë duhet kontribuar në mënyrë që pastaj të kesh moral dhe të drejtën për të kërkuar!

Krejt në fund. Edhe sikur gjatë këtyre 17 viteve, asnjë luftëtar i lirisë mos të kishin qenë: në TMK, e tani në FSK, i inkuadruar në Policinë e Kosovës, në administratë, në arsim, në biznese e shkuar në Botën e Jashtme, ku numër i veteranëve i lajmëruar për pension nuk do të duhej të ishte?!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …