Ministri i Financave Avdullah Hoti po udhëheqë delegacionin e Kosovës në takimet Pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që po mbahen në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë ditës së sotme Ministri Avdullah Hoti bashkë me Guvernatorin e Bankës Qendrore Bedri Hamza dhe delegacionin e Kosovës u takuan me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Tao Zhang, Drejtorin për Evropë të FMN-së z. Paul Thomsen, Drejtorin Ekzekutiv z. Ibrahim Canakci, si dhe përfaqësues të tjerë të FMN-së. Në këto takime u diskua për një numër çështjesh, duke përfshirë progresin e arritur në implementimin e Programit Stand-By, si dhe hapat që duhet të ndërmerren për të përmbyllur këtë program me sukses.
Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar vlerësuan arritjet e deritanishme, dhe u zotuan për të vazhduar edhe më tutje me përkrahjen e reformave në Kosovë.
Një çështje që u diskutua në të gjitha takimet me përfaqësuesit e FMN-së ishte ajo që lidhet me Veteranët e Luftës dhe nevojën mjaft urgjente që skema e pensioneve për këtë kategori të reformohet sa më shpejtë, për tu siguruar se kjo skemë është e qëndrueshme në periudhën afatgjate.