Në Ferizaj, është bërë hapja e Fabrikës së Brumërave “Orex plus”. Në përurimin e kësaj fabrike mori pjesë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, deputetë të Parlamentit të Kosovës si dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa,.
Në ceremoninë e hapjes së Fabrikës së Brumërave “Orex plus’’, kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa tha se hapja e bizneseve, ka rëndësi të jashtëzakonshme për komunën e Ferizajt.
“Komuna e Ferizajt, sipas mundësive që ka, po përpiqet ta ndihmojë përmirësimin e mjedisit biznesor dhe të mbështesë qoftë themelimin e bizneseve të reja, qoftë zgjerimin e bizneseve ekzistuese, duke e konsideruar forcimin bizneseve të vogla dhe të mesme si faktorin më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në kushtet tona.
Planet tona zhvillimore, synojnë promovimin e shumëllojshmërisë së ekonomisë në Ferizaj, forcimin e prodhimtarisë, të fokusuar në industri, përpunim të drurit e metaleve, në sektorin e agrobiznesit dhe të turizmit malor, në mbështetjen e krijimit të bizneseve të reja, përmes krijimit të zonave ekonomike dhe industriale të përshtatshme, me gjithë infrastrukturën e nevojshme përcjellëse.
Ne tashmë disa herë kemi dhënë prona komunale, me qëllim që të themelohen biznese të reja, ose të zgjerohen kapacitetet e bizneseve ekzistuese, ndërkohë që po krijojmë mundësi për hapjen e zonave të reja ekonomike”, ka thënë kryetari Svarqa, përderisa ka shtuar se përmes Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik gjatë këtij viti është financuar në ndërtimin e infrastrukturës në zonat industriale me 70 mije euro”, ka deklaruar Svarqa.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Ferizaj përmes krijimit të bizneseve të vogla, është duke u munduar të dërgoj mesazh se si zhvillohet vendi ynë.
Veseli shtoi se institucionet qendrore dhe lokale do të angazhohen në lehtësimin e punës së bizneseve në mënyrë që ato të hapin vende të reja pune si dhe të prodhojnë produkte vendore.
‘’Ne do të punojmë që kamatat në nivelin e kredisë të ulen si dhe bizneset të kenë mundësi të investojnë’’ tha Veseli.
Nga ana tjetër ministrja e Tregtisë dhe Hykmete Bajrami është shprehur se përmes hapjes sa fabrikave po përmirësohet edhe jeta e qytetareve të Komunës së Ferizajt.
Elmaz Çoçaj, pronar i “Orex plus”, ka thënë se gjatë tri viteve të ardhshme synon që të bëjë edhe industrinë e brumërave, që është mungesë e saj.
“Kompania jonë është themeluar në vitin 1991, këtë vit i kemi bërë 25 vite, dhe në këtë 25 vjetor, ne po zgjerojmë biznesin tona nga furra të vogla në një fabrikë”, ka thënë Çoçaj.
U bë e ditur se deri më tani kjo kompani ka punësuar 30 punëtore. Në këtë fabrikë do të prodhohen keksa të llojeve të ndryshme, buke integrale dhe bukë misri.