Përpjekjet e një stafi publicistësh, puçistë, mjerisht edhe i disa krijuesve e intelektualëve të njohur, për të shkapurisur personalitetet më meritore të kombit, përpjekje të cilat veçanërisht bëhen nga disa matrapazë të letrave në Shqipëri, por edhe kudo në trevat shqiptare, nuk janë më temë që tërheqë gjithaq vëmendjen, sepse tanimë jemi mësuar dhe jemi imunizuar me këtë të keqe. Vese të tilla të sëmura, të motivuara nga smira dhe xhelozia në letrat tona i ka stisur sidomos Faik Konica, i cili njihet për qëndrimet kontroverse, për etiketime e fyerje që i kishte drejtuar edhe Naimit të Madh, Fan Nolit, luftëtarit me nam të Shqipërisë, Çerçiz Topulli, pale edhe sa e sa të tjerëve. Faiku kishte vesin e keq të ujkut tek, dhe të shqiptarit lindor, ves të cilin e ka spikatur, në mënyrë fenomenale mendimtari i madh shqiptar, Kristë Maloku. Faiku, para dite urrente të gjithë, pas dite edhe veten.
Ky ves i lig i Faik Konicës, u mboll me kohë dhe në vitet pas vdekjes së tij, pati mjaft të tillë që e pasuan, sidomos për të etiketuar personalitetet me rëndësi të kombit. Në këtë gjuajtje shtrigash kanë marrë dhe marrin pjesë një taraf gazetarësh si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. U fillua duke hedhur baltë mbi Enver Hoxhën, dhe tërë atë që ishte ndërtuar për 50-vjet, nga ata që e kishin glorifikuar dhe kishin ndërtuar kultin e tij. Fushata kundër personaliteteve meritore të kombit nuk po pranë, sepse ata që e konsiderojnë veten të gjithë ditur, pretendojnë të shkojnë ca më tutje, me qëllim për të na bindur se ata i ditkan të gjitha.
Pas një studimi, antishkencor dhe pervers të sllavistit austriak, Shmidt, i cili shkalloi deri në nivelin sa heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun e etiketonte si tregtar kuajsh, pasuan shkrime përçmuese e mohuese kundër Ali Pashë Tepelenës, madje edhe kundër Ismail Qemalit, kundër Migjenit, Fishtës e sa e sa të tjerëve.
Në një shkrim të Nasho Jaogaqit lidhur me “bashkëpunimin” e Fishtës me fashizmin italian, i botuar në gazetën DITA, analisti kontrovers, Mustafa Nano shprehet se ”Nuk të lë indiferent përmbajtja e kësaj letre të shkruar në vitin 1939. Në të, përveçse del në pah një marrëdhënie e ngrohtë e konfidenciale e poetit të madh shqiptar me një hierark fashist, flitet edhe për “rrugën e drejtë që duhet të ndjekin qeveria e populli italian për të ngritur nga mizerja shumëshekullore popullin e mjerë shqiptar”. Por nga ana tjetër kjo letër nuk të befason, gjithashtu. Kjo letër flet më pak se sa ndonjë letër tjetër që ai i ka dërguar Mussolinit e më pak se sa ndonjë gjest i tiji, siç është ai i anëtarësimit në Akademinë Italiane të kohëve të fashizmit. Unë jam dakord me Jorgaqin e të tjerë që i japin rëndësi këtij momenti në jetën e Gjergj Fishtës. Duke i kritikuar figurat tona me peshë kombëtare, ne mbajmë dashje pa dashje edhe një qëndrim të caktuar etik, me të cilin edukohen brezat e rinj. Këta të fundit duhet ta dinë se Fishta ka gabuar. Ashtu si duhet ta dinë edhe se ku kanë gabuar të tjerët. Ja si rezonin ky skrib, për të cilin nuk ka asgjë të shenjtë, asgjë meritore, asgjë kombëtare, e cila nuk mund të përbuzet. Kjo është deviza e këtyre matrapazëve të letrave sot. Unë habitem sidomos me Nasho Jorgaqin, i cili po ashtu është në shënjestër të sulmeve të ulëta.
Cila qenka e keqja e bashkëpunimit të Gjergj Fishtës me fashistët italianë?
Që Italia fashiste e kishte okupuar Shqipërinë në prill të vitit 1939, pa e pyetur Fishtën dhe asnjë shqiptar tjetër dhe pa një kundërvënie meritore të kombit, fajin nuk e ka Fishta as intelektualët e kohës. Italia në Shqipëri ishte instaluar shumë kohë para pushtimit, në kohën e Zogut, i cili gradualisht ia kishte hapur të gjitha dyert e për vete, me familjen, hyzmeqarët, bashkë me arkën e Shtetit ia kishte mbathur.
Çka duhej të bënte Fishta, shtrohet pyetje, kur Italia, Gjermania e Japonia ishte boshti ushtarak, ishin tri forcat më të mëdha, që kishin sfiduar tërë botën?. Në një situatë të tillë, pa bërë ndonjë dallim ideologjik, Fishta dhe jo vetëm ai, dashur pa dashur do të pranonte mënyrën e mbijetesës së shqiptarëve, sepse nuk ishte komunist me bindje, dhe për këtë nuk mund ta akuzojmë. Ai kishte vdekur në vitin 1940 dhe në atë kohë nuk mund të flitej për një Lëvizje të fuqishme të Rezistencës kundër Italisë. Jo vetëm Fishta e ka menduar se vetëm një forcë e madhe botërore mund ta ruante Shqipërinë e katandisur si është më keq nga shtetet e krishtera të Evropës, sesa nga Turqia me të cilën kishte “bashkëjetuar” më shumë se 500 vjet. Në konferencën e Paqes në Paris, më 1919, ai kishte shkruar:
“Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mundi të dalë shtet në vete, nuk qe puna se atij i mungonte ndërgjegjja kombëtare ose ndjesia për liri e pavarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështu që prej kësaj pikëpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye. Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me shqiptarë. Në vitin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqind mijë shqiptarë, vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë; grijnë mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra, pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnji send për së mbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Këto konstatime historike dhe antologjike të Fishtës, japin për të kuptuar se sa thellë ishte pezmatuar në atë që quhej “qytetërim evropian” i kohës. Fishta ishte i vetëdijshëm se vetëm një forcë e madhe botërore, e cila do të kishte mirëkuptim për shqiptarët mund t’i ndihmonte ata.
Po të analizojmë me fakte e argumente rrethanat që mbretëronin në Shqipëri dhe në vendet e Ballkanit, do të shohin se fashizmi italian ishte shumë më i qytetëruar dhe më mik i shqiptarëve sesa fashizmi sllav, serb, bullgar e grek. Italia kishte okupuar Shqipërinë në prill të vitit 1939, por pa u derdhur shumë gjak, ndërsa në vitin 1941 kishte çliruar viset shqiptare të Kosovës e Maqedonisë, të cilat kishin jetuar nën një regjim shumë më fashist dhe shfaronjës, sikur ishte Mbretëria despotike serbe, e cila kishte synim strategjik shpërbërjen e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në tërësi. Italia fashiste dhe forcat italo-shqiptare në trojet, deri atëherë të pushtuara të Shqipërisë, hapi shkollat e para kombëtare në gjuhën shqipe, instaloi administratën shqip, qarkullimin e lirë. U lejua përdorimi i Flamurit kombëtar. Ajo iu dha armë shqiptarëve për të mbrojnë viset e veta etnike, natyrisht, nën flamurin me sëpatën e Liktorit. Asnjë të drejtë elementare njerëzore as kombëtare nuk e kishin gëzuar shqiptarët nën regjimin Jugosllav i cili pasi kishte vrarë rreth 300.000 shqiptarë në vitet 1912-1918 dhe kishte dëbuar për në Turqi disa qindra mijëra të tjerë, kishte filluar ndëshkimin kolektiv të shqiptarëve, asimilimin duke hapur disa shkolla vetëm në gjuhën serbe, ku nxënësit shqiptarë e kishin të ndalura rigorozisht të bisedonin në gjuhën e tyre madje edhe me njëri-tjetrin, derisa ishin në shkollë. Po qe se një shqiptari i zbulohej një libër shqip ai dënohej me burg deri në 20 vjet.
Cili fashizëm ishte më i zi, ai që sollën italianët në trojet shqiptare, apo regjimi fashist jugosllav që kishte kryer krimet më monstruoze kundër tërë një populli, prej vitit 1912 me pretendime për ta zhdukur gradualisht, duke e përndjekur për në Turqi, duke e asimiluar, duke e shfarosur në mënyrë graduale, duke ua marrë tokat shqiptarëve dhe duke ua bërë tapi kolonëve serbë.
Fishta ishte i informuar me të gjitha mizoritë, me të cilat po ballafaqoheshin shqiptarët e mbetur nën regjimet monarko-fashiste të Ballkanit, andaj nga dy të këqijat ai zgjodhi të keqen më të vogël dhe koha ka treguar se ai nuk kishte gabuar. Ishte hera e parë pas vitit 1912 kur shqiptari nga Kosova, Plava e Gucia, nga Sanxhaku e Kumanova lëvizte i lirë deri në Labëri, Çamëri e gjithandej. Cilat masakra i ka kryer regjimi fashist italian në Kosovë kundër shqiptarëve?
Kosova ka vetëm 170 dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, shumica serbë e malazez, dhe shumicën prej tyre i kanë vrarë bandat partizane e çetnike serbe. Drenica i nuk ka dhënë asnjë dëshmor kësaj lufte, ndërsa në luftë për t’u mbrojtur nga hordhitë partizane-çetnike kanë rënë dhjetëra mijëra, në Drenicë, Prishtinë, Gjilan, Tetovë, Kumanovë, Tivar dhe kudo në trojet etnike. Ku krahasohen krimet e fashizmit italian me ato çetnike e partizane të Titos e Rankoviqit kundër shqiptarëve?. Prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, OZN-a dhe më vonë UDB-ja ka vrarë me gjyq e pa gjyq jo më pak dhe 8.000 shqiptarë, 1200 prej tyre pjesëtarë të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.
Vetëm prej vitit 1951, fillon një klimë më e zbutur politike ndaj shqiptarëve. Regjimi komunist i Jugosllavisë, duke u thirrur në parimet e lirisë, drejtësisë e barazisë, i bindur se shqiptarët nuk do të mund të shpërbëheshin as do të zhdukeshin me dhunë sikur kishte provuar me të gjitha metodat e mjetet për 30 vjet ish Jugosllavia, u detyruan që shqiptarëve të iu njohin një autonomi kulturore, meqë e kishin anashkaluar Rezolutën e Bujanit të vitit 1944 dhe në gusht të vitit 1945 e kishin zhvlerësuar në tërësi.
Gjergj Fisha nuk mund të akuzohet me asnjë fakt të qëndrueshëm për “bashkëpunimin”, sikur thuhet me fashizmin. Fakti se ai ishte shpallur anëtar i Akademisë Italiane, nuk do të thotë se atë Akademi i kishin themeluar fashistët, sepse nuk quhej Akademia Fashiste Italiane.
Po ashtu fshihet fakti se Fishta ka marrë një diplomë nderi në vitin 1912, nga vetë Perandoria Osmane, Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke, në vitin 1912. Ky fakt flet për kredibilitetin që gëzonte si krijues, politikan dhe personalitet me rëndësi kombëtare e botërore.
Përveç kësaj Fishta ka marrë edhe këto mirënjohje e dekorata:
Kurorë Argjendi, nga Klubi “Gjuha shqipe” në Shkodrës, më 1911.
Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë, 1912.
Penë floriri, nga qyteti i Beratit, 1913.
Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI, 1925.
Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan, 1929.
Dekorata Phoenix, nga Greqia, 1931.
Urdhrin “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002,
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit, në Kosovë.
Pretendimet për ta damkosur Gjergj Fishtën, sepse ai kishte pranuar idenë për krijimin e Shqipërisë Etnike, apo të Madhe, përmes Italisë së Musolinit e Kontit Çano, nuk u bëjnë nder pretenduesve, cilët do qofshin ata. Edhe sot Serbia e quan fashiste e terroriste NATO-n dhe Amerikën sepse ndihmuan popullin shqiptar të Kosovës të çlirohet nga robëria, gati njëshekullore serbe. Fati i popujve të vegjël gjithnjë ka qenë dhe po mbetet i nëpërkëmbur, andaj nuk duhet të ngutemi sot, për të mos rrëshqitur nesër. Fishta me veprën dhe jetën e tij ka dëshmuar kush ka qenë, ndërsa vepra e tij e dëshmon, argumenton dhe e fakton më së miri. Kokëfortësia për ta paraqitur si profashist, është tejet e zbehur, sepse vepra e tij, krijimtaria, zbulojnë më së miri shpirtin dhe devotshmërinë e tij për kombin e Atdheun.