…Fushata histerike e një tarafi “hyxhym politikanësh” dhe analistë të shkretëtirës së tartarëve, kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas tyre po na u “përzieka në punët tona të brendshme”, pikërisht sikur ishte “përzier” Enver Hoxha sidomos në vitin 1981, është fushatë mjerane, e atyre që bëjnë hop pa kërcyer pragun, dhe atyre që rrahin gjoks për trimëri, pas betejave. Ky taraf “kosovarësh” nuk guxon të flasë në emër të shqiptarëve liridashës, sepse askush nuk ka marrë votë besimin në Kosovë për ta shpërdorur atë, duke sharë Shqipërinë, qoftë kur në krye të Qeverisë është Edi Rama, Sali Berisha, apo kushdo tjetër, sepse Shqipëria është e të gjithëve, Shqipëria jemi ne, prej Çamërisë e në Ulqin, Prej Manastirit e në Merdar, prej Kumanovës e në kufi me Sanxhakun. Në emrin e kësaj Shqipërie nuk mund të vendosin bajraktarët e klaneve politike, mistrecët, matrapazët e pishpirikët, nuk mund të flasin ata që u kanë shërbyer krajlit, Titos, Rankoviqit, Milosheviqit, dhe të cilët aktualisht u shërbejnë qarqeve antishqiptare. Ata mund të çirren, mund të histerizohen, mund të batërdisen, sikur edhe po bëjnë, mund edhe të plasin po të duan, por nuk i ndalojnë dot proceset historike të bërjes së Shqipërisë shtet të të gjithë shqiptarëve.
Guximi politik, perceptimi realist i zhvillimeve politike, vendore e ndërkombëtare, diskursi i pasur gjuhësor dhe korrektësia e lehtësia në komunikim, veti e cilësi këto të kryeministrit, Edi Rama, kanë ngjallur reagimin e një klase të tërë mjeranësh të matufosur, qofshin politikanë aktualë të Kosovës, qofshin të vetëshpallur analistë, eunukë të kombit të perënduar “kosovar” dhe të tillë që u vënë pas, si “Muça pas daive”, apo si “robi pas berihajt”. Edi Rama nuk ka nevojë për asnjë avokat, sepse është avokat i vetvetes, nuk ka nevojë të mbrohet nga askush, sepse atë që e mendon e thotë troç dhe pa ekuikoke, dhe krejt këtë e bën me qëllimin më të mirë për Shqipërinë e Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht, edhe pse kjo ka edhe anën tjetër të medaljes, anën tjetër të kundrimit e manifestimit.
Nuk mjafton pragmatizmi i Edi Ramës për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan, përkundrazi një pragmatizëm i tillë në perceptimet dhe veprimet politike të tij dhe atyre që e pasojnë, nuk mund të sjellin rezultatin e dëshiruar në drejtim të unifikimit të tërë faktorit shqiptar në trojet tona, në dy shtetet tona dhe në trojet e mbetura në katër shtete të Ballkanit. Unifikimin shpirtëror, kulturor, vëllazëror e kemi pasur me shekuj, po nuk ka mjaftuar të na bëjë bashkë, me një shtet të vetëm, të cilin sapo bëjmë përpjekje ta qepin, po na shqepin, tanët dhe të huajt.
Hapja e Tiranës për investimet e kapitalistëve serbë në Shqipëri paraqet rrezik, në mos për tjetër për faktin se Serbia ekonomikisht qëndron shumë më lartë se Shqipëria. Kapitali grek dhe serb në Shqipëri, rrënojnë bazën ekonomike të vendit, meqë të dyja shtetet kanë pasur dhe kanë qëndrime hegjemoniste, shoviniste, antishqiptare, pavarësisht retorikave për paqe, fqinjësi të mirë dhe integrim në BE. Kjo edhe për faktin se Çështja shqiptare vazhdon të jetë e pazgjidhur, jo vetëm me fajin tonë, jo vetëm me pafuqinë dhe paditurinë tonë, jo vetëm nga përçarjet tona të thella fetare, të cilat mundohemi t’i mbulojmë me jorganin e ngushtë të tolerancës ndërfetare, sepse ajo tolerancë është mes nesh, mes shqiptarësh, dhe jo mes feve të fqinjëve e më gjerë. Çështja e pazgjidhur shqiptare ka mbetur peng i së kaluarës së rëndë historike, peng mes Lindjes e Perëndimit, mes Islamit e Krishterimit. Kjo është një çështje shumë e thellë, sepse as optimistët më të ekzagjeruar nuk do të besonin se BE-ja i do më shumë shqiptarët se serbët, grekët, malaziasit, kroatët, bullgarët e popujt e tjerë të Ballkanit. Shqiptarët janë “bijtë shkapërdarë” të Evropës, sipas Papës dhe shumicës dërrmuese të krerëve të shteteve të Kontinentit plak. Këtë perceptim ne nuk e ndërrojmë dot, sado që disa nga krerët tanë na porosisim të bëhemi më parë se Papa, por Papa e kupton se pretendimet e tilla janë të shpifura, janë hipokrite, janë të pabesa…
Në anën tjetër, shumica dërrmuese shqiptare me besim islam, sado tejet tolerante mes vëllezërish me fe të ndryshme, nuk ka arritur ta bind Evropën se ajo në radhë të parë e do vetveten, kombin, atdheun e do kulturën e vet lindore dhe perëndimore, sepse është shortuar në atë kulturë dhe ka krijuar një “identitet të dyzuar”, jo vetëm gjuhësor. Shqipja është gjuhë indoevropiane e tipit “centum dhe satem” (Çabej) me elemente leksikore, perëndimore e lindore, me “kulturë të dyzuar” të përfituar ndër rrebeshet e tragjeditë e mëdha të historisë, pavarësisht se një soj sharlatanësh të azdisur shqipen e gjejnë edhe në para histori, madje edhe në emër-vendet e krejt botës.
“Bombat” e Edi Ramës në Beograd, duket se patën jehonë për shkak se Beogradi zyrtar nuk është mësuar me fjalën shqipe, puro shqipe, të kumtuar e të shprehur në Beligrad, madje edhe të sforcuar rastësisht përmes një fluturakeje, e cila shkaktoi tmerr në sytë e serbëve. Beogradi zyrtar është mësuar me gjuhën shqipo-vllahe, shqipen eunuke të Azem Vllasit, Ali Shukriut, Rrahman Morinës, të tre dhëndurë të Serbisë. Beogradi e do gjuhën e “kosovarëve”, gjuhën gege me shumë fjalë sllave e turke, po kurrsesi “gjuhën zyrtare” të Enver Hoxhës, e cila u rri si shpatë mbi kokë kosovarëve të tredhur të ekzemplarit, Enver Hoxhaj, dhe berihajve si puna e Petrit Selimit, kumbara i Daçiqit, Buzhalës e buzhëve të tjerë, të cilët shiten madje edhe për një copë lesh e lërë më për një post fiktiv, qeveritar.
Fushata histerike e një tarafi “hygjym politikanësh” dhe analistë të shkretëtirës së tartarëve, sikur Blendi Fevziu, Shkulaku, Buzhala të tjerë kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili po na u “përzieka në punët tona të brendshme”, pikërisht sikur ishte përzier Enver Hoxha sidomos në vitin 1981, duke mbështetur me aq fuqi zëri sa kishte kërkesën për liri, barazi e drejtësi, kërkesën për Kosovën Republikë, është një fushatë mjerane, e atyre që bëjnë hop pa kërcyer pragun, dhe atyre që rrahin gjoks për trimëri, pas betejave. Ky taraf “analistësh” nuk guxon të flasë në emër të shqiptarëve liridashës, sepse askush nuk ka marrë votë besimin në Kosovë për ta shpërdorur atë, duke sharë Shqipërinë, qoftë kur në krye të Qeverisë është, Edi Rama, Sali Berisha, apo kushdo tjetër sepse Shqipëria është e të gjithëve. Shqipëria jemi ne prej Çamërisë e në Ulqin, Prej Manastirit e në Merdar, prej Kumanovës e në kufi me Sanxhakun. Në emrin e kësaj Shqipërie nuk mund të vendosin bajraktarët e klaneve, mistrecët, matrapazët e pishpirikët, nuk mund të flasin ata, apo bijtë e bijat e atyre që u kanë shërbyer krajlit, Titos, Rankoviqit, Milosheviqit dhe të cilët u shërbejnë qarqeve antishqiptare. Ata mund të çirren, mund të histerizohen, mund të batërdisen, sikur edhe po bëjnë, mund edhe të plasin po të duan, por nuk i ndalojnë dot proceset historike të bërjes së Shqipërisë shtet të të gjithë shqiptarëve.