Përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s, e të vendeve partnere, kanë vazhduar diskutimet në Prishtinë, në kuadër të Seminarit të 93-të ROSE-ROTH të Asamblesë Parlamentare, me temën “Vlerësimi dhe Konfirmimi i Perspektivës euro-atlantike të Kosovës”. Ditën e dytë të këtij seminari, e ka përshëndetur me një fjalë rasti presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Duke elaboruar proceset dhe zhvillimet nëpër të cilat ka ecur Kosova që nga paslufta, presidenti Thaçi tha se Kosova më nuk është burim i jostabilitetit, por përkundrazi, është eksportues i paqes dhe dialogut. Në sesionin e tretë të seminarit, të cilin e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Pandeli Majko, panelistët diskutuan për të ardhmen e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e NATO-s si një ofrues i sigurisë. U analizuan, gjithashtu, kontributet e saj për stabilizimin e rajonit dhe partneritetet e saj individuale.
“Falë përkushtimit për dialog dhe bashkëpunimit, sot, marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë më nuk janë kërcënim për stabilitetin në rajon. Por, mund të them, mund të jenë fare lehtë edhe shembull i bashkëpunimit konstruktiv”, theksoi Thaçi, duke shtuar se Kosova është e gatshme dhe kërkon që dialogu të ngritet në një nivel tjetër, të marrë një tjetër kualitet. Ai tha po ashtu se procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor i ka inkurajuar vendet e rajonit dhe e ka kthyer besimin në bindje se rajoni e ka vendin në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Por, sipas tij, tashmë është e kuptueshme që zgjerimi nuk është prioritet aktual për Bashkimin Evropian, për shkak të problemeve, sikurse kriza financiare, vala e refugjatëve, BREXIT-i, tema këto, të cilat, sipas presidentit, e kanë tërhequr vëmendjen e Brukselit nga Ballkani Perëndimor, gjë që mund të prodhojë efekte shumë negative.
“Vonesa e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s që ta afrojë afër vetes rajonin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lë thjeshtë vetëm një vakum. Ideologjitë tjera nga kontinente tjera me agjenda tjera për botën, po përpiqen të depërtojnë në rajonin tonë. Ato mezi presin që ta mbushin vakumin që do t’i lë vonesa e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Prandaj, është qenësore për rajonin tonë, por edhe për vet Bashkimin Evropian dhe NATO-n, që të mos vonohemi në proceset integruese të rajonit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”, potencoi Thaçi.
Sipas tij, Kosova ka qenë e suksesshme në luftën kundër radikalizmit dhe ekstremizmit.
Presidenti i Kosovës bëri të ditur se së bashku me partnerët ndërkombëtarë po punohet edhe për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Dëshirojmë që vendimi për themelimin e Armatës së Kosovës të ketë miratimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Përvoja që kemi me Forcën e Sigurisë së Kosovës, që e kemi tani, na bën të jemi optimistë për këtë ambicie”, theksoi presidenti Thaçi.
Në sesionin e tretë të seminarit, të cilin e moderoi kryesuesi i delegacionit shqiptar në AP të NATO-s, Pandeli Majko, panelistët diskutuan për të ardhmen e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, si dhe rolin e NATO-s si një ofrues i sigurisë. U analizuan, gjithashtu, kontributet e saj për stabilizimin e rajonit dhe partneritetet e saj individuale.
Sesionin e hapi me diskutimin e tij, komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo, i cili foli për rolin e kësaj force ushtarake në krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ai tha se KFOR-i kontribuon në krijimin e kapaciteteve vendore, përfshirë edhe mbështetjen e veprimeve të pranisë ndërkombëtare civile në Kosovë. Gjendja e sigurisë në Kosovë, shtoi gjenerali Fungo, është përmirësuar dukshëm që nga viti 1999, kur KFOR-i ka luajtur rol kryesor në krijimin e stabilitetit. Megjithatë, sipas, tij, ende mbeten shumë sfida.
“Kam besim në këtë aspekt se ky proces do të vazhdojë edhe më tej me mbështetjen e plotë të të gjithë akterëve të rëndësishëm, qoftë në nivel lokal apo në arenën ndërkombëtare, duke ndarë të njëjta objektivat, siç janë: paqja, stabiliteti, prosperiteti, të drejtat e njeriut, rendi dhe ligji”, theksoi komandanti i 21-të i KFOR-it në Kosovë.
Gjeneral Dietmar Mosmann, drejtor, Këshilltar i NATO-s dhe Ekipit Ndërlidhës (NALT), tha se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit, duke mirëpritur aspiratën e Kosovës që të përmirësojë aftësinë e saj për të garantuar siguri për të gjithë banorët e saj dhe të kontribuojë për sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Në vazhdim, auditoriumit të këtij seminari iu drejtua me një fjalë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delaëie, i cili foli për rolin e NATO-s në Ballkan, nga pikëpamja e SHBA-ve. Ai tha se për rreth 25 vjet rresht NATO-ja ka qenë garantuesi kryesor i sigurisë në Ballkan dhe KFOR-i si shprehje e këtij përkushtimi. Delaëie tha se KFOR-i ka qenë destimulues i dhunës dhe i jostabiletit. Sipas tij, ky mision është treguar i suksesshëm dhe roli i tij nuk ka përfunduar ende.
“NATO-ja nuk po shkon askund. Ajo do të mbetët këtu për një kohë të gjatë. NATO-ja nuk mund të tërhiqet përderisa vendi nuk e ka aftësinë vetëmbrojtëse”, theksoi ambasadori amerikan në Kosovë, duke shtuar se mbështet transformimin gradual të FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Delaëie tha se tri vende të rajonit: Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria, tashmë janë anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, ndërsa së shpejti kjo do të ndodhë edhe Malin e Zi. Këtë hap, ambasadori i SHBA-ve e konsideroi të arritur të madhe dhe sinjal të fuqishëm për të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilat aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.
Duke u ndalur në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ambasadori amerikan theksoi se Kosova është lider në këtë aspekt.
Për rolin e NATO-s në rajonin tonë dhe perspektivën e Kosovës, foli edhe ambasadori Istvan Gyarmati, kryetar i Qendrës Ndërkombëtare për Tranzicion Demokratik në Hungari. Ai tha se edhe pse Kosova është një prej vendeve të rajonit në binarët e duhur drejt Evropës, ky progres, sipas tij, mund të rrezikohet nga zhvillimet në rajon. Ai tha se rajoni po përballet me kërcënime të vjetra, por në forma të reja.
“Kemi deklarime se nuk rrezikohemi nga terrorizmi. Kjo është edhe e vërtetë edhe e pavërtetë. E vërtetë ngase në këtë moment s’po shohim shumë rrezik. Por e pavërtetë ngase kemi përpjekje në tentativë”, tha Gyarmati, duke shtuar se konfliktet e vogla nuk mund të përjashtohen as këtu e as larg prej këtu.
Në sesionin e katërt të seminarit, të cilin e udhëhoqi Antje Fritz, zëvendësshefe e Operacioneve në Evropën Juglindore, Qendra e Gjenevës për Kontrollin Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u diskutua për progresin në reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave të llogaridhënies, në funksion të transferimit të ardhshëm të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një strukturë tradicionale ushtarake.
Duke folur rreth mundësisë së këtij transformimi, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se kjo çështje ende nuk është vënë në rend dite të Kuvendit, ngaqë nuk ka pasur gatishmëri të deputetëve nga komuniteti serb, ndërkohë që ka konsensus midis pozitës e opozitës dhe deputetëve të pakicave tjera joserbe. Ai foli për angazhimet e ministrisë dhe të FSK-së në këtë proces, duke shtuar janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se pritet vetëm vendimi politik.
“Ne jemi të interesuar që të transformojmë FSK-në në FAK dhe jemi të gatshëm për këtë transformim”, theksoi ministri Haki Demolli.
Ai përmendi edhe Medaljen e artë që Skuadra e Brigadës së Reagimit të Shpejtë e FSK-së, ka fituar ditë më parë në Uells të Mbretërisë së Bashkuar, në një ndër ushtrimet më sfiduese dhe më prestigjioze në botë, “Cambrian Patrol’’. Demolli e konsideroi këtë dëshmi të përgatitjes së lartë të pjesëtarëve të kësaj Force.
Anëtarja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së të Kuvendit të Kosovës, deputetja Ganimete Musliu, foli për integrimin gjinor në sektorin e sigurisë së Kosovës dhe rolin e komisionit parlamentar në mbikëqyrjen e mekanizmave të sigurisë.
Ajo tha se tani femrat në Kosovë me mburrje dhe krenari bartin uniformat e FSK-së dhe Policisë së Kosovës, sepse, sipas saj, të gjitha paragjykimet dhe stigmat i tejkaluan kur shumë prej tyre bartën uniformën e UÇK-së. Musliu tha se në Kosovë, infrastruktura ligjore mbulon pothuajse mjaftueshëm çështjen e barazisë gjinore në pjesën më të madhe të fushave, por shpeshherë mbetet sfidë zbatimi në praktikë i bazës ligjore, e cila, sipas saj, më pas sjell hendek në krahasim me përfaqësimin e të dy gjinive në mënyrë të barabartë.
“Kosova, që nga themelimi i institucioneve të sektorit të sigurisë, ka bërë përpjekjeje të vazhdueshme për trajtimin e integritetit gjinor. Kjo ka sjell padyshim rezultate të prekshme kur shohim sot përqindjet dyshifrore të numrit të pjesëtareve të Policisë apo FSK-së. Po ashtu edhe numri i pozitave vendimmarrëse është mbi standardet e nivelit rajonal. Por sigurisht se këto shifra duhet të kenë trend të rritjes. Të dhënat zyrtare flasin së në Policinë e Kosovës, përfaqësimi gjinor ka shënuar rritje të vazhdueshme, por akoma nuk është i dëshiruari. 14 % e gjithë strukturës së Policisë së Kosovës përbëhet nga femrat, e ku më shumë e ku më pak edhe në strukturën komanduese është afërsisht kështu. Ndërsa, uniformën e FSK-së, e kanë të veshur 8,52% femra. Më mirë në përfaqësimin gjinor femra është në Doganat e Kosovës, ku rreth 30 % e stafit përbëhet nga gjinia femërore”, theksoi deputetja Musliu.
Mbi perspektivat për reformën e sektorit të sigurisë në Kosovë, me qëllim të orientimit të Kosovës drejt NATO-s, foli Besfort Rrecaj, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai tha se NATO-ja ende e shoh Kosovën në prizmin e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, ndërsa shtroi nevojën që NATO-ja të gjejë një zgjidhje për këtë, duke tejkaluar këtë rezolutë dhe duke i ofruar Kosovës perspektivë të qartë.
Panelistët u përgjigjën edhe në pyetje të të pranishmëve. (Raport zyrtar i Zyrës së Kuvendit)