leoni

Avni Haki Shehu (18.12.1967 – 25.10.1999)

Avni Haki Shehu (18.12.1967 – 25.10.1999)

Dëshmori i kombit, Avni Shehu u lind më 18 dhjetor 1976 në fshatin Doganaj të Kaçanikut. Ai u rrit dhe u edukua në frymë atdhedashurie nga heroizmi dhe qëndresa titanike e Idriz Seferit në betejën e Grykës së Kaçanikut.
Shkollën fillore Avniu e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, gjimnazin “Skënderbeu” në Kaçanik.
Në shpirtin e këtij të riu ishte ngulitur thellë bindja për ta parë Kosovën e lirë dhe të pavarur. Ai i kishte vënë vetes detyrë të dorës së parë dhe ishte betuar se do të punonte me këmbëngulje për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin e trojeve etnike shqiptare. Ai nuk e ndërpreu për asnjë çast aktivitetin e tij patriotik e kombëtar. Qysh si i ri kishte marrë pjesë në protestat e viteve ’90 të shekullit 20. Edhe pse i ri kjo e shtyri që të radhitej në mesin e trimave dhe trimëreshave më të mira të kombit.
Hapat e parë i bëri në organizimin dhe frymëzimin e ushtarëve të njësitit të Kaçanikut, që nga korriku i vitit 1998. Gëzimi i tij ishte i madh kur veshi uniformën dhe u radhit në radhët e UÇK-së, më 15 shtator 1998, në pikën e luftës në Jezerc krah për krahë me luftëtarët e Kaçanikut dhe të trevave të tjera që vepronin në këtë zonë ushtarake.
Më 24 shtator 1998, forcat serbe filluan rrethimin e fshatit Jezerc, ku njësitet e UÇK-së ishin të vendosura në pozicionet e luftës dhe në gjendje gatishmërie. Forcat serbe ndërmorën sulmin me trupa këmbësorie dhe me granatime nga të gjitha anët. Granatimet vazhduan pa ndërprerë ditën e natën deri më 28 shtator, kur filloi beteja ballë për ballë. Përkundër asaj që armiku vuri në funksion tërë potencialin luftarak, njësitet e UÇK-së u shkaktuan humbje të mëdha, kurse kontribut të dalluar në këto luftime kishte dhënë edhe luftëtari Avni Shehu. Bashkëluftëtarët e ngushtë të Avniut ishin Xheladin Kurtaj, Bashkim Vishi, Nazim Tërziu, Nesret Cena, Afrim Kurtaj, Sylejman Selmani, Zejnullah Selmani, Haziz Xhokli, Ramadan Xhokli, Kemajl Murseli, Reshat Murseli, Ferat Malsiu, e shumë të tjerë.
Pas përfundimit të betejës së Jezercit, Avni bashkë me bashkëluftëtarët e tij marshoi në drejtim të maleve të Kaçanikut për ta organizuar e shtrirë UÇK-në edhe në këtë trevë. Pas këtij organizimi, që nga 26 Shkurti i vitit 1999, ai bashkë me bashkëluftëtarët e tij vazhdoi drejt betejës në Puset e Nikës e Gajres më 28 Shkurt, betejës së Ivajës më 8 Mars, betejës së Kotlinës, më 24 Mars 1999, e betejës së 25 Majit 1999.
Asokohe, komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” e kishte angazhuar Avni Shehun në policinë ushtarake. Me marrjen e kësaj detyre Avniu vazhdoi aktivitetin me përgjegjësi të lartë.
Avniu ishte trim, besnik por kishte edhe cilësi artisti. Në kohën e lirë, ai këndonte për luftën çlirimtare dhe heroizmin e dëshmorëve. Avniu krahas detyrave tjera merrej edhe aktivitetin kulturor ku ishte anëtarë i shoqatës kulturore-artistike “Idriz Seferi” në bashkësinë lokale Doganaj bashkë me Xheladin Kurtaj, Xhabir Elezin, Vebi Shehun, Nuhi Provoliun etj.
Çlirimin e Kosovës e priti me gëzim të madh, por i zhgënjyer pse nuk u vazhdua lufta deri në çlirimin e të gjithave trevave shqiptare. Edhe pas çlirimit të Kosovës vazhdoi veprimin e tij kundër bashkëpunëtorëve të armikut dhe përgatitjen për luftërat e tjera çlirimtare të trojeve shqiptare. Më 25 tetor 1999, në krye të detyrës në Doganaj të Kaçanikut ra, bashkë me bashkëluftëtarët e tij të ngushtë, Naim Beka e Agim Matoshi. Avniu nuk ishte i martuar. Pas vetes la prindërit, Hakiun e Hazbijen, vëllezërit Vebiun e Shabiun dhe motrat Makfiretin, Nergjivanen e Ganimeten. Rivarrimi i Avniut u bë me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Kaçanik. Në fshatin e lindjes, te ura në Doganaj, bashkëluftëtarët ia kanë zbuluar pllakën përkujtimore. (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …