Shërbimi Këshillues në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural do ta lehtësojë punën e fermerëve edhe më tej përmes këshillave bujqësore, të cilat do të jenë konkrete, profesionale dhe do të ndikojnë në ngritjen e nivelit të edukimit joformal mbi kultivimin e shumë kulturave bujqësore dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera në sektor. Kështu është shprehur zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, në përmbylljen e projektit Asistencë në forcimin e shërbimeve këshilluese të MBPZHR-së dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve teknike të ofruara nga laboratorët e ministrisë, i financuar nga MBPZHR-ja dhe BE-ja.
Me këtë rast, zëvendësministri Januzi ka theksuar se Shërbimet Këshilluese janë shumë të rëndësishme për zhvillimin dhe modernizimin e sektorit agrorural, prandaj ai tregoi se edhe ministria është duke punuar shumë në ofrimin këtyre këshillave në terren.
Ai ka treguar se janë arritur objektivat e përgjithshme të projektit, të cilat ishin për të mbështetur MBPZHR-në për të krijuar një sistem funksional këshillues të Kosovës për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (SKKBZHR) , i cili tashmë ai tha se është i gatshëm të ofrojë shërbime këshilluese cilësore për fermerët.
Ndryshe, në kuadër të këtij projekti janë themeluar 31 Qendra Informative Komunale në 31 komuna të Kosovës, janë certifikuar 38 këshilltarë publikë dhe 98 këshilltarë privat, janë hartuar 8 udhëzime administrative për zbatim të Ligjit për Shërbimet Këshilluese dhe Zhvillim Rural, janë ngritur kapacitetet e stafit, si dhe shumë aktivitete tjera.