Nën petkun e pushtetit ndjehesh madhështor
Matanë vetes asgjë nuk shikon
Të verboi lakmia ndaj përlyen çdo vlerë
Ke harruar madje edhe Zotin
Po pse aq athët më vështron
E vrajave ma shkundullon dhembjen e vjetër
Ah mos qofsh vëlla Kain
Unë e harruar le të mbetem
Sall të rritet pemë e lumtur nga humusi i eshtrave të mi
Ani se ti pafytyrësisht
Don të ma përvetësosh emrin dhe mundin.
Elife Luzha: Muzgut të purpurt vetëtimthi rrëshqasin ditët…
SFIDË
Stinës së rrebeshtë u nisa për tek ti
Qielli i tendosur ishte pa ngjyrë
Ndër shkrepëtima rrufesh e mugëtirës nxirane
Për një fije rreze qe sa mote në kërkim
Me vrullin e mallit e lotin e përvëlitur ia beha
Si kopsht me trëndafila të të gjej jo s’e kam pritur
Por jo as kështu të sfilitur nga dhimbjet det
Në pritje të një dite të bardhë për të lindur
Më sëmboi shikimi yt i vranët vetullngrysur
Ndjenjë e trandur hidhërimi si thikë më shpotiu
Sa shumë desha të t’i zbusja plagët që të kanë molisur
Po pa frymë mbeta mes dhimbjeve tua të zjarrta të lindjes
Tragës së gjakut amaneti na përtëritet ndër brezni
Damarëve të moteve nga hyjni qiellore lartësuar
Ne bijtë e tu një mijë here kemi për të lindur
Gjersa dielli rrezëtar të ndrijë mbarë hapësirave tua.
KËRKOJ SYTË E TU
(Nënës, që më mungon aq shumë)
Thellësisë së qiellit kërkoj sytë e tu
Si yll vezëllues ta ndiej atë shikim
Mallshëm tranden kujtimet
Në rrënjë zemre ngjizur
Përgjunjur përpij lotët
Që s’më ngushëllojnë
Sa shpejt ike nënë
Nga kjo botë ëndërrimtare siç thoshe
Në ç’ kopsht parajse tani e qetë pushon
Me dhembje malli tani e vetme kam mbetur
Pa fjalërrezen tënde e dashurinë pa kushte
Që më mungon më mungon
Të lutem o Hyu im Ynzot që je
Mrekullive tua më ndihmo t’u besoj
Kur të kem arritur fundrrugën e udhëtimit tim
Në paqe hyjnore me nënën më bashko.
TEJ MË TEJ
Përtej zhurmës së stinëve brengat tejevijnë
Vernisja rreth derës më bie kokëposhtë
Muzgut të purpurt vetëtimthi rrëshqasin ditët
Pa pikë hamendjeje a tundimi
Humbellave terrane zhduket dielli im bleror
E vitet zverdhen ngjyrëlimon
Nga dallgë angështie që duan të më përpijnë
Tek përballem me aromëlulevetminë çdo stinë
Ja me duart e mia zemrën ta shpalosa
Ti tej më tej qiellit shikomë
Jam kaltërinë
Kaltërinë