Zogaj – Gashi: Teknologjia Informative promotor i zhvillimit ekonomik

Ministria e Zhvillimit Ekonomik si përgjegjëse për krijimin e politikave kombëtare për Teknologji Informative dhe Komunikuese, së bashku me akterë tjerë që kanë të bëjnë me sektorin e TIK-ut, është duke bërë përpjekje që kjo teknologji të jetë promotor i zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik dhe proceseve shoqërore në Kosovë, kështu ka deklaruar Besa Zogaj – Gashi, zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik në hapje të Konferencës vjetore të Bankave të Kosovës me temë; “ Shërbimet Digjitale Bankare në Kosovë “, organizuar nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

Ajo më tej ka pohuar se në mënyrë që shërbimet bankare të jenë univerzale dhe të shtrirë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, Qeveria e Kosovës respektivisht Ministria e  Zhvillimit Ekonomik në partneritet me Bankën Botërore janë duke zhvilluar një Program gjithëpërfshirës për Ekonominë Digjitale të Kosovës (Kosovo Digital Economy – KODE).

“Ky program do të kontribuoj ndjeshëm edhe në shtrirjen e shërbimeve bankare sepse do të adresojë shtrirjen e infrastrukturës brez gjerë në viset rurale të Kosovës ku deri më tash ndoshta nuk ka pasur mundësi të prezencës së shërbimeve bankare, është shprehur Zogaj –Gashi.

Ndërsa, sa i përket kornizës ligjore zv.ministrja Zogaj – Gashi ka njoftuar të pranishmit se MZHE  gjatë vitit të ardhshëm planifikon që të fillohet me procedurat për avancimin e legjislacionit që ka të bëjë me shërbimet elektronike dhe që janë në interes edhe të sektorit bankar, respektivisht do të fillohet  me transpozimin e Rregullores për Identitetin Elektronik dhe Shërbimeve të Besueshme për Transaksionet Elektronike.

Ndryshe, zëvendësministrja  Zogaj – Gashi para të pranishmëve ka rikujtuar  se eksporti i shërbimeve të TI-së ka shënuar rritje të konsiderueshme në këto tre vitet e fundit.

“Jam e bindur që lehtësirat që do të krijohen nga ana e Qeverisë për kompanitë që do të ofrojnë shërbime të TI-së të orientuara kah eksporti dhe me këtë edhe avancimi i shërbimeve të ofruara nga sektori bankar, do të rrisin interesimin e ndërmarrësve të rinj që të merren me TI dhe ta konsiderojnë këtë teknologji si mjet edhe për rritje dhe zhvillim ekonomik” është shprehur Zogaj – Gashi.

Ndryshe, të pranishmit kanë shpalosur të dhënat mbi nivelin aktual të zhvillimit të Shërbimeve Digjitale Bankare në Kosovë dhe mundësitë e zhvillimit të mëtutjeshëm në këtë fushë.

Kontrolloni gjithashtu

Ferizajaset Valmira Ramadani dhe Yllka Jashari fituese të medaljes së bronztë në Kampionatin Ballkanik të Beach Volleyt

Ferizajaset Valmira Ramadani dhe Yllka Jashari i siguruan Kosovës, medaljen e bronztë në BVA Kampionatin …