Kryekuvendari, Kadri Veseli, vizitoi Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai me këtë rast u prit në një takim të veçantë nga udhëheqja e re. Pasi uroi drejtuesit për detyrën në krye të organizatës që përfaqëson ish-luftëtarët e lirisë, Veseli tha se kjo është një nga kategoritë e qytetarëve e cila ka nevojë të madhe për përkrahje institucionale, në radhë të parë morale dhe ajo nuk ka nevojë për lëmoshë. Ish-luftëtarët, janë të gatshëm të marrin secilën përgjegjësi që u takon, në funksion të ndërtimit dhe forcimit të shtetësisë së Kosovës. Ata janë duke u ballafaquar me një situatë, për të cilën më së paku janë fajtorë. “Veteranët po mundohen të gjejnë një zgjidhje. Secili prej tyre e ndien veten të fyer nga çdo manipulim i cili mund të bëhet në emër të tyre, veçanërisht në ngarkimin e buxhetit të Republikës së Kosovës. Ata janë të gatshëm ta japin ende për Kosovën dhe shumë shpejt do ta gjejnë zgjidhjen”, theksoi kryeparlamentari Veseli. Në fund kryetari i veteranëve, Hysni Gucati, falënderoi kryetarin Veseli për vizitën.
