Përgjigjja që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i dha Ministrisë së Jashtme greke lidhur me prishjen e ndërtesave të disa minoritarëve grekë në Himarë, ndezi sulmin e medieve kryesore të këtij vendi ndaj kryeministrit, Rama i cili ka shkruar se Akropoli në Greqi ka shpëtuar falë shqiptarëve. Artikulli i gazetës më të madhe në vend, “Kathimerini”, e cila ka përkthyer të gjitha fjalët e kryeministrit sqaron se kjo përgjigje i referohet urdhrit për largimin nga shtëpitë e tyre të 19 familjeve himariote duke bërë një paralelizëm të Athinës me të. “Nuk bëjmë dallime për prishjet në Himarë” është titulli i artikullit të një tjetër të përditshmeje. “To Vima” thotë se për kryeministrin shqiptar është e pa takt ndërhyrja e Greqisë në një çështje të tillë dhe për këtë arsye ka thirrur në takim ambasadoren greke, në Tiranë. Ndërsa gazeta, “Epirus”, artikullit të saj i ka vënë titullin “Përshkallëzohet situata! Tirana zyrtare thërret në takim ambasadoren dhe Rama provokon Athinën”, një artikull ku theksohet se pas 15 vitesh marrëdhëniet mes të dyja vendeve gjenden në buzë të Greminës.
Me një mënyrë të tijën karakteristike, vijon artikulli, ai i ka kthyer përgjigje Athinës duke përdorur një gravurë të Akropolit të vitit 1670 dhe shkruan se qëndron në këmbë sot e kësaj dite falë një shqiptari të quajtur, Gjergj Dushmani, i cili u kërkoi venecianëve që të mos e bombardojnë Athinën. Mediat greke shkruajnë se Kryeministri shqiptar nuk e njeh historinë dhe se Gjergj Dushmani nuk është shqiptar, por është nga Korfuzi. Ndërkohë, “To Ethnos” shkruan se “shqiptarët vazhdojnë të provokojnë me Himarën”. Të tjera medie shkruajnë mbi atë që e cilësojnë si përgjigjjen e pabesueshme të Edi Ramës mbi çështjen e Himarës duke iu referuar edhe qëndrimit zyrtar të ministrisë sonë të jashtme, por portali online i “Pro News” shkon më tej kur shkruan se “injoranti i historisë, Edi Rama sfidon: Akropoli qëndron ende në këmbë falë një shqiptari. Himara është Shqipëri”. (Top Channel)