Qeveria kërkon më shumë përgjegjësi nga drejtuesit e Ndërmarrjeve Publike

Me qëllimi të diskutimit të gjendjes aktuale dhe sfidat me të cilat ballafaqohen Ndërmarrjet Publike Qendrore, Kryeministri Isa Mustafa i shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kanë zhvilluar një takim me Kryesuesit e Bordeve të Drejtoreve dhe Kryeshefave Ekzekutiv të 16 Ndërmarrjeve Publike Qendrore.

Me këtë rast, në cilësinë e aksionarit Kryeministri Mustafa dhe Ministri Stavileci kërkuan më shumë përgjegjësi nga ana e drejtuesve të Ndërmarrjeve Publike me qëllim të përmirësimit të performancës së tyre dhe kapërcimin e problemeve.

Kryeministri Mustafa theksoi se qëllimi i takimit të sotëm është që të bisedohet lidhur me problemet që po hasin kompanitë publike, rreth afarizmit të tyre, sepse Qeveria ka pasur mjaftë kërkesa për mjete financiare, qoftë për investime kapitale, qoftë për subvencione, ndërkaq, evidencat flasin se kemi një numër të kompanive që tash kanë filluar të punojnë me humbje.

“Kjo është mjaft brengosëse dhe na bie në situatë që ne të duhet t’i ridefinojmë politikat tona ndaj kompanive publike. Duhet po ashtu të vlerësojmë performancën e bordeve të kompanive publike si dhe menaxhmentit të kompanive publike, sepse nuk mund të lejojmë që të kemi kompani publike, të cilat pastaj të bien barrë të buxhetit”, tha Mustafa.

Kreu i Qeverisë vlerësoi se është shumë e diskutueshme që ne kemi kompani publike, të cilat punojnë me humbje, ndërkaq pagat në këto kompani janë dy apo tri herë më të mëdha sesa të pagat e shërbyesve civilë ose të Qeverisë ose të Parlamentit, derisa kërkohet prej Qeverisë që të mbulohen shpenzimet ose humbjet e tyre.

Nga ana e tij, edhe Ministri Blerand Stavileci nënvizoi faktin se ka kërkesa të shumta për subvencionim dhe kërkesa të tjera financiare nga ana e NP-ve, por shtoi se problemet duhet t’i ndajmë në; probleme me vendimet gjyqësore; probleme politike (Mitrovica dhe Iber Lepenci), probleme ekonomike; InfraKosi dhe TrainKosi.

Ai tha se pavarësisht faktit që Qeveria nuk ka pasur përgjegjësi të drejtpërdrejtë është munduar që disa nga to t’i adresojë, ndërsa tha se ka ndërmarrje publike tek të cilat duhet të ndryshohet mentaliteti qeverisës, ngase jo të gjitha problemet janë si rezultat i faktorëve të jashtëm.

“Andaj duhet të ulemi dhe të shikojmë se cilat janë mundësitë për përmirësime, çështja e pagave dhe çështja e ristrukturimit do të mbetet objekt i ligjit të ri për ndërmarrjet publike, konceptin e të cilit ne jemi duke e përgatitur dhe vitin e ardhshëm do të futet në tryezën legjislative”, tha Stavileci.

I pari i MZHE-së tha se kanë marrëdhënie shumë të mira me donatorët, por kompanitë nuk duhet ta humbin këtë mbështetje të donatorëve që e kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi.

Më pas, përfaqësuesit e NP-ve kanë prezantuar sfidat me të cilat ballafaqohen, ndërsa Qeveria në cilësinë e Aksionari u premtoi më shumë angazhim për të adresuar problemet.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …