leoni

Kosova me numrin më të vogël të investimeve në Maqedoni

Maqedonia në vitet fundit ka bërë një ngritje mjaft impresive në listat botërore sa i përket krijimit të lehtësirave në ngritjn e bizneseve, gjegjësisht investimeve nga jashtë. Derisa investitorët e huaj kryesor në këtë shtet janë nga Greqia, Turqia, Serbia e Shqipëria, ndërsa numri më i vogël i investitorëve, mbetën ata nga Kosova.

E për këtë ekonomistët kosovarë ua hedhin fajin të dy qeverive, me theks të veçantë asaj të Maqedonisë, pasi që Kosova dihet që është importuesi kryesor i mallrave të këtij shteti.

Ekonomisti kosovar Naim Gashi thotë për Zhurnal se Maqedonia ka treguar mungesë respekti për prodhimet kosovare pasi që rruga e vetme të lidhet me Kosovën nga Shkupi në Han të Elezit, ka mbetur pa u zgjeruar, derisa Kosova po shpenzon rreth gjysmë miliardi euro për tu lidhur me Maqedoninë.

“Në vend se të ishte e kundërta, Maqedonia të ndërtonte autostrada për prodhimet e saj që më së shumti po gjejnë vend në Kosovë, po ndodh e kundërta. Qeveria në Shkup po udhëheq politika refuzuese ndaj fqinjëve të saj, sidomos ndaj shqiptarëve në Ballkan dhe grekëve dhe nëpërmes këtyre politikave po dekurajon bizneset kosovare për tu investuar në Maqedoni. Disa herë është paraparë që të mbahen mbledhje të përbashkëta të Qeverive të Kosovës dhe të Maqedonisë, por Shkupi zyrtar ka bërë obstruksione dhe ka pamundësuar një mbledhje të tillë” thotë Gashi për Zhurnal. Duke shtuar më tej se pikërisht në këto mbledhje ka qenë e paraparë që të hiqen barrierat për prodhimet e të dyja vendeve.

“Investimet nga Kosova në Maqedoni janë simbolike. Investitorët nga Kosova po përballen me burokracinë e autoriteteve maqedonase për të gjetur hapësira investive. Mendimi im është se partitë shqiptare në Qeverinë maqedonase duhet të përdorin ndikimin e tyre për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik me Kosovën”, përfundon ai.

“Investimet kosovare në Maqedoni janë simbolike” 

Që investimet kosovare në Maqedoni janë simbolike e thotë edhe ekonomisti tjetër kosovar, Blerim Burjani. Ai shprehet për Zhurnal se ka shumë gjëra që duhet bërë dy qeveritë për të krijuar mundësi reale objektive të investimeve.

“Maqedonia ka ligje efektive liberale për investitorët e huaj, por jo edhe aq për Kosovën edhe pse raportet tregtare në mes dy shteteve zënë vendin e dytë në Kosovë, eksporti në mes dy shteteve zënë vendin e dytë për Kosovën në rajon, pra partneri numër 2 më i madh në rajon në marrëdhënie tregtare i Kosovës është Maqedonia. Mendoj se dy shtetet duhet së pari të precizojnë objektivat e investimeve reciproke për disa fusha ekonomike perveç raporteve tregtare që jane pozitive”, shprehet Burjani. Sipas tij, me përcaktimin e dy anshëm të prioriteve në mes qeverive, atëherë mund të arrihet stimulimi më i madh i ndërmarrjeve kosovare në Maqedoni.

“Konsideroj se edhe komunikimi në nivel odash ekonomike në mes dy shteteve është i dobët. Për maqedonët kapitali kosovar nuk është shumë domethënës sa i disa shteteve të tjera të regjionit kur flitet për mundësitë e investimeve. Qeveritë në të ardhmen do të duhej takuar më shpesh në Prishtinë dhe Shkup për te definuar zonat e interesit dhe për të ofruar mundësi njëra- tjetrës në investime reciproke. Duket se qeveritë e dy vendeve ia kanë lanë vet biznesmenëve që të interesohen për investime”, shton tutje Burjani për Zhurnal.

Në një linjë me ekonomistët kosovarë qëndron edhe ekonomisti shqiptar nga Maqedonia, Jeton Mazllami. Ai për Zhurnal thotë se dy shtetet fqinje duhet ta rrisin bashkëpunimin ekonomik krahas eksportit të mirave dhe shërbimeve edhe në sferën e eksportit dhe importit të kapitalit që njihen si investime të huaja.

“Sa i përket këmbimit tregtar në mes Maqedonisë dhe Kosovës mund të themi se ka avantazhe krahasuese të kompanive, me crast ekziston një vëllim i konsiderueshëm tregtar në favor të Maqedonisë. Ndërsa në anën e investimeve të ndërsjella mes këtyre vendeve mund të themi se ato janë shumë të ulëta si rezultat i jo konkurentshmërisë së kompanive të të dy vendeve me ç’rast nuk do të arrinin t’i mbijetojnë konkurrencës si investitorëve jashtë këtyre vendeve”, thekson ai. Mirëpo sipas Mazllamit, investimet e ndërsjella mund të takohen në sferën e industrisë ushqimore, përpunuese të drurit dhe lëkurës, në industrinë e prodhimeve ndërtimore etj.

“Fatkeqësisht edhe përkundër kushteve të volitshme të të bërit biznes në Maqedoni, akoma nuk ka investime të huja që na lë të kuptojmë se faktori ekonomik apo financiar nuk është determinues në rastin konkret, por diç tjetër, si përshembull , siguria, stabiliteti politik, ekonomik, mosfunksionimi i shtetit juridik dhe një gamë faktorësh jo ekonomik”, përfundon ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit nga Banka Popullore, bilanci i përgjithshëm i investimeve të huaja në 11 muajt e vitit të kaluar  në Maqedoni ka qenë 142 milionë euro, që është për 32 milion euro më pak sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …