Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: UÇK-ja nuk mbrohet me rezoluta por me një qëndrim unik kombëtar

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se mbrojtja e luftës çlirimtare kërkon konsensus nacional. Në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se duhet të bëhet bashkimi i krahut të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, i cili tani për tani është shumë i parcializuar dhe shumë nga ata kanë humbur objektivin. “Mbrojtja e Luftës Çlirimtare pa dyshim se kërkon një konsensus nacional, por kjo, si po duket, është e pamundur. Ky parcializim është shkaktuar nga individë të papërgjegjshëm të cilët pas luftës e keqpërdoren skajshmërisht fuqinë e kësaj lëvizje. Se a do të kthjellej kjo kategori, unë kam pak shpresa”, ka deklaruar Krasniqi. Ai e ka quajtur të vonuar dhe joserioz miratimin e Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për mbrojtjen e vlerave të luftës. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për procesin e verifikimit të veteranëve ndërkohë që ka saktësuar se ai ka qenë proces për vota e jo për veteranët e UÇK-së dhe Komisioni Qeveritar dhe të gjithë mashtruesit e tjerë duhet të hetohen për papërgjegjësinë e tyre.

Madje, sipas Krasniqit, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe Ligjit për Gjykatën Speciale, kjo rezolutë nuk thotë asgjë. “Pas një debati që i ngjante shumë një fushate zgjedhore, me akuza të drejtuara krejt në adresë të gabuar nga deputetët e pozitës të cilët e huqen objektivin, Kuvendi arriti ta miratojë një Rezolutë, por sa do të jetë obliguese e ndikuese për atë që u bë ajo, duhet të shohim! Si iniciativë është më shumë se e vonuar, por edhe kështu nuk ishte serioze. Unë po flas, shkurt e shqip. Kjo Rezolutë, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese e ligjit për Gjykatën Speciale, nuk thotë asgjë! Është sikur me ‘prashitë në ujë’”, është shprehur ai. Kurse ngritjen e aktakuzës ndaj Fatmir Limajt, Krasniqi e ka quajtur përndjekje dhe persekutim. “As Prokuroria e as KPK-ja mos të pretendojnë ta marrin në duart e tyre pronësinë e drejtësisë. Pas një përndjekje të gjatë ndaj Fatmir Limajt, pas trajtimit e ritrajtimit të gjatë kësaj lënde, kjo aktakuzë nuk mund të trajtohet ndryshe vetëm si përndjekje e persekutim”, ka theksuar Krasniqi, duke shtuar se është e vështirë të luftohet padrejtësia që e ka vesh petkun e “drejtësisë”. Ai ka thënë se edhe konfirmimi i dënimit për rastin “Drenica II” ishte i papritur dhe skandaloz. “Gjykimi i vërtetuar nga Apeli ishte i papritur, mbase edhe skandaloz. Po dëgjohen zëra, se nuk duhet ndërhyrë në drejtësi?! Pajtohem, por si të luftohet padrejtësia që e ka veshur petkun e ‘drejtësisë’? Edhe sistemi socialist e kishte sistemin e drejtësisë, po sa kishte drejtësi?”, ka deklaruar Krasniqi. Në këtë intervistë ai ka folur edhe për procesin e verifikimit të veteranëve duke thënë se është proces për vota e jo për veteranët e UÇK-së. Sipas Krasniqit, Komisioni Qeveritar dhe të gjithë mashtruesit e tjerë duhet të hetohen. “Si e shoh këtë proces? E shoh krejt zi! Proces për vota e jo për veteranët e UÇK-së. Këtu do të duhej të dëshmohej Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në shumë raste të tjera që po e rrënojnë pasurinë kombëtare dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës. Nuk kam asnjë dyshim, Komisioni Qeveritar dhe të gjithë mashtruesit e tjerë duhet të hetohen në hollësi. Komisioni ka dështuar në kryerjen e punës që i ishte ngarkuar”, ka vlerësuar Krasniqi.

Kontrolloni gjithashtu

Nuredin Lushtaku: Sulmi i 21 janarit i vitit 1998 ndaj familjes Jashari, na mobilizoi të gjithëve për mbrojte të tokës arbërore

Lista “Ideal” i bashkohet koalicionit AAK-NISMA, Nuredin Lushtaku kandidat për deputet dhe kryetar të Skenderajt

Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se lista “Ideal”, e krijuar …