Asamblisti i LDK-së, Flamur Shala ka reaguar për mosraportimin e buxhetit nëntëmujor në Komunën e Prishtinës.
Sipas tij, është jashtë çdo norme që nga një buxhet prej rreth 74 milionë eurove, me 34 milionë të planifikuara për investime kapitale për nëntë muaj të shpenzohesh vetëm 11 milionë.
Shala vlerëson se mos raportimi në Kuvend nga ana e drejtuesve të Prishtinës është dështim.
“Është jashtë çdo norme që nga një buxhet prej afro 74 milionësh, me afro 34 milionë të planifikuara për investime kapitale, për nëntë muaj (janar-shtator) të shpenzohen vetëm 11 milionë, (32.98 %). Kjo nuk do mend se qeverisja në Prishtinë është e dështuar dhe e kolapsuar”, ka shkruar Flamur Shala në profilin tij në Facebook.
Sipas tij, raporti mbi buxhetin duhet të debatohet në Kuvendin komunal të Prishtinës.