Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie bën të ditur se Atdhe Arifi po terrorizohet në burgun e Lipjanit. “Sot, me shqetësim morëm informacione se Atdhe Arifi, i burgosur padrejtësisht, po terrorizohet në mënyrë psikike dhe të vazhdueshme nga autoritetet e burgut të Lipjanit, ku po mbahet padrejtësisht. Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë: Mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti. Vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj terrorizimi psiqik ndaj aktivistit tonë Atdhe Arifi, flet për terrorin sistematik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë t’i rezistojnë kësaj Qeverie. Këto metoda fashiste, e kanë shndërruar Kosovën në vend autoritar e policor dhe kjo është e papranueshme dhe e patolerueshme për qytetarët e vendit tonë”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes, e cila kërkon lirimin e menjëhershëm nga burgu të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit.
Kontrolloni gjithashtu
Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë
Sllovakia, është njëra nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …