Është kënaqësi e veçantë të shkruhet për shokët e vëllezërit tanë, të cilët e kanë ruajtur të freskët dashurinë dhe përkushtimin atdhetar, që as janë thyer e as janë shitur e as janë blerë, të cilët edhe me gjakun e tyre i kanë larë burgjet jugosllave dhe të cilët janë pjesë e kurorës së madhështisë dhe heroizmit atdhetar, janë pjesa e djemve dhe vajzave më të mira të kombit shqiptar, që me veprimtarinë dhe dinjitetin e shqiptarit, me krenarinë dhe përkushtimin e tyre, kanë lënë faqe të ndritura në historinë më re të Shqipërisë. Vepra e tyre është e do të jetë pishtar në rrugën e lirisë dhe bashkimit të Shqipërisë. Pjesë e këtij pishtari dhe kësaj rruge, pashmangshëm, është edhe veprimtari dhe atdhetari i përkushtuar Sadik Buja, për të cilin shoku dhe vëllai ynë Agim Sylejmani, veprimtar dhe shkrimtar tashmë i njohur, e ka shkruar dhe botuar një vepër monografike të titulluar: “ Pergamenë e gjallë”. Sadiku me shokët e tij dhe me të gjithë bashkëveprimtarët, duke vepruar pareshtur e duke pasur qëndrimin ballëlart dhe ndershmërinë e besnikërinë ndaj atdheut, kanë tronditur themelet e Jugosllavisë pushtuese e gjakatare, kanë çarë prangat robërisë dhe kanë fituar dashurinë dhe nderimin e botës liridashëse dhe kanë tronditur botën e intrigave dhe pushtimeve, padrejtësive dhe komploteve jugosllave.
Vepra e tyre ka frymuar atdhetarisht, ata i kanë dhënë gjak e forcë themeleve të atdheut, e kanë shtruar me një tabanë të fortë rrugën e shqiptarësisë së trojeve tona të pushtuara nga serbët, maqedonasit, malazezët e grekët. Vepra e tyre është zinxhiri i pashkëputur i lutës dhe përpjekjeve të popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkimin e Shqipërisë.
Të përkujtohen dëshmorët, të shkruhet për ta, dhe për ish të burgosurit politik, veprimtarët e shumtë dhe luftëtarët e atdhetarët tjerë, gjithsesi t`i ndjejë njeriu ynë në thellësinë shpirtit: idealet për të cilat ranë dëshmorët e Atdheut dhe për të cilat punuan dhe vepruan atdhetarët e njëmendtë, jo vetëm shprehet nderim, krenari e dashuri, por është edhe domosdoshmëri, sepse ata vepruan e u flijuan për ne, për brezat që janë e do të vijnë, për lirinë e bashkimin e Atdheut dhe bërjen e Shqipërisë në kufijtë e saj të natyrshëm, si dhe shkëlqimin e saj siç do të thoshte Naim Frashëri ynë i madh, bilbili i gjuhës shqipe, se ajo do të bëhet zonjë.
Dëshmorët s`kishin ç`të na jepnin më shumë, dhanë jetën e tyre, dhanë pikën e fundit të gjakut të tyre për tokën mëmë që i lindi, i rriti, i burrëroi dhe ata i dolën në mbrojtje për t`u bërë kështjella madhështore të Shqipërisë etnike . Edhe veprimtarët atdhetarë në përgjithësi e ish të burgosurit politik, luftëtarët e UÇK- ës, të UÇPMB- ës dhe UÇK-ës në trojet shqiptare nën Maqedoninë, janë pjesë e kësaj kështjelle madhështore. Toka mëmë dhe dëshmorët, veprimtaria e përgjithshme atdhetare na flasin dhe na kujtojnë se idealet për këtë Shqipëri dhe njerëzimin duhet të jetësohen sa më parë, atëherë dhe vetëm atëherë atdheu dhe dëshmorët e tij nuk do të kenë mortje asnjëherë.
Ne kemi nevojë të frymëzohemi, të punojmë dhe veprojmë, të këmbëngulim dhe të jetësojmë idealet e shenjta atdhetare e njerëzore, që i kanë karakterizuar veprat e dëshmorëve dhe veprimtarëve të shumtë shqiptarë. Kështu dëshmorët do të prehen të qetë në tokën mëmë, që i dhanë asaj jetë nga jeta e tyre, dhe ish të burgosurit politik e veprimtarët atdhetarë, të cilët po ashtu i dhanë krah e forcë themeleve të saj, siç është shoku dhe vëllai ynë, veprimtari atdhetar i palodhur Sadik Buja.
Agim Sylejmani na ka dhuruar një vepër të shkëlqyer për veprimtarin e atdhetarin e devotshëm, për të shokun e tij të veprimtarisë e të burgut, për njeriun i cili së bashku me shokët e tij dhanë një ndihmesë të madhe për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën pushtimin serb, maqedonas e malazez. Ai ia ka arritur mbanë me shumë sukses e profesionalizëm të shkruajë veprën: “Pergamenë e gjallë” , kushtuar Sadik Bujës. Agim siç duket nuk do t`i lërë në harresën e brezave që vijnë, as shokët dhe as veprimtarinë atdhetare në përgjithësi. Ai është duke përfillur, siç është më së miri atë shprehjen e latinëve të mençur, të cilët thonë: “E shkruara mbetët, fjalët e shprehura i merr era.” Ai është duke i gdhendur në memorien e kombit veprat e çmuara atdhetare, të cilat janë krijime të trimave e trimëreshave, që qëndruan heroikisht edhe në burgje të pushtuesve jugosllavë, por që edhe dhanë një ndihmesë të madhe në rrugën e gjatë të kombit shqiptar për liri e bashkim kombëtar, siç është edhe Sadik Buja. Veprat e tyre janë damarët e atdheut, që mbajnë gjallë atë kudo si të tërë.
Ai e ka shkruar këtë vepër monografike me fakte konkrete, duke i përfillur parimet e trajtimeve profesionale të krijimeve të kësaj natyre. Ai ka përdorur dokumente dhe përjetime të tij e të shokëve të tij, por edhe të familjarëve të Sadik Bujës, të gruas e të fëmijëve e familjarëve të tjerë të tij Monografia si një studim i gjerë dhe i hollësishëm shkencor, paraqet vështirësi të mëdha derisa të botohet. Natyrisht nuk është aspak e lehtë të shkruhen veprat qofshin ato romane a monografi, por Agim Sylejmani pas botimit të disa veprave sigurisht e pati më të lehtë të shkruajë këtë vepër për Sadik Bujën, që sot po e përurojmë. Në këtë monografi, kemi aq shumë fakte konkrete dhe dëshmi të cilat vërtetojnë bindshëm veprimtarinë e Sadik Bujës dhe shokëve të tij, saqë do të ishte një mëkat i madh po të mos shkruhej e botohej kjo vepër.
Kjo monografi është burim i dorës së parë për argumente shkencore e historike, për të vënë në dukje dhe në qendër të vëmendjes edhe për brezat që janë e do të vijnë , por edhe për opinionin në përgjithësi, se për Kosovën e trojet shqiptare të pushtuara është vepruar me përkushtim deri në vetëmohim, se Kosova dhe këto vise shqiptare janë pjesë të pamohuara të Shqipërisë së natyrshme.
Të burgosurit politik dhe veprimtarët shqiptarë që kanë vepruar e kanë vuajtur dënime nga pushtuesit kanë mundësi të mëdha të shkruajnë e të nxjerrin në dritë përvojën e veprimtarinë e tyre për opinionin në përgjithësi dhe për brezat tanë që vijnë në veçanti, që t`ju japin në duar argumente të pakundërshtueshme, për të trajtuar historinë shkencërisht, në dritën e zhvillime e qëllimeve të pastra shqiptare dhe për të qenë edhe ata pjesë e rrugës së dinjitetit shqiptar e njerëzor në përgjithësi.
Nga përjetime e vuajtje nga bërja e publike e shënimeve dhe të dhënave mund të shkruhen vepra letrare të shumta.
Këto të dhëna, këto vuajtje, këto veprimtari e synime, qëllime e jetësime, në qoftë se grumbullohen me kujdes dhe përkushtim na japin mundësinë për të shkruar vepra letrare qofshin romane a krijime të tjera të gjinive e llojeve të shumta letrare, por edhe të veprave shkencore, historike, politike, sociale, psikologjike e të tjera.
Ka raste të shumta në botë, kur në krijimtarinë letrare dhe artistike temat, nxirren me sforcim, me mundime të mëdha, por mjeshtëria artistike e letrare i bënë ato vepra shumë të admirueshme, madje ngjarjet përjetohen me emocione të shumta.
Ndërsa idetë dhe temat shqiptare janë konkrete, nuk nxirren me mundim, sepse ato janë konkrete të përjetuara, rrëqethëse, emocionuese të dhembshme deri në shpirt. Këtyre përjetimeve duhet vetëm t`jua japim veshjen artistike e letrare, për të nxjerrë në dritë vepra poetike, e prozaike si romane, novela e monografi siç ka bërë edhe Agim Sylejmani, Ahmet Qeriqi, Kadri Rexha, Lebit Murtishi e disa të tjerë.
Agim Sylejmani pasi e botoi romanin : “Rugëtimi i një vigani” kushtuar veprimtarit e heroit shqiptar Rexhep Malaj, pasi e botoi edhe një monografi po për këtë hero e botoi edhe e monografinë për Sadik Bujën. Kjo monografi, siç u cek më sipër, ka detaje e të dhëna të shumta, që kanë pasuruar bindshëm lëndën monografike. Një karakteristikë e veçantë e veprës monografike është gjuha letrare e bukur e pasur e rrjedhshme e pastër dhe këndshme shqipe, që zotëron për mrekulli Agim Sylejmani.
Ai shkruan natyrshëm, i shpenguar nga veshjet e tepërta abstrakte e pështjelluese dhe kuptueshëm jo vetëm për intelektualët, por edhe për fëmijët. Kjo e bënë veprën e tij më të lexueshme, më me vlerë e më të çmuar.
Të dhënat për fshatin, për fëmijërinë e Sadikut, për shkollimin , rininë e veprimtarinë e tij, për burgun, për familjen e tij, për shoqërinë e burgosjen, për fëmijët e tij dhe në për përgjithësi për jetën e tij deri tek ndarja e tij fizike nga ne, janë sa konkrete, të dhembshme që të therin deri në shpirt, por edhe të japin guxim, dashuri, krenari e frymëzim. Në fund fare i uroj Agim Sylejmanit të shkruajë sa më shumë vepra letrare e historike, shëndet, mbarësi dhe gjithë të mirat të tjera në jetë.