leoni

Përmbytjet shkaktuan dëme të konsiderueshme në komunën e Malishevës

Përmbytjet e javës së kaluar në komunën e Malishevës janë përcjellë me dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe në infrastrukturë, ndërsa problematikë mbetet gjendja e digës dhe urës në liqenin në Mirushë. Kështu u tha, në mbledhjen e rregullt të së hënës, të Këshillit të Drejtorëve, të drejtuar nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Përmbytjet ishin dhe tema kryesore e diskutimit në këtë mbledhje.

Në këtë mbledhje, për situatën e përgjithshme gjatë dhe pas përmbytjeve, ka raportuar zyrtari për emergjenca në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Halit Mazreku, sipas të cilit, sasia e ujit ka qenë shumë e madhe, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut,  dhe ka dëme të konsiderueshme në bujqësi e në infrastrukturë. Është dëmtuar një rrugë në Guncat, në të cilën është dashur të intervenohet me urgjencë, pastaj rruga në Banjë, ndërsa në gjendje të rëndë mbeten diga dhe ura në liqenin në Mirushë. Sipas Mazrekut, janë evakuuar dhjetë familje, ku një prej tyre tashmë është zhvendosur në një fshat tjetër.

Për vlerësimin e dëmeve nga përmbytjet, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka formuar edhe komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Në mbledhjen e së hënës të këshillit të drejtorëve, drejtorët e drejtorive, kanë raportuar për punët dhe angazhimet e tyre gjatë javës së kaluar dhe angazhimet që i kanë planifikuar për javën në vijim. Sipas drejtorëve të drejtorive, është duke vazhduar realizimi i projekteve kapitale, sipas planifikimeve dhe pavarësisht kushteve atmosferike, projektet janë drejtë përfundimit.

Po ashtu në këtë mbledhje, u raportua edhe për përgatitjet për shënimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar.

Pas mbledhjes, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, bashkë me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sejdi Paçarizi dhe drejtorin për Shërbime Publike, Milazim Morina, kanë vizituar digën në liqenin në Mirushë, për të parë nga afër gjendjen e digës, pas rënies së nivelit të ujit.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …