Kongresi i Manastirit i vitit 1908

Kongresi i Manastirit i vitit 1908 ngjarje e shënuar e Kalendarit kombëtar shqiptar

Kongresi i  Manastirit, i kishte zhvilluar punimet prej 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908 dhe  ishte Kongresi i unifikimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe  Tubim mbarëkombëtar i intelektualëve shqiptarë ishte mbajtur në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit. Për shkrimin e gjuhës shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej “Alfabeti i Stambollit”. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes bashkimit gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në kongres ishin të pranishëm 160 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë, si dhe nga komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt, Amerikë etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Gjergj Fishta.  Sekretare e komisionit u zgjodh Parashqevi Qiriazi, mësuese e shkollës së vashave në Korçë. Nënkryetar u zgjodh Grigor Cilka, nga Korça si dhe 11 anëtarë të tjerë. Në atë Kongres merrnin pjesë shqiptare te fesë myslimane, katolike, ortodoksë, dhe protestantë, njerëz të ditur dhe të gjithë erdhën së bashku, për arritjen e një qëllimi të madh kombëtar.

Kongresi vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja i cili përdoret deri më ditët tona. Gjithashtu, u vendos që pas dy vjetësh të mbahej një Kongres i dytë në Janinë për të shqyrtuar problemet drejtshkrimore e letrare, si dhe për të bërë përpjekje për shkrirjen e dialekteve gegë dhe toskë në një gjuhë të njësuar shqipe. Duke qenë se para Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte shkruar me shkronja arabe, greke, sllave, apo përshtatjet e tyre, vendosmëria e delegatëve për t’i kthyer sytë nga perëndimi ishte haptazi një shpallje kulturore e pavarësisë, gjë që nuk kaloi pa u vënë re as nga qeveria turke e as nga kisha ortodokse greke dhe aleatët e tyre sllavë.

Kontrolloni gjithashtu

Agjencia e Statistikave

ASK ka publikuar raportin për tregtinë e mallrave për muajin tetor, import 580.4 milionë, eksport vetëm 87.3 milionë euro

Agjencia e Statistikave të K9s9vës ka publikuar raportin për tregtinë e mallrave për muajin e …