Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi Thaçi me rastin e dekorimit të ish-komandantit të KFOR-it, Klaus Reinhardt, me Medaljen Ushtarake, ka thënë se gjenerali është njeriu i paqes, i sigurisë dhe i stabilitetit në Kosovën e pasluftës. Ish-komandanti i KFOR-it, Klaus Reinhardt, është shprehur me këtë rast se ndihet shumë krenar dhe i emocionuar me ndarjen e kësaj medalje për të, për të cilën ka thënë se asnjëherë nuk e ka pritur. “Unë isha 17 vjet më parë këtu. Në atë kohë nuk kishte asgjë, asnjë shkollë, asnjë spital, kaos. Tash, pas 17 vjetëve, po i shoh ndryshimet rrënjësore. Jam shumë krenar që kam ndihmuar sadopak në këtë. Jam shumë krenar që kam punuar me juve. Keni bërë një punë shumë të madhe në promovimin e Kosovës”, ka thënë gjenerali Reinhardt.
Gjenerali Reinhardt, ka thënë se Kosova ka qenë krejt një tjetër vend dhe është dashur të riorganizohet. “Kemi ndërtuar një qeveri në atë kohë me presidentin e sotshëm të Kosovës. Nëse sot shohim se ku qëndron shteti juaj. Është bërë një përparim shumë i madh. Ju keni arritur që nga një pjesë e Serbisë të ndërtoni një shtet që funksionon. Ai funksionon, sepse keni një president, i cili bashkë me të tjerët, kanë punuar dhe asnjëherë nuk janë dorëzuar për t’i shtyrë gjërat përpara”, ka thënë gjenerali Reinhardt. Kryetari Thaçi e ka falënderuar gjeneralin Reinhardt për angazhimin e tij maksimal dhe historik për paqen në vend, për ndërtimin e shoqërisë shumetnike dhe integrimin e të gjithëve në institucionet e vendit.