Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Qendra e Inovacionit në Kosovë, në kuadër të javës së globale të ndërmarrësisë organizuan forumin “Ekosistemi i Ndërmarrësish” ku u diskutura rreth zhvillimit potencial të ndërmarrësish në Kosovë.
Uranik Begu Drejtor Ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit në Kosovë tha se është e një kënaqësie të veçantë prezenca e përfaqësuesve të qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtare për t’u informuar rreth mangësive të ekosistemit të ndërmarrësish dhe si ti përmirësohen kushtet e të bërit biznes në Kosovë. Begu theksoi ndërmarrësit e rinj ballafaqohen me sfida në kuptim të zhvillimit të ideve të tyre dhe sfidës për t’i mbijetuar tregut. Sipas tij, në fokus të veçantë duhet të jetë angazhimi i gruas në biznes dhe i pjesës më të ndjeshme të shoqërisë, rinisë së Kosovës, tek e cila papunësia mbetet në nivel shumë të lartë. Begu shtoi se shenja më pozitive dhe optimiste është se të rinjtë e Kosovës kanë vullnet për të zhvilluar bizneset e tyre dhe për të krijuar vende të reja të punës, një model ky i cili i duhet zhvillimit ekonomik dhe Kosovës në përgjithësi.
Arian Zeka Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane tha se është i pashembullt partneriteti ndërmjet organizatave, të cilat përmes aktiviteteve promovojnë vlera në shoqërinë tonë të cilat do të ishin më nxitëse në zhvillimin e ndërmarrësish në Kosovë. Zeka theksoi se të gjithë, përfshirë edhe mediet kanë përgjegjësinë e promovimit të storieve të suksesit të ndërmarrësve të rinj ashtu që të rinjtë e tjerë të cilat janë para dilemës nëse ndërmarrësia është rruga që ata duhen zgjedhur ta kenë më të lehtë vendimmarrjen. Zeka u bëri thirrje institucioneve arsimore të zhvillojnë dhe promovojnë trajnime specifike të ndërmarrësish, të nevojshme në këtë epokë të zhvillimit të hovshëm të ekonomisë dixhitale, duke ditur se sipas raportit të zhvillimit njerëzor të UNDP për vitin 2016, papunësia e të rinjve, e posaçërisht e femrave, është më e larta në Evropë. Ai shtoi se institucioneve të shtetit u mbetet ende shumë për të bërë në aspekt të politikave fiskale të cilat do të ishin nxitëse për zgjerimin e bazës së ndërmarrësisë. Kjo ngjarje, sipas Zekës duhet të shërbejë si një platformë e mirë jo vetëm për diskutim por edhe për dhënie të zotimeve për veprimet të cilat secili duhet ndërmarrë për një ekosistem plotësisht funksional të ndërmarrësisë si dhe për zhvillimin e produkteve përkrahëse për ndërmarrjet e reja nga ana e institucioneve financiare.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Gregory Delawie deklaroi se Forumi “Ekosistemi i Ndërmarrësisë” është një ngjarje e organizuar në kohën më të mirë për Kosovën, pikërisht pas vlerësimit pozitiv të Bankës Botërore mbi Lehtësinë e të Bërit Biznes në indikatorët e fillimit të biznesit. Delawie theksoi se kompanitë inovative në Kosovë janë përkufizim i shkathtësive dhe etikës në punë. Sidoqoftë, sipas tij shkathtësitë nuk janë të mjaftueshme; duhet guxim për të ndërmarr riskun e fillimit të një biznesi, duke pasur parasysh që ai biznes do të jetë vend i punës për dikë tjetër. Ambasadori Delawie inkurajoi të gjithë të vazhdojnë të promovojnë dhe mbrojnë sektorin privat, si dhe të luftojnë korrupsionin. Kosova ka nevojë për ndërmarrës, të cilët krijojnë ambientin më të mirë të të bërit biznes. Kjo, sipas Delawie është mënyra më e mirë për të për të arritur rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për të krijuar vende të punës. Delawie theksoi se që nga pavarësia, Kosova ka arritur progres në ofrimin e demokracisë së lirë të tregut dhe përmirësimin e pakos fiskale për të rritur zhvillimin ekonomik dhe për të tërhequr investime të huaja. Ai tha se ndërmarrësia është shprehje e optimizmit dhe njëkohësisht inkurajoi të gjithë të ndërtojnë kompanitë e tyre, duke shtuar se këto përpjekje do të vazhdojnë të mbështeten çdo ditë.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi theksoi se java globale e ndërmarrësish është një mundësi posaçërisht për të rinjtë, të cilët duan t’i realizojnë idetë e tyre ndërmarrëse. Ai shtoi se qeveria do të angazhohet të gjej forma të përshtatshme për të stimuluar idetë e reja dhe do të vazhdojë të ndërmarrë një sërë masash në këtë drejtim. Kelmendi tha se qeveria po vazhdon të punojë në reformimin e pakos fiskale, e cila do të mbështes edhe më tej investitorët dhe ndërmarrësit e rinj. Indikatorët e klimës së të bërit biznes janë stimuj shtesë për krijimin e një klime për investitorët e rinj të cilët do të bëhen pjesë e përmirësimit të ambientit te biznesit.