Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prizrenit kanë nënshkruar dy memorandume të ndara bashkëpunimi për investime të përbashkëta në fushën e kulturës.
Memorandumi i parë ka të bëjë me projektin e adaptimit të ish shkollës, në shtëpi të kulturës në Randobravë, Prizren, projekt për të cilin MKRS do të investojë gjithsejtë 34,665 €.
Kurse, memorandumi i dytë i bashkëpunimit parasheh projektin e ndërtimit të një qendre kulturore boshnjake në Prizren, për të cilin MKRS ndanë mjete financiare në vlerë prej 337,054.32€.
Gjatë nënshkrimit të memorandumit, të pranishëm ishin zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Hoti, Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi.
Nga të dyja palët u tha se investimet në kulturë nëpërmjet këtyre dy projekteve të mëdha kane rëndësi të veçantë dhe i kontribuojnë zhvillimit të kulturës në këtë qytet, si dhe synojnë zhvillimin infrastrukturorë në fushën e kulturës.
U tha gjithashtu se projektet e tilla të përbashkëta në fushën e kulturës por edhe në fusha tjera duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen nëpërmjet bashkëpunimeve të radhës.