Sabit Syla

Dr. Sabit Syla: Dimensioni historik i figurës së Adem Demaçit

Vështirë të gjendet ndër shqiptarët, kudo që ndodhen, dikush që nuk ka dëgjuar për jetën dhe veprën e Adem Demaçit. Madje, në radhën e personaliteteve të kombit shqiptar, emri i tij është ndër emrat më të njohur. U dallua dhe u shqua si personalitet shumëdimensional: si i burgosur politik, patriot e luftëtar për të drejta kombëtare, për të drejta e njeriut, si shkrimtar, politikan e humanist. Kjo natyrisht është rezultat i një jete të tërë, të jetuar me përkushtim e të sakrifikuar për një qëllim të madh, për një qëllim që fund e krye ka pasur në fokus lirinë e popullit të vet, të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë e të pavarur dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan për të jetuar së bashku në një shtet modern, demokratik e të zhvilluar, me peshën që i takon në rajon e në Evropë. Ajo çka është, ajo çka përfaqëson Adem Demaçi i dekadave të fundit, njeriu i lirë e me mundësi veprimi si çdo njeri i lirë, ka nisur të ngjizet, apo e ka zanafillën herët, tamam para kohës kur e burgosën për një kohë të gjatë, shumë të gjatë, për ta izoluar, për t’ia ndërprerë veprimtarinë dhe për ta bërë shembull ndëshkimi për këdo shqiptar që do të ndiqte rrugën e rebelimit kundër robëruesve dhe asgjësuesve të popullit shqiptar të Kosovës.

Ishte koha kur edhe pse shumë i ri, madje tepër tepër i ri, falë inteligjencës së veçantë, me një pjekuri të parakohshme, përmes një vrojtimi të hollë të situatës së shqiptarëve në Jugosllavi dhe të politikës së qarqeve drejtuese të atij shteti, përmes përvetësimit të sintetizuar të ideve të Rilindjes Kombëtare, që ia ofronte fuqishëm njëherësh bota e dijes dhe psikologjia e vet, Adem Demaçi përcaktoi rrugën e jetës. Do të ishte ajo një rrugë plot sakrifica, plot vuajtje e mundime nga më të rëndat, por që ai, si rrallëkush, e zgjodhi dhe e rrugëtoi pa dilema, i udhëhequr nga qëllimi i lartë.

Janë disa episode domethënëse, të Adem Demaçit, të viteve të para të jetës, kur ishte tetë, tetëmbëdhjetë dhe njëzet vjeç. Ai e donte shqipen në flamur të parrethuar nga simbolet e pushtuesit fashist (1942), e donte gjuhën shqipe të respektuar e të barasvlershme në shkollë (1946), donte të vlerësohej tradita e letërsisë shqipe (1955) dhe të botohej pa politizime e të lexohej ajo (1956). Ky njeri mendjehapur, i talentuar dhe që kishte filluar të popullarizohej, mund të mos përfshihej në politikë, mund të qëndronte luajal me regjimin e kohës, të pajtohej me situatën e rëndë të popullit të vet dhe të garantonte kështu një karrierë brilante, ndoshta shumë më të mirë se ajo e atyre mediokërve, apo së paku, të pavullnetshmëve, që menduan vetëm për mirëqenien e tyre, e u shërbyen robëruesve të Kosovës. Madje edhe trumbetonin e deklaronin se: Adem Demaqi, “është kartë e djegur” e “as katundi e lagjja e tij nuk e njeh”1. Por, historia ka vërtetuar se idealet nuk vriten, e Adem Demaçi ishte plotësisht koshient se çdo të thoshte të ecte kundër regjimit, por nuk veproi ndryshe, sepse regjimi godiste e shpërbënte dhe çonte deri në asgjësim popullin e tij, e ai s’mund të pajtohej assesi me këtë. Ai nuk kishte dalë në shesh të luftonte për vete, ai do të luftonte që të bëhej mirë për të gjithë shqiptarët …

E dinte se do t’i duhej të përballej me një barrierë të fortë, të dyfishtë, do t’i duhej të përballej me një shtet të fuqishëm me ide të rrënjosura antishqiptare, por edhe me vetë shqiptarët që kishin nevojë të emancipoheshin, të qartësonin synimet dhe të ndërtonin strategjinë dhe taktikat e duhura, në përputhje me mundësitë që ofronte koha, për realizimin e aspiratave të tyre kombëtare, megjithatë Adem Demaçi guxoi ta pranonte sfidën. Të dënojë haptas padrejtësitë e regjimit ndaj shqiptarëve, të denoncojë diskriminimin e tyre, shpërnguljen masive, fushatën e dhunës çnjerëzore me pretekstin e mbledhjes së armëve nga popullsia (1955-1956), të merrje nën mbrojtje e të solidarizoheshe me të arrestuarit politikë, nuk ishte e lehtë, ishte gati vetëvrasje, por ai nuk ngurroi ta bëjë, sepse ashtu ishte e drejta, por edhe sepse duhej vrarë frika. Mesazhet politike të romanit, “Gjarpërinjtë e gjakut”, që iu botua në nr. 1 dhe 2 te revistës “Jeta e Re” në pranverën e vitit 1958, ishin të qarta. Qysh në fillim nëpërmjet vargjeve që ishin si dedikim, dukej morali i lartë i veprës: “Jo – atyne që janë trima, me ngrehe gishtin e krimit, por – atyne qe janë trima, me shtri dorën e pajtimit…”2. Ky qëllim i lartë i autorit nuk ishte i kënaqshëm për kundërshtarët të cilët u munduan që ta shtypin e ta ç’vleftësojnë me pretendimet e tyre të quajtura “folklorizëm”3, por ishte një vepër me përmbajtje të thellë morale e që pasqyronte ide të rëndësishme, ato të ndalimit të gjakmarrjes e që i ftonte bashkëkombësit të harronin mërit me njëri-tjetrin dhe t’i drejtonin energjitë kundër regjimit policor serb që po i asfiksonte. Pasi nuk arriti ta përvetësonte (oferta për të hyrë në radhët e Lidhjes Komuniste në pranverë 19584), regjimi nxori dhëmbët kundër tij. Kështu, nga 19 nëntori 1958, me akuzën e “propagandës armiqësore”, për Adem Demaçin nisi kalvari i vuajtjeve që do të vazhdonin për dekada të tëra. Ai duhej të dilte nga skena, duhej të izolohej, të mos mund të vepronte si element “turbullues” dhe njëherësh të bëhej shembull, që t’i ulej koka inteligjencës së pakët shqiptare të kohës. Pas 5 vjetëve burg, vetëm pak kohë ishte i lirë, e përsëri pësuan 10 vjet burg (8 qershor 1964, arrestimi i dytë). Këtë herë argumentet e regjimit ishin më të forta. Kishte formuar bashkë me grup bashkëveprimtarësh, “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e shqiptarëve”5, që u konsiderua organizatë destabilizuese për Jugosllavinë. Jehona e dënimit të një grupi të madh shqiptarësh kapërceu kufijtë e Jugosllavisë. Tani, lufta politike, po realizohej si një gërshetim i natyrshëm i vetëdijes për liri kombëtare me një ndërgjegje të theksuar prej të shtypuri dhe luftëtari të vendosur çlirimtar.

Më 6 tetor 1975, Adem Demaçi përsëri, për të tretën herë do t’i drejtohej burgut e këtë herë për 15 vjet6 (me akuzën për veprimtari dezintegruese të Jugosllavisë). Duket si çudi, ky dënim i tretë. Jugosllavia jepte sinjale sikur po liberalizohej, Kosova prej një viti kishte më në fund Kushtetutë dhe ishte kthyer në element konstituiv në Federatë, por A. Demaçi çohej përsëri në burg. Regjimi nuk mund të jepte atë që kërkonte atdhetari “i pandreqshëm” shqiptar. Shqiptarët, pavarësisht nga argumentet e dhëna, nuk mund të barazoheshin me të tjerët në Federatën Jugosllave, kurse Demaçi kërkonte, as më pak e as më shumë që “shqiptarët të ishin të lirë e të barabartë me të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit”.

Një muaj para se të lirohej nga burgu, vizionari i madh Adem Demaçi u deklaroi prerë gazetarëve, që për herë të parë arritën deri te ai: ky lider serb (Sllobodan Millosheviq) do ta shpartallojë Jugosllavinë. Nuk ishte profet Demaçi, por ishte intelektual mendjehapur, njohës i thellë i gjithçkaje ndodhte te shqiptarët në Jugosllavi e më gjerë, prandaj parashikonte me realizëm të ardhmen. Parashikoi edhe shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë, dhe, me çdo mundësi që i krijoi liria (la burgun më 21 prill 1990), u përpoq të gjente rrugët e mirëkuptimit dhe zgjidhjet e pranueshme për të gjithë. Si te rrallëkush, që kishte vuajtur aq shumë, asnjë mëri, urrejtje e hakmarrje, nuk u vu re te A. Demaçi, për askënd, as për serbët… Synonte të ngrinte urat e mirëkuptimit, si të vetmet që do të evropianizonin vërtet e përfundimisht Ballkanin. Me këtë frymë drejtoi dhe “Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut” (nga viti 1991) ku e bindën të merrte kryesinë, duke e shndërruar atë në një organizatë, me prestigj ndërkombëtar. Çmimi “Saharov” (dhjetor 1991) dhënë nga Parlamenti Evropian në Strasburg, dëshmoi prestigjin dhe vlerësimin më të lartë evropian për veprimtarinë e A. Demaçit.

Shumëçka ndodhi në Kosovë e Jugosllavi gjatë viteve ‘90. U derdh shumë gjak, shumëkush u largua nga vatra e zjarrit, por edhe shumëkush u kthye në vendlindje për t’u vetëflijuar për lirinë e popullit të vet. A. Demaçi nuk lëvizi nga Kosova, nuk ngurroi të shkojë edhe në Beograd për të kërkuar në strofkën e bishës të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë të lirë e të pavarur (1993 në TV e pavarur të Beogradit, më 1994 dhe 1995 në rrethin e intelektualëve të Beogradit).

Por “Marrëveshja e Dejtonit” dëshmoi se zgjidhje paqësore për Kosovën nuk do të kishte. Dhe A. Demaçi diti sërish të qëndrojë në krahun e duhur. Nuk ngurroi (në vitet 1996) t’i paralajmërojë evropianët në Bruksel, Hagë e Londër se duhej të angazhoheshin me të gjitha mjetet për të penguar gjakderdhjen në Kosovë, ashtu si nuk ngurroi të kundërshtojë (1998) emërtimin e UÇK si “terroriste”.

Përmes “Partisë Parlamentare” ku aderoi, u përpoq t’i krijonte mbështetjen e kualifikuar politike lëvizjes çlirimtare7. Lidhja e A. Demaçit me UÇK-në u pasqyrua në hapjen e “Përfaqësisë Politike të UÇK”, në Prishtinë, që për 6 muaj sfidoi makinën vrastare të Serbisë në Kosovë (12 gusht 1998-26 shkurt 1999). Mospajtimi i A. Demaçit ndaj Projektit të Rambujesë8, ishte protestë për “autonominë” që ofronte ai për shqiptarët. Demaçi kërkonte më tepër, gjithnjë do të kërkonte më tepër… dhe  padyshim më tepër u arrit (më 17.02.2008), por ai me siguri pret edhe më tepër, së pari praninë e Kosovës në OKB dhe në të gjithë forumet ndërkombëtare. E çfarë pret më tej pas kësaj, “Mandela” jonë i madh, ai e di… pa dyshim unitet, prosperitet dhe, padyshim, përsëri edhe më tepër…, gjithnjë në të mirë të kombit shqiptar dhe pa cenuar aspak interesat e drejta të askujt në Ballkan…

(Dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë)

 Literatura

٭ Kumtesë mbajtur në Konferencën shkencore, “Veprimtaria Atdhetare dhe Intelektuale e Adem Demaçit”, organizuar nga Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Shoqata e të burgosurve politikë e Kosovës, Prishtinë, 29 shkurt 2016.

1 Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), Relacion “Mbi problemet e “irredentizmit shqiptar” dhe masat që janë marrë nga Kosova”, përgatitur nga  Idajet Gurra, Ambasadori Sokrat Plaka, Beograd, 1976.

2 AMPJ, Relacion, “Elementet kryesore të letërsisë kosovare”, përgatitur nga Tahmaz Beqari, Beograd, 12 shkurt 1964, f. 15.

3 Po aty, f. 16.

4 Selatin Novosella, Adem Demaçi në Gjykimin e Parë-1958, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës Prishtinë, 2016, f. 83.

5 Selatin Novosella, Adem Demaçi në Gjykimin e Dytë-1964, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës, Prishtinë, 2016, f. 51.

6 Selatin Novosella, Adem Demaçi në Gjykimin e Tretë-1975, Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës Prishtinë, 2016, f. 35.

7 Bujar Dugolli, 1 Tetori i kthesës, Lëvizja Studentore 1997-1999, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik- Departamenti i Historisë, Prishtinë, 2013, f. 80.

8 Arkivi i Luftës i Agjencisë Shtetërore Informative “Kosovapress” (Vëllimi i parë), 4 janar-28 shkurt 1999, Instituti i Historisë-Prishtinë, Prishtinë, 2016, f. 523.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …