leoni

Ahmet Qeriqi

Pushteti, në të cilin jetohet si derr i kënaqur

Nuk janë të pakët përderecakët e deridjeshëm, që e kishin vështirë ta ngopnin stomakun me bukë të kuqe të misrit dhe sot janë “rehatuar” si mos më mirë në sarajet, odat, hamamet e qymezet e Shefave, falë gjeturisë së tyre për të zhbiruar dhe për t’i futur hundët edhe atje ku era e keqe nuk u hiqet nga goja e trupi për tërë jetën. Ata, falë servilizmit, të tipit “lepe-peqe” dhe  gatishmërisë së lindur  për të qenë shërbëtorë të padronit deri në neveritje, si parazitë të lindur e të rritur, sot i gjen të postuar kudo, nëpër ministri, kryeministri, në të gjitha segmentet e Shtetit e të pushtetit.

Dikur me zorrët bosh tani barkun kosh. 10 këshilltarë për një ministër, gjysmë analfabet. 10 të tjerë statistë, asistentë, bodiguardë, shoferë. Tërë një kohortë për ta ruajtur, për ta këshilluar, për ta teleisur dhe për ta kompletuar “Shefin”, atë më të mirin, kurdoherë të pagabueshmin, “më trimin” i cili  në kohën e luftës kishte treguar kujdes të madh ta ruante kokën dhe kur fillonin bombardimet nga të gjitha anët ia therte larg e më larg. Ashtu bën edhe tani, kur mendon se po i kërcënohet karriera, ia hedh me pehlivanllëk gjithnjë mbi kurriz të popullit, duke e lavdëruar atë, por edhe duke e ironizuar “ne vete”  me moton e huazuar nga kumbarët serbë, ( narode moj, stoko moja) populli im kafsha ime e mirë…

Nuk duket se është e domosdoshme që të gjithë këta, apo ata shefa e ministra  të jenë të tillë. Po nga ai “nus prodhim” i institucioneve të mefshta e të korruptuara të Kosovës, hetohet një klasë e këshilltarëve fanatikë, që lavdin dhe servilizmin e tyre të neveritshëm nuk e bëjnë zap, madje  as atëherë kur në ndonjë rast nuk e do padroni dhe kur ndodh të skuqet, nëse ka pikë nderi e burrërie. Të tillë pa dyshim se ka, meqë ka ministra edhe me nga dy e tre e më shumë këshilltarë.

Dikush,  me rezonimin e tij të mjerë mendon se të jesh këshilltar, doemos duhet ta lavdërosh “Shefin”, ta lavdërosh aq shumë sa të mos ketë ku të shkojë me tej, meqë  “Shefi” nuk ka as mund të ketë ndonjë të metë, sepse ai është shefi, kulti, i përsosuri, pelivani, të cilit nuk ia vë kush shpinën në tokë, sepse ka kush ia mbron, sepse edhe ky shefi, është njëlloj servili e skllavi ndaj padronit të vet, ndaj shefit të vet “ndërkombëtar”.

Të jetosh si derr i kënaqur nuk është diçka e re, ashtu sikur nuk është e re as të jetosh si Sokrat i vuajtur.  Por të jetosh duke luftuar të gjitha mitet e kultet, me të cilat ke qenë i edukuar dhe u ke besuar, e sot të përpiqesh t’i demontosh të gjitha ato “kulte”, duke lënë vetëm një kult, as kjo nuk është diçka e re. Kështu kanë bërë njerëzit, në rrugë për ta besuar vetëm një Zot dhe jo në shumë zotër sikur bënin paganët. Por përderisa besimtarët monoteistë i besojnë një Zoti që nuk duket, që nuk ka lindur as nuk vdes! “derri i kënaqur” është derr materialist, që i beson materies, shefit, atij që shihet, të cilit i shërbehet dhe nga i cili jetohet pa mund, pa djersë, vetëm duke e lavdëruar, por jo duke e këshilluar. Në rastin konkret, pse jo edhe në rastin e përgjithësuar, nuk kemi dëgjuar për ndonjë  këshilltar që ka marrë apo merr guximin ta këshillojë shefin, sepse po të pretendojë të tregohet më i mençur se shefi, vaj halli për të.

“Derri  i kënaqur” jeton me gjithë të mirat. Jeton pa gajle, jeton duke përlarë me turi nga “të lënat e çanakëve të shefit”, por edhe nga ndonjë “sahan” tjetër. Me rëndësi është të jetë kurdoherë me shefin, ta lavdërojë, duke e krahasuar me atë që dikur e kishte sharë, sepse edhe Shefi nga sharës e përbuzës tani është kthyer në lavdërues e përkushues të “atij”,  të cilin e kishte sharë e përbuzur për së gjalli.

“Derrit të kënaqur, aq i bën se “edhe Shefi faqe ndërron, dje shante e sot lavdëron”. Kështu do të bëjë edhe ai, gjithnjë sipas Shefit. Ndërrojnë kohët, ndërron zakoni, ndërrojnë shefat, ndërron padroni, por ama veset e derrit të kënaqur, as kanë ndërruar as ndërrojnë ndonjëherë. Të më falin derrat, dosat, këto kafshë të mjera e inteligjente, nuk e kam me ata, madje as me ata derra e dosa  të Xhorxh Orvellit, thjesht fjalën e kam te derrat tanë të pangopur, të cilët përveç se jetojnë të kënaqur duan edhe të na mësojnë, duan të na bindin me çdo kusht se jeta ka kuptim, vetëm po të jetohet sikur jetojnë  ata, gjithnjë duke i lavdëruar shefat e tyre, të gjithëdijshëm, trima e të pagabueshëm dhe duke i damkosur ata që dikur kishin qenë po kështu, trima e të pagabueshëm.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …