Dëshmitari C në gjykimin kundër kreut të UÇK-së në Drenicë është mashtruar nga hetuesit e EULEX-it, duke nënshkruar një dokument në gjuhën angleze, për të cilin ka besuar se është dokument për padinë që i kishte bërë Spitalit, në Prishtinë. Nënshkrimi i tij ishte manipuluar dhe ai ishte paraqitur si dëshmitar në akuzën për krime lufte. Ai fajëson hetuesin Antoni Roka dhe prokurorin pro serb, Murizio Salustro, të cilët e kishin manipuluar meqë ai kishte nënshkruar dokumentin në gjuhën angleze pa ditur se për çka bëhej fjalë.
Dëshmitari C kishte shkuar në EULEX për të ngritur kallëzim penal për rastin e bashkëshortes së tij e cila, në vitin 2000, kishte lindur binjakë që i kishin vdekur dy ditë më vonë. Nga kjo kohë ai thotë se ajo nuk ka mundur më të mbetej shtatzënë. “Gjatë lindjes mbeti sterile, ndërsa i mbytën dy fëmijët. Prej vitit 2002 vrapoj nëpër gjyqe. Në vitin 2009 mjekët u shpallën të pafajshëm, sepse drejtori i Gjinekologjisë ka qenë deputet i PDK-së”, ka thënë ai. “Antoni Roka ka qenë polic i EULEX-it. Më 2010 vjen në shtëpinë time, për rastin e gruas.Fare nuk janë përmendur krimet e luftës”, tha ai. “Në fund të vitit 2010 më kanë telefonuar që të shkoj në Prokurorinë Speciale,prapë për rastin e gruas. E dhashë deklaratën dhe në fund të intervistës kam nënshkruar një letër në gjuhën angleze, të cilën ma ka lexuar paraprakisht përkthyesi. Tre muaj më vonë më thirrën në telefon. Kanë kërkuar të shkoja tek zyrat e EULEX-it. Aty prezent ka qenë Mauricio Salustro”.] Gjatë kësaj bisede për Telegrafin, ai ka treguar se Salustro e kishte pyetur se si janë kidnapuar njerëzit gjatë luftës dhe se kush ka qenë i burgosur në Likoc. “Në atë moment kam kuptuar se jam mashtruar: kam nënshkruar një dokument ku akuzohen dy persona, Sabit Geci dhe Sahit Jashari. Më kanë thënë se ka edhe persona tjerë. Ata e përmendën emrin e një personi – që nuk mund ta përmendi tash; thanë se e kanë një njeri që ofron dokumente për atë që ka ndodhur në luftë, në Drenicë, porse nuk po guxon me dalë e se u duhet dikush me i lexo ato. Thash që kurrë nuk e pranoj një gjë të tillë. Kur e lexuan një pjesë të deklaratës se çfarë shkruan, jam tmerruar”,thekson Dëshmitari C.