Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vazhduar takimet konsultative me qëllim të projektimit të programit të tij qeverisës për ta bërë Drenasin një komunë më të mirë për qytetarët e tij. Ai në takim me qytetarët e Korroticës së Epërme dhe Gllobarit theksoi se uniteti i qytetarëve, shton mundësitë vepruese, jo vetëm në nivelin lokal por edhe në nivel qendror. Lladrovci I siguroi ata se përkushtimi thelbësor ka për të qenë për projektet që përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe mirëqenia e qytetarëve.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, Lladrovci pati edhe një takim me anëtarët e Hendikos-it, i cili sipas tij ishte tejet prekës. Ai tha se mirëqënia dhe punësimi I tyre janë çështje që duan zgjidhje. “Pjesëtarët e kësaj organizate, kanë shumë çështje të pazgjidhura por edhe shumë shpresa për jetën. Kujdesi ndaj personave me nevoja të veçanta, është një nga pasqyrat e shoqërisë tonë. Jo vetëm pajisjet, barnat dhe shkollimi por edhe punësimi e mirëqënia e tyre janë çështje që duan zgjidhje”, tha me këtë rast Lladrovci. “Do të kontribuoj dhe do të angazhohem për sportin dhe kulturën fizike në Drenas, sepse të rinjtë tanë janë vërtetë të talentuar”, tha kandidati I PDK-së, Ramiz Lladrovci, në takim me ekipet e volejbollit “Drenasi” dhe “Gryka”, ku sipas tij janë shembuj të pashoq të përkushtimit të trajnerëve dhe sportistëve për arritjen e sukseseve në sporte ekipore, në nivel vendi, por edhe në përfaqësimin ndërkombëtar.