Sevdije Ahmeti ishte ideatorja dhe shtylla e lëvizjes së grave në Kosovë. Në mesin e mbrojtësve më të hershëm të të drejtave të grave si të drejta të njeriut në Kosovë, ajo ishte udhëheqëse, aktiviste, feministe, shkrimtare.
Në fillimet e aktiviteteve të saj për të drejtat e grave, si redaktore dhe udhëheqëse e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Sevdija shkroi artikuj kundër stereotipeve negative të grave shqiptare të Kosovës, të portretizuar asokohe në mediat Jugosllave. Në vitin 1989, ajo ishte motori i përpjekjeve për të filluar Shoqatën e Gruas së Pavarur.
Pasi u shkarkua nga puna më 23 korrik 1989, ajo filloi të punojë për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe ka përgatitur shumë raporte mbi shkeljet e të drejtave të grave për Amnesty International. Me ngulm u përpoq të hedhë dritë mbi shkeljet e të drejtave me baza gjinore dhe luftoi kundër “mënyrës në të cilën gratë ishin të margjinalizuara për shkak të politikave “të mëdha””, siç shprehej ajo. Sevdija gjithashtu ka bashkëpunuar me Shoqatën Nënë Tereza dhe në fushata për të promovuar rëndësinë e vaksinimit.
Në shtator të vitit 1993, ajo bashkë-themeloi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, e cila shpejt u bë një strehë e sigurt për gratë. Gjithashtu vazhdoi të dokumentonte më përpikmëri abuzimet e të drejtave të njeriut që preknin gratë dhe fëmijët në Kosovë. Kjo përfshinte edhe dorëzimin e provave në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për dhunën seksuale dhe keqtrajtimin e kryer kundër grave të Bosnjës dhe të Kroacisë, kur ato u strehuan si refugjate në Kosovë.
Sevdija krijoi aleanca me aktiviste të të drejtave të grave në mbarë botën, duke ndërtuar mbështetje ndërkombëtare për të trajtuar gjendjen e popullit të Kosovës, në veçanti të grave. Ajo ka mbajtur një ditar të shkeljeve të të drejtave dhe aktivizmit të grave, duke iu dërguar përditësime të rregullta më shumë se njëmijë kontakteve në mbarë botën. Edhe gjatë persekutimit nga autoritetet serbe, Sevdija nuk pranoi të heshtë duke kaluar kufijtë e rrezikut personal për të mundësuar që zëri i gruas kosovare të dëgjohet në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Në shtator të vitit 1995, ajo ka shërbyer si koordinatore e Grupit të Komunitetit të Grave në Konfliktet e Evropës Lindore në Forumin e OJQ-ve gjatë Konferencës së Katërt Botërore për Gratë në Pekin, Kinë.
Nga viti 1996 deri në vitin 1998, Sevdija ishte në mesin e nismëtareve të grave në protestat masive publike kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut në Kosovë. Ajo udhëtoi nëpër rajonet e prekura nga lufta, duke u ndihmuar civilëve të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Pas luftës, Sevdija fuqishëm punoi për të ndihmuar gratë dhe fëmijët në Kosovë të prekur nga dhuna në familje dhe trafikimi, duke hapur kështu strehimoren e parë të grave. Nga viti 2001, ajo udhëhoqi përpjekjet për të sjellë vëmendjen për temën tabu të përdhunimit si armë lufte të përdorur në Kosovë. Ajo ishte një avokate e zëshme për drejtësi për gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës, duke mbështetur disa nga gratë e para dhe të vetme për të dëshmuar në Hagë për këtë krim të tmerrshëm. Ajo gjithashtu ka dokumentuar dhe ka kërkuar drejtësi për gratë dhe fëmijët e trafikuar. Duke shkruar për punën e Qendrës, ajo botoi informatat e para në dispozicion lidhur me dhunën në baza gjinore në Kosovë.
Ndërkohë, Sevdija luftoi për të drejtat e grave për të marrë pjesë në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës si dhe për ndihmë humanitare për ata më në nevojë. Ajo ishte e këmbëngulëse në rezistimin e promovimit të patriarkatit nga zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë. Si anëtare e Këshillit Tranzitor të Kosovës, ajo ka avokuar që Konventa për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës dhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut të përfshihen në Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Së bashku me aktivistet tjera të të drejtave të grave, ajo insistoi në mënyrë efektive për kuotën zgjedhore duke avansuar barazinë gjinore brenda parlamentit dhe kuvendet komunale.
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka pasur nderin ta ketë Sevdijen si anëtare e Bordit të Drejtorëve për vite me rradhë. Guximi, intelekti, takti dhe mprehtësia e saj kanë qenë motivim për ne. Fryma dhe inispirimi i pashterrshëm që ajo solli, jetët që ajo u mundua ti ndryshojë, të drejtat për të cilat ajo luftoi, do të na përcjellin përherë gjatë punës sonë.
Varrimi i të ndjerës bëhet të dielen me 20 nëntor 2016, në orën 14:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.