(Kumtesë e lexuar me rastin e përurimit të veprës: “Adem Demaçi, ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës”)
Përurimi i veprës: “Adem Demaçi, ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës” është një gëzim i veçantë. Ndjehem i nderuar dhe njëkohësisht i kënaqur që m`u dha rasti për të shkruar e për t`i thënë mendimet mia për këtë libër dhe për Bacë Ademin.
Përurimi i kësaj vepre dhe veprave të tjera të kësaj natyre është aq i nevojshëm dhe aq i rëndësishëm, jo vetëm për faktin e nxjerrjes në dritë të mendimeve, përjetimeve dhe veprave që janë dhënë e janë bërë pjesë e qenësisë sonë të pastër shqiptare, por edhe për arsyen se brezat e rinj duhet të mësojnë, se për Kosovën dhe trojet të tjera shqiptare, janë bërë sakrifica, janë bërë vepra të shquara atdhetare e njerëzore dhe në qendër të këtyre vepra shkëlqen si dielli: ideali i bërjes së Shqipërisë së bashkuar në kufijtë e saj të natyrshëm etnik.
Përurimi i kësaj vepre, siç e ceka më sipër, është i veçantë, sepse i kushtohet njeriut, i cili ka sakrifikuar 28 vite burg për atdheun, i cili ka kockë e kokë, zemër e gjak të kulluar shqiptari, i kushtohet atij që kurrë nuk u përkul dhe kurrë nuk u dorëzua, por qëndroi si kështjellë e pamposhtur e atdhetarizmit shqiptar dhe humanizmit njerëzor, i kushtohet njeriut, për të cilin këngëtari i mirënjohur Luan Zhegu do të këndojë:
“Bjen sharkia e don t`plasi,
Se çdo trim është yll trimërie,
Po Ai burrë Adem Demaçi,
Qenka mal me palcë Shqipnie.”
Veprat e mëdha, veprat që janë bërë në shërbim të kombit, në shërbim të njerëzimit duhet të publikohen, duhet të dalin në dritën shpërthyese dhe të ecin në hap kohën, në vijimësi me brezat që janë e do të vijnë, në harmoni me të vërtetën si orientim dhe shembull i jetës sonë.
Këto vepra janë realiteti përhapës, siç janë rrezet e diellit, janë një taban i fortë i shqiptarësisë së Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare, që i pushtuan serbet, maqedonasit dhe malazezët. Janë vepra të shembullore të bijve dhe bijave më të mira, të cilët fëmijërinë nuk e përjetuan në kuptimin kënaqësisë së moshës, por që në lulen e rinisë ishin pjekur dhe shpatullat e tyre të njoma, qenien e tyre e kishin vënë shërbim atdheut, në shërbim të triumfit për çlirimin dhe bashkimin e tërësisë së trojeve të Shqipërisë. Këtë realitet më mirë, më qartë më bukur, më me ndjenjë e emocione, askush nuk mund të na e thotë përveç atyre që e kanë përjetuar.
Kush mund të shkruajë e të flasë më mirë për Bacë Ademin, se sa bashkëveprimtarët e tij, kush mund të nxjerrë në dritë, përpjekjet, sakrificat dhimbjet, vuajtjet, por edhe krenarinë e qëndrueshmërinë, karakterin fortë e këmbënguljen për të jetësuar idealet plotësisht të shëndosha kombëtare e njerëzore të simbolit tonë të atdhetarizmit e të rezistencës Adem Demaçi, përveç atyre të cilët qenë e janë mbështetja e tij më fuqishme, përveç atyre që janë frymëzuar që fëmijë, me veprën dhe sakrificat e tij, përveç atyre që ju bënë atij krah dhe forcë jashtë burgut, e brenda burgut, përveç atyre që ndodheshin e ndodhen në mërgim dhe atyre që ishin e janë të organizuar në përbërjet e grupimet atdhetare. Jeni ju vëllezër e motra, jemi ne, janë të gjithë ata që jetën dhe veprën e Bacë Ademit e kanë rrëfimin më të mirë, dritën më të shkëlqyer dhe orientimin më të qartë të jetës dhe veprimtarisë së tyre.
Prandaj botimi i veprës: “Adem Demaçi, ura mbi të cilën kalon liria e Kosovës” është një vepër e shkëlqyer, meqë së pari i kushtohet birit të shtrenjtë, të dashur të Shqipërisë, dhe se është shkruar nga një pjesë e mirë e vëllezërve dhe bashkëveprimtarëve të tij.
Shkrimet i janë brumosur nga një gjuhë e pasur e kulluar, nga një rrjedhshmëri logjike e një përpikëri e rregull i këndshëm, fonetik, morfologjik e sintaksor, hera herës të përshkuara me shpërthime emocionale dhe përshkrime të hollësishme, si pasuri e një niveli të lartë intelektual dhe gjithashtu edhe me ngjyrime e begati artistike. Edhe pse kumtuesit e zotërojnë shumë mirë gjuhën e bukur shqipe, të pasur e të pastër letrare, megjithëkëtë gjithnjë ka nevojë për redaktorë, lektorë e recensentë, në këtë kuptim duket qartë, se Kadri Rexha e Ibish Neziri e kanë bërë punën e tyre saktësisht shkencore, si redaktorë dhe gjuhëtarë të mirëfilltë.
Këtu nuk duhet harruar aspak, stili profesional i kritikës së shëndoshë letrare, sidomos i kumtueseve Bislim Elshani e Kadri Rexha, kur e trajtojnë veprën letrare të Adem Demaçit.
Nëpërmjet një gjuhe të pasur e të këndshme poetike Lebit Murtishi, poet e atdhetar i shquar kumtoi se “nuk gjenden akoma fjalë, që Bacës së madh të shqiptarëve, t`i ngjajnë e përshtaten së paku vetëm për Tititull…Bacën s`e nxë më asnjë libër, Baca qëndron mbi të gjitha librat…”
Ndërsa magjistër Kadri Rexha, kritikë e shkrimtar i shquar do të konstatojë, kur e trajton veprën, dramën e Adem Demaçit “Politika dhe pushka” se “më mirë dhe më besnikërisht se në asnjë vepër tjetër të tij, në këtë dramë pasqyrohet artistikisht ideali jetësor i autorit, çështja e pazgjidhur shqiptare, qëndresa e shtresave të gjëra popullore, përpjekjet e brezave për liri, pavarësi dhe aspirata e popullit tonë për bashkim kombëtar.”
Bashkëveprimtari i bacë Ademit, Ramadan Pllana i shfaqi disa mendime të shkëlqyera se Adem Demaçi është: “ nderi i Kombit, fitues i çmimit “Saharov”, përfaqësues politik i UÇK- së; shkrimtar i shquar; ideolog… veprimtari më i denjë i kohës sonë për liri e bashkim kombëtar…”
Nëpërmjet një gjuhe të zgjedhur të e pasur Dr. Sabri Kiçmari do të kumtojë një studim të përsosur dhe ndër të tjera do të theksojë se: Adem Demaçi, në radhë të parë, është figurë e gjallë historike… ,mbështetja e luftës së UÇK- së është rrjedhim politik i filozofisë së Demaçit,”
Sejdi Gegaj, veprimtar i dalluar, duke bërë një analizë mirëfilltë shkencore për publikimet e botimet e intervistave dhe shkrimeve të Adem Demaçit në gazetën: “Zëri Kosovës” deri në vitin 1990 shprehet ndër të tjera se: “Në të gjitha intervistat shquhet mendimi i shëndoshë, i drejtë dhe i guximshëm i njohësit të mirë të rrethanave aktuale dhe i largpamësit të shquar, jo vetëm për pozitën dhe luftën popullit tonë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, por edhe për gjendjen në Kosovë, në Shqipëri, Ballkan e më gjerë.”
Ndërsa Ibish Neziri, bashkëveprimtar i Adem Demaçit, i cili ka qenë bashkë me të në burgun e Stara Gradishkës, sjell kujtime interesante nga ajo kohë, meqë si gjithnjë bacë Ademi ishte jo vetëm shoku e miku i tyre, por sjelljet dhe kujdesi i tij ishin më shumë se atërore, ai ishte mësuesi e frymëzuesi atdhetar i të rinjve shqiptarë në atë burg, dhe vazhdon të na tregojë Ibishi, se të burgosurit shqiptarë : “ishin me fat, sepse ishin pranë njeriut, të cilin gjithnjë e kishin pasur shembull, idhull, simbol të luftës për liri e bashkim…”
Në një shkrim të tillë është vështirë për t`i përfshirë të gjithë ata emra, që kanë shkruar për të, por ajo që është themelore, pajtohemi se shkrimet për Bacë Ademin kanë vulën dëshirës së mirë për të thënë atë ndjesi, peshë, rëndësi e realitet, që ka jeta dhe vepra e bacë Ademit.
Megjithëkëtë, ka disa shkrime e trajtime jo vetëm letrare, por edhe shoqërore, filozofike e shkencore e analitike që kanë rëndësi për t`i theksuar krahas shkrimeve të autorëve, që i theksuam më sipër: siç janë akademik, Rexhep Qosja, profesor Ahmet Qeriqi etj.
Akademik Rexhep Qosaja, kur e trajton veprën e Adem Demaçit, do të shkruajë:
“Ai e dëgjonte qartë zërin e historisë, që do të vinte, kur të tjerët bëheshin apo ishin të shurdhër…Ai u bë kështu ndriçimtari i ndërgjegjes sonë, që e arsyeton qenien tonë.”
Ndërsa profesor Ahmet Qeriqi shkruan ndër të tjera: “Adem Demaçi është mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, është vetë simboli i gjallë i kësaj sakrifice, është alfa dhe omega e një drame kombëtare në shumë akte, një dramë në epilogun e së cilës ende nuk kemi arritur”.
Dhe për ta arritur epilogun e bashkimit të Atdheut, për të cilin na thotë profesor Ahmeti, se ende nuk kemi arritur, duhet ta kemi një orientim të paluhatshëm e të qartë, pra siç na thotë edhe profesor Ahmeti: mishërimin e sakrificës shqiptare të bacë Ademit për liri e bashkim.
Në vitin 2000 patëm kënaqësinë e veçantë, së bashku oficerin e pedagogun Halil Katana nga Tirana, të takoheshim me bacë Ademin në Prishtinë. Ndër të tjera bacë Ademi tha:
Në kohën kur unë isha zëdhënës i UÇK-së, na vinin delegacione nga më të ndryshmet ndërkombëtare, dhe na thoshin se duhej t`i nënshkruanim disa letra, dokumente, që na i ofronin, ne i lexonim dhe ua kthenin mbrapsht pa i nënshkruar, sepse në to fshihej dredhia që Kosova të ngelej nën Sebinë.
Vinin e vinin shumë herë dhe ne i kthenim, ashtu siç kishin ardhur, pa i nënshkruar letrat e tyre, më fund njëri, një amerikan sikur e humbi durimin dhe na tha se si do të çliroheni ju dhe vazhdonte fjalën, që kishte nëntekste duke na nënçmuar, unë ia ktheva i vendosur se, vetë do të çlirohemi, se po luftojmë të çlirohemi nga Serbia, qoftë edhe pikën e fundit të gjakut tonë.
Kur ai e pa këmbënguljen, vendosmërinë tonë na tha se edhe ata do të na ndihmonin.
Duhet të jemi të vendosur për t`i jetësuar idealet tona, qëllimet tona, rrugën tonë duhet ta kemi të qartë, të mos luhatemi, të mos nënshtrohemi, të mos thyhemi, por të këmbëngulim në të drejtën tonë dhe patjetër se realizojmë lirinë e plotë e bashkimin e Atdheut.
Besoj dhe jam i bindur, se ky është mësimi më i mirë për ne dhe kështu duhet kuptuar se nëpërmjet veprimtarisë, vendosmërisë dhe këmbënguljes të popullit tonë, shqiptarëve, arrijmë lirinë e plotë, çlirimin e tërësishëm dhe bashkimin e trojeve të Shqipërisë, njëkohësisht e detyrojmë bashkësinë ndërkombëtare të na pranojë dhe të na mbështesë. Të gjitha këto i gjejmë edhe në jetën e bacë Ademit, por edhe në veprën e tij të tërësishme, pra edhe në atë letrare.
Kur jemi te vepra letrare e bacë Ademit e shoh të arsyeshme të theksoj edhe këtë: profesor Hasan Mekuli shkruan te revista “ Jeta e re” për veprën e Adem Demaçit, “Gjarpërinjtë e gjakut”, pasi ajo ishte botuar, se Adem Demaçi shkruan natyrshëm, fjalët e tij sikur burojnë nga toka për dallim nga disa shkrimtarë që në shkrimet e tyre vihet re, sikur fjalët i kanë të blera.
Dua edhe një ndërlidhje letrare ta bëja në mes veprës së bacë Ademit me një poezi, të cilën e shkruan poeti e prozatori ynë, ndër më të shquarit e Letërsisë së Sotme Shqipe Dritëro Agolli, për bilbilin e gjuhës shqipe, Naimin tonë të madh kur thotë:
“Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë përzierë
dhe na duket se në qenien tonë janë shkrirë”
Edhe vepra e Adem Demaçit është, burim i tokës arbërore, brumë Shqipërie dhe në qenien tonë është rrënjosur.
Jeta dhe vepra e e Adem Demaçit janë rrënjët e atdhetarizmit shqiptar dhe humanizmit të përgjithshëm.
Për Adem Demaçin kanë shkruar e do të shkruajnë, jo vetëm shokët e tij, jo vetëm kritikët letrarë, jo vetëm shkencëtarët, jo vetëm politikanët, por edhe shkrimtarët janë frymëzuar e kanë shkruar, frymëzon e do të frymëzohen për të shkruar, madje edhe të rinjtë e fëmijët do të shkruajnë. Do të shkruajnë edhe ata që kanë pasur shumë pak takime e biseda, sepse ai është i të gjithëve dhe për të gjithë ka sakrifikuar e vepruar, ai është gjithmonë pishtari i lirisë, i barazisë, i bashkimit të atdheut dhe i njerëzimit në përgjithësi.
20.11.2016