Është e pabesueshme që Shqipëia mbeti prej 25 vitesh vëndi më i prapambetur në Europë civilizisht dhe demokratikisht në rrugën e progresit, mirëqënies dhe të integrimit, pa ndërtuar akoma një shtet ligjor dhe me standarte moderne shtetformuese, pavarësisht se i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet njerëzore, intelektuale, ekonomike, gjeostrategjike etj.; pavarësisht ndihmës dhe përkrahjes së madhe e të gjithanshme të dhënë nga Perendimi, BE dhe sidomos nga SHBA. Shkaku kryesor i kësaj prapambetjeje janë elita politike shqiptare, janë politika dhe politikanët shqiptarë të korruptuar dhe të interesuar vetëm për interesin e vet dhe jo atë kombëtar; politika e varfër intelektualisht dhe e pandjeshme shpirtërisht, e pamoralshme dhe e papërgjegjshme para ligjit dhe detyrës për t’i shërbyer kombit dhe shtetit të vet; është kjo elitë politike, me këtë politikë dhe këta politikanë të cilët kanë si qëllim vetëm pushtetin, pasurinë dhe paranë.
Por edhe askujt nuk do t’i shkonte në mëndje dhe nuk do ta besonte as atë se si u zhvilluan Pavarësia, shtetësia dhe liria, demokracia e integrimi në Kosovën e pas çlirimit nga kolonizatori serb me 12 Qershor 1999; ku përgjegjësia tërësisht për këtë situatë të moskonsolidimit të Demokracisë, të Pavarësisë dhe të Shtetësisë, të dështimit të luftës kundër korrupsionit, kundër papunësisë, kundër varfërisë si dhe mosliberalizimi akoma i vizave dhe mosintegrimi i Kosovës për në BE bie mbi politikën dhe mbi politikanët e Kosovës, si autorët dhe shkaktarët edhe të eksodit dhe të largimit të qytetarëve drej perëndimit.Pra, edhe në Kosovë e njëjta gjëndje dhe të njëjtët aktorë dhe fajtorë për të: elita politike.
Të gjitha këto mosralizime dhe dështime janë meritë e politikanëve të Kosovës: si të pamerituar, të paaftë dhe injorantë, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar. Dhe tani, lind pyetja se çfarë mund të kishte ndodhur në Kosovë sikur pas çlirimit të saj mos të ishin aty të pranishëm ndërkombëtarët, SHBA- ja dhe NATO-ja që ato edhe e çliruan Kosovën, si dhe institucionet apo instrumentët ndërkombëtarë të kontrollit e monitorimit të zhvillimeve atje; kur dhe pavarësisht kësaj në Kosovë janë bërë vrasje dhe dhunime politike; është bërë hataja me grabitjet dhe vjedhjen e pasurive kombëtare dhe shtetërore, me papërgjegjshmërinë dhe me pandëshkueshmërinë ligjore të korrupsionit politik, nepotik, familjar dhe klanor vetëm e vetëm se ata janë të fortë pasi kanë mbështetje politikën, klanin, drejtësinë politike si dhe korrupsionin; ashtu sikurse dhe në Shqipëri çfarë mund të kishte ndodhur pa ndihmën e Perëndimit në vitet 1990-91 kur ra komunizmi dhe sidomos me ngjarjet katastrofike të viteve 1997, dhe se pa ndihmën e SHBA-së kryesisht dhe të shteteve kryesore të BE-së elita politike në Shqipëri nuk qe në gjëndje dhe nuk e kishte as vullnetin dhe as dëshirën për të bërë as Ligjin për Dekriminalizimin e vetës së saj, dhe as atë të Reformës në Drejtësi.
Kriteret kryesore të përzgjedhjeve politike, pra të elitës politike në Kosovë janë po ato që zbatohen edhe në Shqipëri si: mashtrimet, gënjeshtrat, korrupsioni, tarafi e klani politik i ngushtë i kryetarit dhe të servilëve rreth tij si grup interesi e biznesi përfitimi e pasurimi; i rekrutimit të besnikërisë politike allashverishesh, ryshfetesh dhe nepotike pa merita dhe pa aftësi profesionale , pa arsimim dhe pa kapacitete intelektuale; të rekrutimit politik dhe në pushtet e administratë të ndividëve pa kontribute dhe pa trashëgimi pasurore dhe kombëtare dhe të atyre që kanë mundësi monetare dhe talentin për ta blerë polikën dhe pushtetin pa marrë parasysh edhe faktin se prej dhe si ata e kanë fituar paranë prej së cilës shitet e blihet politika në këmbim me poste e detyra të larta shtetërore dhe administrartive; dhe më pastaj këta lloj politikanësh e pushtetarësh përfituesish bëjnë korrupsionin dhe kërdinë me të, pasi e kanë të siguruar edhe pandëshkueshmërinë nga drejtësia, e cila, pra edhe drejtësia, edhe ajo ka të njëjtën fytyrë dhe fizionomi ashtu si vetë politika e cila e përzgjedh dhe e drejton politikisht drejtësinë ashtu si dhe tërë sistemin në Kosovë.
Këtë model dhe sistem Kosova e ka marrë nga Shqipëria dhe prandaj të dyja konkurojnë me njëra-tjetrën se cila të jetë “në krye” të klasifikimit në Europë për papunësinë, varfërinë, korrupsionin , krimin, eksodin dhe largimin e rinisë për në BE. Duhet patjetër që shoqëria shqiptare dhe politika e diplomacia kombëtare, demokracia dhe tërë sistemi politik të çlirohen nga kjo elitë e keqe politike e cila ka mbërthyer shtetin, shoqërinë, drejtësinë dhe që e ka falimentuar sistemin me injorancën, me tradhëtinë, korrupsionin, papërgjegjshmërinë dhe me hajninë e vet. Një elitë e tillë politike është dhe përbën kërcënimin real edhe për Sovranitetin Kombëtar dhe jo më të bëhet fjalë për progres e integrim europian me këto lloj elitash politikanësh të të përzgjedhurish të këqinj, të paaftë profesionalisht, të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm kombëtarisht..
“Elitarët” e politikës shqiptare nuk e kanë për asgjë anormalitetin dhe amoralitetin politik të tyre për të ndërmarrë veprime politike akrobatike tradhëtirash dhe pabesirash si ndaj vetë antarësisë së partive të tyre, kundër vullnetit dhe programit të partisë politike, pronë të tyre, por edhe për të bërë edhe aleanca e marrëveshje konspirative të cilat u shërbejnë vetëm interesave të tyre personale dhe të klanit të ngushtë rreth tyre pa marrë parasysh edhe dëmet e mëdha që u shkaktojnë edhe interesit publik dhe sidomos atij kombëtarë.
Këto lloj elitash politike kemi sot si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
Është koha për ndryshimin e praktikës dhe të mentalitetit politik jo vetëm të elitës politike që nuk e dëshiron ndryshimin, por është i nevojshëm evolucioni, demokratizimi dhe ndërgjegjsimi i opinionit publik për domosdoshmërinë e ndëshkimit të elitës politike aktuale shqiptare si në Shqipëri, Kosovë por edhe në Maqedoninë shqiptare, për të bërë të mundur si ndëshkimin e ashpër me votë të saj duke përkrahur alternativa të reja politike që nuk janë të ndotura si këto elitat e sotme, por edhe duke vënë nën presion dhe duke nxitur edhe evolucionin demokratik dhe patriotik të partive aktuale politike shqiptare.
Është koha që, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë por edhe nga diaspora, për një Lëvizje gjithpërfshirëse politike e të shoqërisë civile dhe sidomos rinore dhe intelektuale kundër elitës aktuale politike, si një Lëvizje mirëgjykimi dhe mirëzgjedhore si ajo në SHBA në zgjedhjet e fundit të Z. Trump për President të saj.