Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit që me dinamizëm të shtuar të përfundojnë pakon e masave të cilat do të ndikonin në fuqizimin e sektorit të prodhimtarisë në vend, i cili mbetet sektori me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës. Ofrimi i lehtësirave për sektorin e prodhimtarisë do të mundësonte zëvendësimin gradual të importeve, rritjen e bazës së eksporteve, dhe rrjedhimisht përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës.
Në këtë aspekt, anëtarët e Komitetit të Prodhuesve të Odës Ekonomike Amerikane kërkojnë zgjerimin e mëtejmë të listës së mallrave të liruara nga detyrimet doganore, shqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, fuqizimin e diplomacisë ekonomike dhe vënien e saj në shërbim të produkteve nga Kosova, përkrahje institucionale për promovimin e produkteve nga Kosova në panairet ndërkombëtare, shfrytëzimin më efikas të mekanizmave në kuadër të marrëveshjeve për tregti të lirë për eliminimin e barrierave që u vihen eksportuesve nga Kosova nga shtetet e tjera, rregullimin e çështjeve që lidhen me tatimin mbi vlerën e shtuar për lëndët e para të importuara dhe ato të blera në tregun e brendshëm, si dhe përkrahje të mëtejme për makineritë e importuara.
Në funksion të lehtësimit të eksporteve nga Kosova, Komiteti i Prodhuesve i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon edhe harmonizimin me shtetet partnere tregtare të certifikatave fitosanitare dhe dëshmive të tjera të konformitetit, gjë që do të shkurtonte shpenzimet financiare dhe kohën e sigurimit të tyre.
Kërkesa e ripërsëritur e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë për kompletimin e pakos fiskale brenda vitit 2016 bëhet më së e domosdoshme duke pasur parasysh se është njëra ndër kërkesat e vazhdueshme të sektorit prodhues në Kosovë, është dakordim edhe i Qeverisë së Kosovës, shprehur përmes deklaratave të Zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane, por edhe pse vjen në kohë kur prodhuesit nga Kosova përballen me konkurrencë edhe më të madhe si rezultat i hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si dhe Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Republikën e Turqisë në të ardhmen e afërt.